Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka njoftuar se janë ndarë mjetet për pagën e muajit janar për punëtorët e kombinatit Trepça.
Sipas MEA-së, punëtorët gjatë ditës pritet t’i marrin pagat e tyre.
“Procedurat e pagesës së mjeteve marrin pak kohë dhe sapo jemi njoftuar se tashmë janë kryer pagesat dhe punëtorët e Trepçës sot gjatë ditës pritet t’i marrin pagat e tyre. Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka ndihmuar Trepçën. Në nëntor të vitit të shkuar, Qeveria kishte ndarë 1.1 milion për këtë ndërmarrje”, thuhet në njoftim.
Ndarja e këtyre mjeteve financiare vjen pasi punëtorët e Trepçës kishin hyrë në grevë për shkak të vonesës së pagës së muajit janar.
Gjithashtu, disa herë punëtorët e kombinatit Trepça kanë pasur vonesa në marrjen e pagave.
https://www.monitor.al/mbi-700-minatore-te-trepces-hyjne-ne-greve/
Edhe ditën e sotme minatorët e Trepçës dhe të Kishnicës kanë vazhduar grevën në kërkim të pagave për muajt janar dhe shkurt.
Gani Osmani nga Sindikata e Re e Trepçës ka treguar se kushtet e minatorëve janë përherë të vështira, por kërkesa aktuale e vetme është ajo për pagesën e pagave.
“Ne jemi duke pritur që të realizohet zotimi që ka dhënë Qeveria”, ka thënë ai teksa ka shtuar se të gjithë punëtorët janë në vendin e tyre të punës, por vetëm duke qëndruar.
Kombinati Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punëtorëve të kësaj ndërmarrje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.