Muzeu Carnavalet në Paris i kushtohet dokumentimit të historisë së qytetit
Një udhëtim në Paris nuk mund të mendohet pa vizituar Muzeun e Luvrit, por ky muze simbol nuk është i vetmi që ia vlen të vizitohet në Qytetin e Dritës. Pas një mbylljeje pesëvjeçare dhe 58 milionë euro restaurimesh, Muzeu Carnavalet më në fund është gati të mirëpresë sërish vizitorë, pothuajse në të njëjtën kohë kur Franca do të rihapet për turistët ndërkombëtarë më 9 qershor.
I hapur për publikun në vitin 1880, Muzeu Carnavalet është një nga më të vjetrit në Paris dhe një thesar i lënë në harresë kushtuar dokumentimit të historisë së qytetit.
I vendosur brenda dy pallateve pranë, Hôtel Carnavalet i shekullit XVI dhe Hôtel Le Peletier de Saint Fargeau, i shekullit XVII, Muzeu Carnavalet i çon vizitorët pas në kohë në një ndërthurje objektesh të rralla, në mesin e të cilave piktura, skulptura dhe disa objekte personale të Maria Antonetës. Nga periudha mesolitike (9600-6000 para erës sonë) deri në shekullin XXI, gjithçka në muze paraqitet sipas rendit kronologjik, një ndryshim i mirëpritur që erdhi bashkë me restaurimin – shkruan Lonely Planet.
Muzeu Carnavalet u mbyll në 2016 pasi koleksioni u rrit aq shumë saqë kuratorët nuk arrinin të gjenin një mënyrë për të paraqitur të gjithë informacionin në një formë të tillë prezantimi që do të kishte kuptim për vizitorët. Por me punimet e restaurimit, të cilat përfunduan pjesërisht me ndihmën e François Châtillon, kryearkitekti për monumentet historike të Francës, muzeu u rihap më 29 maj të këtij viti, me një përvojë më moderne.
Ndryshime të tjera përfshijnë shtimin e rampave dhe ashensorëve që i bëjnë mjediset e muzeut, më të arritshme. Janë shtuar edhe ekrane dixhitale si pjesë e modernizimit të muzeut, ndërsa bodrumi, pjesa më e vjetër e muzeut, është rinovuar plotësisht dhe në të ndodhen objekte të periudhës mesolitike dhe të Rilindjes. / Travel & Leisure