Kompania ajrore Lufthansa ka njoftuar autoritetet e Kosovës se do të hapë linjën ajrore Prishtinë-Beograd në një të ardhme shumë të afërt.
Kjo është bërë në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.
“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë”, u shpreh Berisha.
“Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”.
Berisha u shpreh mirënjohës për Ambasadorin Grenell, për administratën amerikane, për NATO-n dhe për KFOR-in për mbështetjen e tyre në përpjekjet e Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore dhe të trafikut ajror në Kosovë.
Kurse, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se pret që sot në Berlin të nënshkruhet letra mbi qëllimet midis Ministrisë së Ekonomisë të Serbisë dhe të kompanisë Lufthanza.
Siç citohet të ketë deklaruar ai, kjo do të bëjë të mundur që pas 20 vjetësh sërish të vendoset linja ajrore ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
Nënshkrimi i letrës mbi qëllimet do të përbënte hapin e parë simbolik në drejtim të përtëritjes se avio-linjës ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
“Me këtë, përveç 12 autobusëve që rregullisht lidhin Beogradin me Prishtinën, në të ardhmen do të mund të ishte edhe linja ajrore, që kryeqytetin e, siç është shprehur ai, krahinës sonë jugore do ta bënte më afër Beogradit”.
“Kjo linjë do të mund të jetësohej nga ai moment kur hiqen taksat dhe kur të vazhdojë dialogu”, ka thënë Gjuriq.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.