Pas shkarkimit të guvernatorit, Ministri i Financave i Turqisë Albayrak jep dorëheqjen

08/11/2020 6:45 PM 0 komente

Ministri i Thesarit dhe Financave i Turqisë Berat Albayrak dha dorëheqjen të Dielën, duke përmendur arsye shëndetësore, sipas një deklarate në Instagramin e verifikuar të tij, shkruan Bloomberg.

Albayrak tha se do t’i kushtojë kohë familjes së tij pasi të japë dorëheqjen, sipas deklaratës.

Dy zëdhënës të Albayrak konfirmojnë që llogaria e mediave sociale i përket ministrit por nuk ishin në gjendje të konfirmonin ose mohonin vërtetësinë e deklaratës. Dorëheqja e ministrit pason vendimin e papritur të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të shkarkuar Guvernatorin e bankës qendrore Murat Uysal dhe për të emëruar ish-Ministrin e Financave 52-vjeçarin Naci Agbal në këtë post.

“Vendosa të mos vazhdoja detyrën time si ministër pas pesë vitesh në detyrë për arsye shëndetësore”, lexohej në deklaratën e Albayrak. “Do ta kaloj kohën time me nënën, babanë, gruan dhe fëmijët, të cilët i kam lënë pas dore për shumë vite nga nevoja.”

Albayrak, i cili është gjithashtu dhëndri i presidentit, ka qenë në kabinet që nga viti 2015. Ai shërbeu si ministër i energjisë derisa mori pozicionin më të lartë të qeverisë në ekonomi në 2018.

 

Shkarkimi i guvernatorit

Një ditë më parë, Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan shkarkoi guvernatorin e bankës qendrore të vendit dhe e zëvendësoi atë me një ish-ministër të financave pasi një rënie rekord e lirës në muajt e fundit ngriti shqetësimin e një krize valutore.

Murat Uysal kishte bërë vetëm 16 muaj nga mandati i tij katër-vjeçar në krye të bankës qendrore kur u shkarkua me dekret presidencial në orët e para të së Shtunës, pa dhënë asnjë arsye.

Uysal u kishte rezistuar kritikave nga investitorët për uljen e normave të interesit edhe pasi monedha humbi më shumë se 30 përqind të vlerës së saj ndaj dollarit këtë vit, sipas Financial Times. Kjo lëvizje u pa gjerësisht si një koncesion për z. Erdogan, i cili ka kërkuar që banka të mbajë normat e ulëta për të nxitur rritjen ekonomike, pavarësisht inflacionit dyshifror. Banka uli në mënyrë dramatike interesin bazë në 8.25 përqind nga 24 përqind gjatë një viti. Në shtator, banka qendrore ndryshoi kursin dhe rriti normat e interesit me 200 pikë bazë pasi lira filloi një rënie të madhe, por që atëherë ajo është mbështetur në instrumenta të tjera për të shtrënguar politikën monetare pa prekur normën e referimit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of