Kosova ka bërë një hap pas dhe ka pranuar të luajë me Spanjën në raundin kualifikues të Kupës së Botës 2022, pasi tha se spanjollët shprehën keqardhje, që iu referuan vendit të Ballkanit si një “territor”.
Kosova kërcënoi në fillim të kësaj jave se do të bojkotonte ndeshjen në Sevilje nëse nuk lejohen të shfaqin flamurin e tyre dhe të këndojnë Himnin kombëtar para nisjes së saj.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, së bashku me Sllovakinë, Greqinë, Qipron dhe Rumaninë.
Federata e Kosovës reagoi ashpër në faqen zyrtare, pas cilësimit “territor” në një postim në Twitter për raundin kualifikues. Por ndeshja do të zhvillohet, siç është parashikuar, më 31 mars.
“Presidenti i Federatës, Agim Ademi, mori sot një telefonatë nga Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit. Në të, RFEF (Royal Spanish Football Federation) shpreh keqardhje për lajmet e shfaqura në mediat lokale dhe konfirmon që ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet sipas rregulloreve dhe protokolleve të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshjet zyrtare” – tha Federata e Kosovës në një komunikatë, duke shtuar se zyrtarët të UEFA-s dhanë të njëjtat garanci.
Kosova dhe Spanja bëjnë pjesë në Grupin B së bashku me Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.
Burimi: Inside World Football