Pas disa muaj pushim, nis viti i ri shkollor në Kosovë

14/09/2020 9:27 AM 0 komente

Në shkollat e Kosovës sot nis viti i ri shkollor. Të gjithë janë të obliguar të bartin maska dhe Ministria e Arsimit ka ndarë rreth një gjysmë milioni maska në shkolla në Kosovë. Mësimi në shkollat e Kosovës është mbajtur në formë online që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 në muajin mars.

Pas një pushimi prej disa muajsh, sot në shkollat e Kosovës do të fillojë faza e parë e vitit të ri shkollor.

Bazuar në vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21 në kushte pandemie, ora e parë e mësimit, në të gjitha shkollat e Kosovës, do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë COVID-19.

MASH ka propozuar që më datën 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës. Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore. Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online/në distancë.

Të gjithë janë të obliguar të bartin maska dhe MASH ka ndarë rreth një gjysmë milioni maska në shkolla në Kosovë.

Përpos maskave të siguruara nga DKA-të, partnerët, donatorët dhe vetë shkollat, MASH dhe Qeveria e Kosovës ka ndarë dhe ka planifikuar një pjesë të buxhetit për maska, mjete tjera mbrojtëse dhe dezinfektuese, kështu që shkollat do të kenë fond rezervë të maskave, ka bërë të ditur MASH.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të jetë shumë strikte në vlerësimin e masave, respektimin e udhëzuesve e protokolleve për të ngritur disiplinën dhe për ta ruajtur shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve dhe të qytetarëve të Kosovës.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se institucionet arsimore tashmë janë pastruar, dezinfektuar dhe në to janë vendosur udhëzues se si nxënësit dhe mësimdhënësit të sillen gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Në rast nevoje është paraparë angazhimi për normë plotësuese rreth 1,000 mësimdhënës për nëntë muaj. Treqind mësimdhënës me gjendje të rëndë shëndetësore do të jenë jashtë procesit dhe do jenë të mbuluar financiarisht, 100 punëtorë teknikë të mirëmbajtjes, e kështu më radhë. Janë ndarë mjete dhe është në proces blerja e pajisjeve të teknologjisë për nxënësit të cilët kanë mungesë dhe qasje në procesin mësimor në formën online”.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Çdo nxënës duhet të sigurojë maskën personale e cila përdoret gjatë gjithë kohës së qëndrimit në ambientet shkollore. Dezinfektimi i duarve duhet të bëhet pas çdo hyrje dhe dalje nga klasa, sipërfaqet dhe tavolinat duhet të pastrohen rregullisht me dezinfektues sipërfaqësor si dhe udhëzime të tjera.

Ministria e Arsimit ka paraparë që viti i ri shkollor të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A parasheh rikthimin në ambientet shkollore të nxënësve. Skenari B apo mësimi i kombinuar, parasheh rikthimin e pjesshëm me mësim të kombinuar -prezencë dhe mësim në distancë dhe skenari C është mësimi në distancë.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Kosova ka mbyllur institucionet arsimore në muajin mars, kur u paraqitën edhe rastet e para me coronavirus.  Mësimi më pas është zhvilluar përmes platformave online dhe mësimeve të transmetuara në televizionin publik.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of