Kompania me pronësi shqiptare e telefonisë së lëvizshme në vend, Plus Communication ka marrë sot njoftimin nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) se ka kaluar raundin e parë të vlerësimit për licencën 3G (e drejta e përdorimit me dy blloqe, Blloku A+Blloku B, 2×5 MHz secili).
Plus Communication ka fituar 100 pikë në procedurën e hapur për licencën 3G. Kompania mori pjesë në Tenderin Publik me procedurë të hapur nga AKEP në 15 Shkurt 2016, për të marrë të drejtën e përdorimit në spektrin e frekuencave 3G, përkundrejt pagesës 2,088,066 EUR sipas tarifës së përcaktuar nga AKEP.
Sipas rregullores, palët kanë afat deri në 5 ditë për të paraqitur ankesat dhe më pas AKEP do të marrë vendimin përfundimtar.
“Marrja e licencës 3G e bën Plus Communication shumë më konkurruese, sepse kompania tashmë ka çmimet më të mira për konsumatorët dhe i jep vlerë të shtuar që klientët të kenë internet shumë të shpejtë dhe të sigurt”, tha Matilda Shehu, drejtore e Plus Communication.
Ajo shton se kompania pritet që për herë të parë të dalë me një fitim modest këtë vit.
Plus Communication është operatori i katërt i telefonisë celulare në vend, që filloi aktivitetin në nëntor 2010, duke rritur ndjeshëm konkurrencën në këtë treg dhe duke mundësuar uljen e tarifave për konsumatorët. Për shkak të konkurrencës së lartë dhe mungesës së rregullimit të tregut, Plus nuk ka arritur të dalë asnjëherë me fitim deri tani.
Ristrukturimi i kredisë
Në dhjetor të vitit të kaluar, Plus ristrukturoi një hua me një balancë rreth 38 milionë euro (së bashku me interesat). Sipas burimeve nga kompania, ristrukturimi i huasë u mundësua përmes hyrjeve nga aksionerët. Aktualisht Plus ka një prej balancë kredie prej 6.5 milionë eurosh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
ky eshte lajm I mire per kompanine po kush e di edhe sa kohe do duhet qe klientet te perfitojne nga sherbimi.