Pas Dajtit, Alpeve dhe Luginës së Vjosës, edhe Bulevardi i Ri shpallet zonë me përparësi turizmin

10/12/2020 11:00 PM 0 komente

Dy vite më parë, në një vendim të veçantë, Këshilli Kombëtar i Territorit përzgjodhi 17 zona në të gjithë vendin që do të klasifikoheshin si zona me përparësi zhvillimin e turizmit.

Në këtë listë janë disa nga destinacionet dhe pikat më mbresëlënëse të vendit që nisin nga Alpet në Veri e zbresin deri te vija bregdetare në Jug apo lugina e Vjosës.

Por së fundmi, Këshilli Kombëtar i Territorit ka shtuar një pikë të 18 në zonat me përparësi turizmin dhe çuditërisht nuk bëhet fjalë për asnjë nga zonat tipike turistike në vend. Zona e 18 është “zona e Bulevardit të Ri të Tiranës, me sipërfaqe 21953.42 m³”.

Është e paqartë sesi pjesa e Bulevardit të ri do të zhvillohet për t’u kthyer në destinacion turistik po të kemi parasysh tipologjinë që kanë 17 zonat e tjera. Por cilat janë zonat e mëparshme që kanë përparësi zhvillimin e turizmit?

1. Mali i Dajtit – Bizë – Martanesh – Qafështamë- Krastë, me sipërfaqe 643,48 km²;

2. Liqenet e Prespës dhe Ohrit, me sipërfaqe 589,97 km²;

3. Lurë – Dejë, me sipërfaqe 200,95 km²;

4. Shebenik – Jabllanicë, me sipërfaqe 339,24 km²;

5. Vargmali i Moravës, me sipërfaqe 169,57 km²;

6. Liqeni i Ulzës, me sipërfaqe 42,03 km²;

7. Kanionet e Nivicës, me sipërfaqe 125,78 km²;

8. Pllaja e Dumresë, me sipërfaqe 243,73 km²;

9. Korab – Koritnik, me sipërfaqe 555,98 km²;

10. Korçë, me sipërfaqe 34,99 km²;

11. Alpet, me sipërfaqe 1238,67 km²

12. Brezi Bregdetar, me sipërfaqe 1518,95 km²;

13. Kanionet e Osumit, me sipërfaqe 55,59 km²;

14. Rinasi, me sipërfaqe 15,31 km²;

15. Lugina e Vjosës – Zagori, me sipërfaqe 441,19 km²;

16. Mali i Tomorrit, me sipërfaqe 260,85 km²

17. Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna, me sipërfaqe 419,03 km²

Por cilat janë arsyet që një zonë shpallet me përparësi zhvillimin e turizmit. Janë të paktën pesë arsyet:

Së pari, nxitja e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm, duke koordinuar dhe duke orientuar investimet publike e nxitur nga investimet private në këto zona.

Së dyti, arritja e ekuilibrit mes zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së pasurive natyrore, kulturore dhe historike.

Së treti, përdorimi dhe menaxhimi i qëndrueshëm i zonave, përmes hartimit të planeve të detajuara të zhvillimit e veprimit për secilën prej tyre;

Së katërti, hartimi dhe implementimi i politikave të veçanta nxitëse për secilën zonë.

Së pesti, rritja e cilësisë së shërbimeve turistike duke kontrolluar zhvillimin dhe duke nxitur investime në struktura akomoduese me 4-5 yje, në përshtatje me karakteristikat natyrore të zonave.

 

Hotelet me 5 yje në Bulevardin e ri dhe politika fiskale lehtësuese

Në vitin 2017, në një dalje të përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, kur u vendos edhe pllaka e parë e projektit, u tha se zona do të ketë një zhvillim dinamik dhe se do të ndërtoheshin edhe hotele me 5 yje. “Për të shuar kuriozitetin e hamendësive, Bulevardi i Ri do jetë një hapësirë zhvillimi, ku do të kemi edhe hotelet me 5 yje. Sot kemi një grup ambasadash që duan të zhvendosen këtu.

Do t’i lutesha kryeministrit Edi Rama ta konsiderojë si vend ideal për një seli të ardhshme apo për ministri të ardhshme” do të shprehej në atë kohë” kryebashkiaku Veliaj. Zhvillimi i hoteleve me 4 dhe 5 yje ka marrë hov viteve të fundit, për shkak të lehtësive që u jepet nëpërmjet një pakete që qeveria miratoi në vitin 2018.

Kjo parashikonte se të gjithë ata investitorë që do të aplikojnë dhe do të marrin statusin special për strukturë akomoduese 4 dhe 5 yje dhe do ta shoqërojnë këtë me një emër brand ndërkombëtar, do të kenë zero taksë në infrastrukturë vetëm për hotelet me 5 yje, zerim të tatimfitimit për një periudhë 10-vjeçare, ulje të TVSH-së në 6% edhe për furnizimin e shërbimeve të tjera që ofrohen në hotel përveç shërbimit të fjetjes si dhe zero taksë për ndërtesën.

Efektet e përjashtimit nisin nga momenti i fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit, me kushtin që ata ta kenë përfituar statusin special deri në dhjetor të vitit 2024./N.Maho

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of