Emergjenca Covid -19 nuk e ka penguar qeverinë të vijojë programin e investimeve publike me ritme më të shpejta se edhe periudhat normale. Banka e Shqipërisë raportoi sot se investimet totale regjistruan rritje 4.1% në tremujorin e tretë të vitit 2020, për herë të parë pas katër tremujorësh rënie.
Banka analizon se rritja është kontribut i shpenzimeve të qeverisë për investime, pasi ky zë në sektorin privat ka shënuar rënie.
“Kthimi i investimeve në territor pozitiv ka reflektuar rritjen e shpenzimeve kapitale publike, ndërsa investimet private vlerësohen me rënie dhe në tremujorin e tretë”, vlerëson Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, mbështetja e qeverisë për ekonominë në gjysmën e dytë të vitit 2020, ndryshe nga gjysma e parë, u manifestua në rritje të investimeve publike, ndër të tjera të destinuara për rindërtimin e banesave e infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti. Në gjashtë muajt e parë, rritja e shpenzimeve u drejtua tërësisht nga transfertat direkte të qeverisë për individët, të cilat vlerësohen në 1% të PBB-së deri në fund të muajit nëntor.
Rritja e investimeve totale u drejtua si nga rritja e investimeve në ndërtim ,ashtu edhe në investime në makineri dhe pajisje. Rritjet vjetore të vlerës së shtuar në ndërtim dhe të importit të mallrave kapitale ishin, përkatësisht, 8.7% dhe 12.3% në tremujorin e tretë të vitit 2020.
Banka analizon se, tregues sasiorë paraprakë dhe rezultatet e përftuara nga vrojtimet sugjerojnë se komponenti i investimeve do të vijojë të kontribuojë pozitivisht në rritjen ekonomike të tremujorit të katërt.
Rritja e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, veçanërisht në sektorin prodhues, është faktor nxitës në vendimmarrjen e bizneseve për kryerjen e investimeve të reja.
Importi i mallrave kapitale dhe i materialeve që përdoren në ndërtim regjistruan rritje, duke sugjeruar zgjerim të investimeve në të dyja këto kategori. Gjithashtu, vlera e lejeve të ndërtimit të miratuara, si një tregues paraprijës i investimeve në ndërtim, është rritur gradualisht gjatë nëntëmujorit të parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.