Pas rënies vitin e kaluar, rimëkëmben eksportet e frutave dhe perimeve, rriten me 30% në 8-mujor

19/09/2019 9:52 AM 0 komente

Eksporti i frutave dhe perimeve u rimëkëmb këtë vit pas dobësive të theksuara vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të INSTAT gjatë periudhës 8-mujore u eksportuan 6.4 miliardë leke fruta -perime me një rritje 30 për qind në raport me një vit më parë. Në vitin 2018 për shkak të dobësive në prodhimin eksporti i këtyre prodhimeve pësoi rënie vjetore 7 për qind.

Perimet dhe zarzavatet zunë peshën kryesore të eksporteve me 75 për qind ose 4.9 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër prej 25% ose 1.4 për qind ishin perimet.

Arsyet themelore që çuan në rritjen e eksporteve sipas bujqve ishte sezoni i mbarë për shkak të klimës jo ekstreme këtë vit dhe gjithashtu rritja e sipërfaqeve të mbjella me perime e zarzavate në krahasim me vitin 2018.

Zhvillimet në tregtinë e jashtme të frutave dhe perimeve reflektojnë ecurinë e prodhimit vendas. Për shembull, në vitin 2017, kur prodhimet vendase arritën kulmin, tregtia me jashtë për herë të parë që nga viti 1990 shënoi suficit në fruta dhe perime, por ndërkohë fitimet e fermerëve në masë u përkeqësuan për shkak të shitjeve nën kosto në tregun vendas.

Superprodhimi në 2017 çoi në reduktimin e sipërfaqeve të mbjella me 2018, e për pasojë edhe në rënien e eksporteve vitin e kaluar. Mungesa e orientimit në bujqësi ka krijuar shpesh flluska në prodhim që ndikuar për keq fitimet e fermerëve.

Flluskat në bujqësi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, kryesisht nga mungesa e orientimit dhe informacionit mbi nevojat e tregut.

Shumica e prodhuesve bujqësorë nuk punojnë me kontrata të rregullta dhe mbjelljet bëhen nisur nga tradita dhe mundësitë se sa kërkesa që udhëhiqet nga tregu. Vitin e kaluar, pati superprodhim të qepës dhe patates, për të cilat çmimi i shumicës shpesh ishte 10-20 lekë. Fitimet e fermerëve nga shitjet nuk mbuluan as kostot.

Bujqit prodhues kanë ngritur tre shqetësime madhore për vitin 2019: çmimet e larta të naftës, çmimet e larta të inputeve bujqësore dhe mungesën e tregut.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of