Kryeministri italian Giuseppe Conte ka dhënë dorëheqjen, pas kritikave për trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit.
Më shumë se 85 mijë italianë kanë vdekur nga virusi deri më tani.
Conte shpreson që t’i jepet një mandat nga presidenti për të formuar një qeveri më të fortë, pasi humbi shumicën e tij në Senat.
Nëse ai nuk e bën këtë, detyra mund të bjerë mbi dikë tjetër dhe nëse as kjo nuk ndodh, do të mbahen zgjedhje të reja.
Conte, i cili ka drejtuar dy qeveri të koalicionit që nga viti 2018, do të takojë sot Presidentin Sergio Mattarella, i cili duhet të vendosë për ecurinë e qeverisë.
Mëngjesin e sotëm Conte i konfirmoi kabinetit dorëheqjen e tij. Conte i mbijetoi një votëbesimi në Dhomën e Deputetëve, javën e kaluar, por pa shumicën absolute.
Votëbesimi u thirr pasi ish-Kryeministri Matteo Renzi tërhoqi partinë e tij të vogël “Italia Viva” nga koalicioni dhe tha se ai do të kthehej vetëm nëse Conte pranonte një listë të kërkesave.
Ai kundërshton planet e Conte-s për shpenzimin e 209 miliardë eurove nga fondi i rimëkëmbjes së Bashkimit Europian për krizën e Covid-19./BBC