Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkarkuar bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Pas këtij veprimi ka reaguar kryeministri, Albin Kurti, duke treguar se është hapur rruga për themelimin e Fondit Sovran. Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë dhe korrupsion.
Me 65 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës ka shkarkuar bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkaq, deputetët nuk kanë miratuar raportin vjetor të kësaj agjencie.
Pas shkarkimit të këtij bordi, ka reaguar kryeministri, Albin Kurti.
Shefi i Qeverisë tha se ky është vetëm hapi i parë drejt shuarjes së këtij institucioni, gjë që hap rrugën për themelimin e Fondit Sovran.
Ai shtoi se Qeveria sot është autorizuar që të propozojë një bord të ri para Kuvendit.
“Të mirat vijnë ngadalë, por të këqijat duhen ndalur shpejt. Sot Kuvendi votoi për shkarkimin e bordit të AKP-së, që të ndalet tjetërsimi e zhvatja. Ky është vetëm hapi i parë drejt shuarjes së këtij institucioni, gjë që hap rrugën për themelimin e Fondit Sovran. Si Qeveri, sot po ashtu jemi autorizuar që të propozojmë një bord të ri para Kuvendit, bord i cili do të ketë një mandat të ri, në përputhje me strategjinë zhvillimore të Qeverisë sonë”.
Gjatë ditës së djeshme me kërkesën e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës, është diskutua për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe shkarkimi i bordit të kësaj agjencie.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca tha se qeveria duhet t’i propozojë kuvendit përbërjen e re të AKP-së.
Pas vendimit të kuvendit, Bajram Zejnullahu, kryesues i bordit tashmë të shkarkuar ka thënë se gjatë periudhës sa ai ka udhëhequr bordin e kësaj agjencie, nuk ka pasur asnjë skandal që të etiketohen si ‘hajna’, ashtu siç i quajti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk kam koment, as unë e as familja ime nuk jemi etiketuar si hajna. Nuk di a ka argumente që na argumenton ai (kryeministri Kurti) si hajna. Për sa vite jam aty, nuk kemi pasur asnjë skandal të vetmit. Unë e kuptoj shumë mirë, politikisht të shkarkon dhe jemi në rregull. Por, në këtë formë me etiketime, nuk e kuptoj”.
Ndërkaq, Komisioni parlamentar për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti pas shqyrtimit të raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), i rekomandoi Kuvendit të Kosovës mosmiratimin e këtij raporti dhe shkarkimin e bordit të agjencisë.
Ky Komision, po ashtu i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të propozojë përbërjen e re të bordit të AKP-së.
Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se AKP-ja nuk i ka shërbyer ekonomisë së Kosovës dhe ka pasur performacë të dobët në raport me investimet për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.
Ajo ka thënë se mbi 90 për qind e ndërmarrjeve të privatizuara janë kthyer në depo apo hapësira për ndërtim. Një degradim i veçantë, sipas saj, ka ndodhur edhe me tokën bujqësore.
Kurse, shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se për ta shuar AKP-në duhet të ndryshohen të paktën dy ligje, përkatësisht Ligji për AKP-në dhe Ligji për dhomën e posaçme të Gjykatës së Apelit.
“Kë dëshiron ta mbyllësh. Nuk mund të mbyllësh pa i ndërruar këto ligje. Duhet të dihet e çfarë do të ndodhë me këto 20 mijë raste. Për të ditur, duhet analizë sepse ka shumë palë të përfshira dhe për këto 20 mijë raste janë qindra miliona euro në pyetje që mund t’i humbë Kosova”, tha Gashi.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelrad Tahiri tha se emërimi i një bordi të ri që thuhet se do të ketë mandat shuarjen e AKP-së, nuk mund të bëhet pa ndryshuar Ligjin për AKP-në.
“Për të shuar dhe për t’ia ndërruar mandatin AKP-së, atëherë do të duhej të procedohej ligji i cili do të propozonte në dispozita kalimtare edhe një bord të përkohshëm, i cili do të kishte mandatin e qartë, pra përmbylljen e punës së AKP-së, një proces i rëndësishëm. Këtë bord që do ta votoni sot, nesër … nuk mund të kryejë një punë të tillë sepse nuk e lejon ligji, dhe në momentin që del përtej këtyre kornizave ligjore, ata (anëtarët e bordit) bëjnë vepër penale”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës tha se bordi i AKP-së duhet të shkarkohet, me qëllim të emërimit të një bordi të ri, i cili sipas tij, do të fillojë me procedurat për shuarjen e këtij institucioni.
“Që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme të shkarkohet bordi. Dy dekada të pasluftës janë dekada të de-industrializimit nëpërmjet privatizimit dhe kjo do të marrë fund. Kjo është arsye pse na nevojitet një bord i ri që mision ka shuarjen e AKP-së”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që AKP-ja të shuhet dhe të transfermohet në agjenci brenda qeverisë dhe të krijohet Agjencia Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.
Pasuria e Kosovës, sipas planit të qeverisë do të mbrohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.
Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Në Kosovë, nga 3.951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 1.762 prona, ndërkaq të pa privatizuara kanë mbetur edhe 2.189. Këto prona, në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.
Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës të quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.
Gjatë këtij procesi janë shitur edhe toka bujqësore, industriale, komerciale dhe toka ndërtimore. Në raportin e AKP-së, të publikuar në korrik të vitit të kaluar, thuhet se janë privatizuar 840 toka të këtyre kategorive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.