Pas goditjes së e-Albania, platformën që menaxhon platformat qeveritare, hackerat kanë sulmuar sistemin TIMS, që menaxhon kontrollin e kufijve.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama. “Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, shkroi kryeministri në Twitter.
Dy ditë më parë qeveria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Sulmi kibernetik i cili nxori jashtë funksionit përkohësisht platformën digjitale e-Albania dhe disa faqe te tjera zyrtare është kryer nga Republika Islamike e Iranit, deklaroi kryeministri Edi Rama.
“Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.