Intervistë me Redi Martiri, Drejtor i Departamentit të Shitjeve për Individë në Union Bank
Ndikimi i krizës te kërkesa për kredi konsumatore është i moderuar dhe ka prekur kryesisht produkte të veçanta. Redi Martiri, drejtor i Departamentit të Shitjeve për Individë në Union Bank, thotë për revistën “Monitor” se pas rihapjes së ekonomisë, kërkesa për kredi konsumatore ka shfaqur tendencë të kthimit në normalitet.
Sipas tij, banka ka vijuar kredidhënien, pa rritje të interesave apo të komisioneve, por me rritjen e kujdesit të klientëve që punojnë në sektorë, të cilët mund të jenë të ekspozuar ndaj një mbylljeje të dytë. Pas mbylljes së moratoriumit, shumica e klientëve u janë kthyer pagesave dhe cilësia e portofolit nuk duket të ketë pësuar përkeqësim të ndjeshëm.
Në fakt, kërkesa për kredi konsumatore nuk ka pasur ndikim të ndjeshëm nga efekti i pandemisë, me përjashtim të periudhës së kufizimit të lëvizjeve në prill-maj 2020.
Në përgjithësi, mund të themi se është reduktuar kërkesa për qëllime të caktuara, si p.sh., kredi konsumatore për pushime apo për studime jashtë vendit. Tani duket se individët po tentojnë t’i rikthehen normalitetit.
Keni ndërmarrë shtrëngime të ofertës, qoftë përmes kritereve të kreditimit ose rritjes së normave të interesit për kredinë konsumatore?
Këtu duhet të theksoj se Union Bank nuk e ndërpreu në asnjë moment kreditimin për individë, pra, vazhdoi të ofrojë produktet e kredisë për këta klientë. Njëkohësisht, Union Bank nuk ka aplikuar rritje të normave të interesit apo komisioneve të lidhura me kredinë.
Sidoqoftë, kemi shtuar kujdesin dhe vazhdojmë ta tregojmë ndaj klientëve individë të punësuar në sektorë që mund të kenë potencial mbylljeje, në rast përkeqësimi të situatës.
Prisni ndikime afatgjata në portofolin e kredisë konsumatore nga rritja e papunësisë, sidomos në produkte specifike të lidhura direkt me llogaritë e pagave, si overdraftet?
Pavarësisht se është e vështirë të bëhet një parashikim i saktë, mund të themi se ndikimi është i lidhur me situatën në vend dhe me ecurinë e përhapjes së sëmundjes. Nëse situata do të jetë nën kontroll, produktet e kredisë konsumatore do të ofrohen të pakufizuara, kuptohet për atë kategori klientele që tregon se ka aftësi paguese të kredisë.
A është reflektuar kriza në cilësinë e portofolit të kredisë konsumatore? Çfarë efektesh prisni deri në fund të vitit dhe në pjesën e parë të vitit 2021?
Gjatë periudhës së kufizimit të lëvizjes u shtua numri i klientëve që nuk paguanin këstet e kredive. Disa për pamundësi lëvizjeje ose ardhjeje në bankë, disa të tjerë për paaftësi paguese, si pasojë e humbjes së vendit të punës. Për fat të keq, sidomos në muajt e parë, ishte edhe një kategori e tretë shumë e madhe në numër, e cila mori të mirëqenë që kreditë do të shtyheshin automatikisht dhe interesat do të faleshin. Me kalimin e kohës kjo kategori e fundit, e paprekur nga efekti COVID-19, u rikthye në pagesa të rregullta të kredive.
Njëkohësisht, shumica e individëve u rikthyen gradualisht në punë, rrjedhimisht aftësitë paguese u rikuperuan. Në muajt që vijnë, nëse situata mbahet nën kontroll, do të vazhdojmë të aplikojmë një trajtim individual për klientët të cilët tregojnë paaftësi paguese, duke u ofruar alternativa lehtësuese me qëllim gjetjen e zgjidhjes më të mirë për klientët dhe për bankën.
Sa e ndiejnë bankat konkurrencën e institucioneve të mikrofinancës në produktet e kredisë konsumatore? A e ka ndikuar qasjen tuaj ndaj këtij segmenti të tregut zgjerimi i kompanive që ofrojnë kredi të shpejta? Nëse po, në ç’mënyrë?
Sigurisht që konkurrenca ndihet, por mund të themi se ajo është më e butë në krahasim me konkurrencën bankare. Kjo sepse segmenti i klientelës që trajtojnë institucionet e mikrofinancës është kryesisht më pak formal dhe nuk preferohet nga bankat.
Ndërkohë, shpejtësia e trajtimit të rasteve nga këto kompani na ka ndihmuar dhe ne si bankë për t’u përmirësuar në këtë drejtim, duke kërkuar më pak dokumentacion apo duke zbatuar alternativën e marrjes së informacioneve në mënyrë elektronike, gjithmonë duke u treguar shumë të kujdesshëm në menaxhimin e riskut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.