Kompania nën të cilën operoi Lotaria Kombëtare për 10 vite të këtij koncesioni ka ndryshuar emrin e saj tregtar si dhe objektin e aktivitetit.
Duke akumuluar ndër vite një humbje që kapi në fund të vitit 2022 vlerën 3.4 miliardë lekë apo rreth 30 milionë euro, duket se austriakët që ishin mbajtës të kësaj kontratë kanë vendosur të mos lobojnë për zgjatje të afatit sikurse po shihet rëndom me kontratat e koncesioneve që përfundojnë. Raporti i auditit i kompanisë për bilancin e vitit të shkuar nënvizon se numri i punonjësve u ul ndjeshëm duke sinjalizuar mbylljen e aktivitetit.
“Ne tërheqim vëmendjen në lidhje me shënimin 2.c që shpjegon se Shoqëria ka patur një humbje neto prej 122,796,978 Lekë gjatë vitit të mbyllur më 31 dhjetor 2022 (314,238,934) Lekë gjatë vitit të mbyllur më 31 dhjetor 2021) dhe një humbje të akumuluar prej 3,421,345,433 Lekë në 2022 (2021: 3,298,548,455 Lekë).
Në datë 3 Prill përfundon afati i licencës së Lotarisë Kombëtarë dhe Shoqëria është e detyruar të ndalojë operimin në treg. Shoqëria ka filluar procedurat e përfundimit të marrëdhënieve te punësimit për shumicën e punonjësve të saj dhe ka zhvlerësuar aktivet e saj afatgjata deri ne vlerën e tyre të rikuperueshme.
Kjo ngjarje tregon se ekziston një pasiguri që mund të hedhë dyshime mbi aftësinë e Shoqërisë për të vazhduar si biznes në vijimësi. Aftësia e Shoqërisë për të vazhduar në vijimësi varet nga mbështetja e vazhdueshme e aksionarëve të saj. Opinioni ynë nuk është i modifikuar përsa i përket kësaj çështjeje” thuhet në raportin e auditit.
Kompania ndryshon objektin e aktivitetit
Në 7 shtator 2023 kompania ka ndryshuar emrin e saj duke e kaluar atë nga “Lotaria Kombëtare” në “LK Invest”. Numri i aksioneve sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit është bërë nga “257.094” në “1” ndërsa ka ndryshuar në mënyrë thelbësore objekti i aktivitetit.
Teksa më herët nënvizohej përfshirja direkte në lojërat e fatit(edhe objekti aktual nuk e përjashton këtë), në plan të parë duket se është konsulenca për lojërat e fatit sipas ligjit në territorin shqiptar.
Konkretisht objekti i ri i aktivitetit është “ (“Aktiviteti në fushën e konsulencës për operimin e çdo njërës dhe/ose të gjitha lojërave te fatit të autorizuara për t’u luajtur sipas Ligjit Shqiptar për Lojërat e Fatit, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe/ose lojërave të tjera të fatit të autorizuara për t’u luajtur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; tregtim pajisjeve / aparaturave /produkteve të lojërave të fatit; mbështetje dhe konsulencë në krijimin e produkteve/lojërave për kategoritë e autorizuara të lojërave të fatit.”
Ndërkohë objekti i aktivitetit vijon edhe me tregimin e pajisjeve apo element të tjerë të lidhet direkt dhe indirekt me këtë fushë.
Kujtojmë që aktualisht debati për lojërat e fatit në vend është ende i nxehtë pas rikthimit të tyre ndërkohë që është duke u plotësuar korniza ligjore që do t’i hapë dritën e gjelbër të funksionimit të plotë të tyre. Aktualisht debatet janë përqendruar në Kuvend.
Albanisch Osterreichische Lotterien Holding e mori licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare në vjeshtën e vitit 2012, ndërsa ajo u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars 2013 dhe ishte një kontratë 10 vjeçare e formës së partneritetit publik privat. /N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.