Të hënën, presidenti i Ferrari, përshëndeti planet për të përjashtuar makinat që përdorin karburant elektrik nga eliminimi gradual i automjeteve me motor me djegie të brendshme nga Bashkimi Europian në vitin 2035, të cilat do t’i japin prodhuesit të makinave luksoze “liri më të madhe” në fuqinë e tij të sistemeve.
Bashkimi Europian dhe Gjermania arritën një marrëveshje që lejon shitjen e automjeteve të reja me motor me djegie (ICE) edhe pas përfundimit të afatit më 2035 apo 2036 për të ashtuquajturit prodhues me vëllime të vogla si Ferrari, nëse përdorin karburante elektrike me emetime zero.
“Lajmi i mirë për ne si kompani (…) është që, përtej automjeteve elektrike, mund të vijojmë të prodhojmë edhe ato me motor me djegie të brendshme” – deklaroi CEO i Ferrari, Benedetto Vigna, për Reuters Newsmaker.
“Për ne është një vendim mjaft interesant, pasi lejon makinat me djegie të brendshme të vijojnë edhe pas vitit 2036” – shtoi ai.
Ferrari, që njihet për motorët e tij të fuqishëm me benzinë, po prodhon tashmë makina hibride plug-in dhe ka premtuar makinën e parë tërësisht elektrike në vitin 2025.
Megjithatë, Ferrari, që ka shitur më shumë se 13.200 automjete në vitin 2022, nuk ka ofruar kurrë një udhërrëfyes për kalimin tek makinat tërësisht elektrike.
Gjatë prezantimit të planit të ri të biznesit vitin e kaluar, Ferrari deklaroi se brenda vitit 2030, modelet tërësisht elektrike dhe hibride do të përbëjnë 80% të gamës së saj, ndërsa 20% e automjeteve do të përdorin ende motor me djegie të brendshme.
“Kjo nuk do të ndryshojë – tha Vigna. – Nuk duam t’u themi klientëve se cilat makina të përdorin. Ne duam të vëmë në dispozicion të tyre tre tipe makinash – hibride, elektrike dhe ICE – dhe ata do të zgjedhin”.
Shpenzime të pandryshuara
Vigna siguroi investitorët se planet e investimit të kompanisë nuk do të ndikohen nga zgjatja e jetëgjatësisë së motorëve me djegie, pasi Ferrari tashmë e kishte “përfshirë” këtë skenar në planin e biznesit.
“Shifra që ju dhashë (vitin e kaluar) 4,4 miliardë euro (4,7 miliardë dollarë) për investimet në periudhën 2022-2026 – është e mjaftueshme për të ecur përpara me elektrifikimin, por edhe me automjetet me motor me djegie të brendshme që përdorin karburante elektrike” – tha Vigna.
Vigna tha se modeli i ardhshëm elektrik i Ferrari do të jetë “një makinë unike”, por nuk dha detaje, duke shtuar se “ruajtja e sekretit është pjesë e recetës”.
Ai deklaroi se çmimi i karburanteve elektrike apo lëndëve djegëse sintetike do të ulet gradualisht me zhvilimin e tyre në vitet e ardhshme. “Janë një teknologji e re, dhe si gjithë teknologjitë e reja kanë kohë për t’u bërë më ekonomike” – tha Vigna.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.