Nuk është ende shumë e largët panorama kur kontrollorët e kompanisë shtetërore Albcontrol në muajin prill “bllokuan” tërësisht aktivitetin në aeroportin e vetëm të vendit në atë kohë. Ata deklaruan paaftësi për të punuar për shkak se ishin të pakënaqur me reduktimin e pagave.
Situata e cila u përshkallëzua brenda dy ditësh, ktheu vëmendjen e gjithë opinionit publik në një ngjarje të paprecedentë ku shteti u gjet i papërgatitur.
Por duket se gjithçka tashmë është lënë pas dhe Albcontrol është bërë optimist nga zhvillimet e këtij sezoni. Në një njoftim në faqen e vetë kompanisë thuhet se aktualisht për verën po përpunohet 20 për qind më shumë trafik ajror sesa viti 2019 që është viti më i mirë për aviacionin civil në Shqipëri. Në këtë kontekst nuk është harruar pa u përfshirë edhe nisja e operimit në Aeroportin e Kukësit.
“Pas një viti të vështirë 2020, ku i gjithë aviacioni, si pjesa tjetër e botës u prek nga pandemia, operimet janë kthyer në normalitet dhe po punohet për të përballuar me sukses fluksin e sezonit.
Aktualisht në Aeroportin e Rinasit, nga mbi -50% që ishte niveli i trafikut në muajt e parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, po përpunohet rreth 20% më shumë trafik se sa viti 2019, i cili ka qenë viti më i mirë për aviacionin civil në Shqipëri.
Këtë vit kemi pasur dhe një shërbim të shtuar, Aeroportin e Kukësit për të cilin “Albcontrol” sha është certifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Në përputhje me standardet ndërkombëtare, Aeroporti i Kukësit po operon normalisht tashmë prej disa kohësh” thuhet në reagimin e Albcontrol.
Ky i fundit sjell në vëmendje edhe faktin që pavarësisht shtimit të trafikut ajror është bërë e mundur që t’u ofrohet shërbim në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, edhe helikopterëve të ushtrisë dhe helikopterëve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri në ndihmë të shuarjes së flakëve në zonat e nxehta.
Si lindi kriza e prillit
Zanafilla e deklarimit të paaftësisë për të punuar nga punonjësit e Albcontrol në muajin prill ishte reduktimi i pagave përgjatë vitit të pandemisë si dhe vazhdimit të saj edhe këtë vit në kushtet kur ende vazhdonin kufizimet. Në atë kohë qeveria do të deklaronte se për shkak të punës dhe përgjegjësisë që kanë kontrollorët e trafikut ajror deri në vitin 2019 kanë pasur paga që arrinin edhe në shifrën 440 mijë lekë. Këto paga vendosen në marr veshje të plotë me IATA dhe ofruesit e navigimit pra Albcontrol. Këto paga ishin thuajse përgjysmuar pas një vendimi të Këshillit Mbikëqyrës ashtu sikurse ishin ndalur dhe investimet për shkak të vështirësisë financiare. /N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.