Një nga fermat e mëdha në zonën e Divjakës, që ka përfituar statusin e investimit strategjik, duket se do të diversifikohet edhe drejt sektorit energjetik.
Një aplikim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për një impiant fotovoltaik, me kapacitet të instaluar 78.5 MW që nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, përfshin në grupin e aksionerëve edhe grupin Agro Iliria.
Bëhet fjalë për aplikimin e shoqërisë a “Agro Iliria Solar” SH.P.K e cila ka në listën e saj të aksionerëve disa palë.
Konretisht Agro Iliria Group me 34 për qind të aksioneve, shoqëria “RRUGA URA ASFALTIM NR.2 ELBASAN” me 33 për qind të aksioneve, ortakët e tjerë Ilir Hoxhallari, Ermal Koka dhe Yusuf Gogdemir me secili 11 për qind. Administrator i kompanisë është ndërtuesi Ilir Trebicka.
Dy vitet e fundit nxitur edhe nga kriza e energjisë ku çmimet në bursa kanë qenë jashtëzakonisht të larta investitorët kanë kthyer vëmendjen drejt energjisë kryesisht në fotovolatikë që po njeh në rritje të shpejtë në vend.
Pikërisht kjo ka shtyre që kompani ndërtimi, teknologjie apo aktivitete të ndryshme të orientohen drejt diversifikimit të portofolit të tyre edhe në energji duke e parë si të leverdishme.
Investimi në fermën me goji berry
Në vitin 2018, Këshilli i Investimeve Strategjike, miratoi dhënien e statusit për një fermë më goji berry në zonën e Divjakës ku sipërmarrësi i ndërtimit Ilir Trebicka dhe ortaku Shpëtim Oseku ishin aksionerë me 50 për qind.
Plani i zhvillimit ishte për 800 hektarë Kjo fermë në fillim planifikoi prodhimin e kulturave si goji berry e shega, që tashmë kanë hyrë në prodhim, por edhe avokado dhe finger lime që pas disa viteve eksperiment rezultuan jo të përshtatshme për kultivim në tokë të kripur.
Me një tjetër aplikim në vitin 2020 kompania mori statusin duke shtuar tre kultura të reja të përshtatshme për kultivim siç janë rrushi, dardha dhe kivi. I njëjti vendim miratoi edhe planin për një argotizëm brenda fermës me një sipërfaqe 131 hektarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.