Shqipëria ka nisur kërkimet për një studio të re ligjore që ta përfaqësoje në çështjet e Arbitrazhit. Kjo kërkesë vjen vetëm pak kohë pas konfirmimit se India Power Solar që fitoi dy vite më parë procedurën për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Akërnisë nuk ka qenë dakord me anulimin e kontratës nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Lexo edhe këtë: Edhe “Akërnia” në Arbitrazh
Burime të Monitor konfirmuan se tashmë çështja është në Arbitrazh por në kërkesën e shpallur nga Avokatura e Shtetit nuk jepen detaje se për cilën çështje po kërkohet studioja dhe nëse bëhet fjalë për mbrojtjen përballë India Power apo ndonjë çështje tjetër. Më herët në 23 shtator në të njëjtën gjykatë u regjistrua çështja e Durrës Kurum Shipping SH. P.K kundër shtetit shqiptar në të cilën po asistohet nga studioja Derains & Gharavi.
“Në mbështetje të nenit 18, pika 2, të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.893, datë 18.11.2020 “Për përcaktimin e procedurave dhe të kritereve për kontraktimin e pagesën e avokatëve/studiove të avokatisë, ekspertëve apo shërbimeve të tjera ndihmëse dhe mënyra e pagesës”, komisioni i ngritur për kryerjen e procedurës përzgjedhëse me urdhrin nr.196, datë 03.12.2020 të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, ju njofton për fillimin e procedurës së kontraktimit e përzgjedhjes së avokatit/studios së avokatisë vendase ose të huaj, dhe ju fton të paraqisni interesin tuaj së bashku me ofertën përkatëse për të marrë pjesë në këtë procedure” njoftoi Avokatura.
Kjo e fundit bëri me dije se objekt i kontratës është përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Republikës së Shqipërisë, në një proces arbitrazhi të iniciuar para Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve së Investimeve (ICSID).
Arbitrazhet aktive
Ende nuk është bërë e ditur shifra e kërkuar nga fituesit kontratës së Akërnisë por sipas burimeve kjo shumë është 110 milionë euro. Arbitrazhet ndërkohë janë bërë të shpeshtë për shtetin shqiptar duke akumuluar një faturë të kripur. Aktualisht në arbitrazhe janë disa çështje me vlerë qindra milionë euro që pritet të rëndojnë në xhepat e taksapaguesve shqiptarë në vazhdim.
Vetëm nga KLSH, deri në fund të vitit 2019, llogariten 19 miliardë lekë detyrime për vendime Gjyqësore Ndërkombëtare. Aktualisht shteti shqiptar duhet t’i paguajë 110 milionë euro investitorit italian, Francesco Becchheti. Nga ana tjetër, edhe “Kurum” ka një çështje të hapur me shtetin shqiptar, ku kërkon 100 milionë euro, ndërsa kompania greke “Actor”, që ndërtoi tunelin Tiranë-Elbasan dhe dy lotet e tjera të autostradës në bashkëpunim me “Copri”, ka kërkuar 44 milionë euro po në gjykatë ndërkombëtare
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.