Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Kuvendi i Kosovës më në fund ka arritur që ta miratojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Projektligji, që nga miratimi i tij në korrik nga Qeveria e Kosovës, kishte hasur në mospajtime ndërmjet partive politike. Projektligji përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti.
Më në fund Kosova është bërë me Ligj të rimëkëmbjes ekonomike. Sot 72 deputetë votuan pro në shqyrtimin e dytë të ligjit që ishte iniciuar para gjashtë muajsh. Pos votave të partive në pushtet, pro këtij ligji votuan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Për votim në lexim të parë, ky ligj u votua vetëm në tentimin e shtatë. Atëkohë, votat i kishin dhënë edhe disa deputetë të LDK-së, që kishin thënë se nuk do ta votojnë në lexim të dytë nëse nuk plotësohet.
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka thënë që ndihet mirë që subjektet politike janë bashkuar për të votuar një Ligj esencial për jetën e qytetarëve.
“Ndihem mirë që u bëmë bashkë për të votuar një ligj esencial për jetën e qytetarët. Vlera e Pakos është 365 milion euro. Është shpërndarë më shumë se 30% e saj. Sipas FMN-së, pakoja jonë e Rimëkëmbjes Ekonomike është ndër më të mëdhat në rajon. Kemi mbërrit dy efekt: parandalimin e bizneseve nga tregu dhe që familjet të mos shkojnë drejtë varfërisë. Këtë e kemi bërë të mundur duke dhënë mbështetje tek ta”, ka thënë më tutje Hoti.
Kryeministri ka folur edhe për disa nga pikat më të rëndësishme të këtij Ligji.
“Projektligji do të krijojë një momentum të ri. Ajo çfarë është re rëndësishme është mundësia e tërheqjes së 10% të Trustit nga qytetarët e që do të mundësoj qarkullimin e mbi 200 mijë euro”.
Më tutje Hoti ka folur edhe për rëndësinë e pikave të tjera të kësaj Pakoje, si ajo për lehtësimin e qasjes në kredi për ndërmarrjet private, lehtësimi i barrës tatimore të bizneseve e të tjera.
Çfarë parasheh Projektligj dhe si do të tërhiqen paratë nga Trusti
Në njërën nga amendamentet e propozuara, e që janë miratuar në Komisionin për Buxhet dhe Transfere është rimbursimi nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.
“Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Fondin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 për qind nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek Trusti-i brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë”, thuhet në amendament.
Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.
Lidhur me këtë, zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Tahiri pas vizitës që i kishte bërë Fondit Pensional, kishte thënë se, procedura e aplikimit për tërheqjen e kursimeve do të jetë online.
“Procedura e aplikimit do të jetë e thjeshtë. Do të jepet numri personal dhe i xhirollogarisë, kjo verifikohet nga BQK-ja dhe paratë e Trustit, 10-përqindëshi do të jetë në xhirollogari të përfituesit, atij që aplikon”, kishte bërë të ditur Tahiri.
Sipas Trustit, rreth 213 mijë kontributpagues kanë deri në 1,000 euro në llogaritë e tyre, apo 33 për qind e kontribuuesve, përcjell Telegrafi. Po ashtu, deri 5,000 euro kanë 30 për qind e kontributpaguesve, apo rreth 195 mijë qytetarë.
Deri në 100 euro në llogaritë e tyre në Trust i kanë 105 mijë qytetarë. Nga numri total i kontribuueseve në Trust, 12 për qind e tyre kanë deri 10 mijë euro. Deri në 20 mijë euro në llogari kanë mbi 40 mijë qytetarë, kurse mbi këtë vlerë janë rreth 13 mijë qytetarë apo vetëm 2 për qind e kontribuueseve.
Aktualisht sipas Trustit, numri i përgjithshëm i kontribuueseve është 639,264.
Ndërsa, pjesa dërmuese e qytetarëve të anketuar, apo 74 për qind mendojnë se tërheqja e kursimeve duhet të rimbursohet nga shteti.
Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Këto janë amendamentet e propozuara nga PDK-ja
Seanca e sotme ku është miratuar Projektligji ka ardhur vetëm pas pajtimit të Qeverisë Hoti me kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me këtë Projektligj. PDK për ta votuar këtë Projektligj ka kërkuar që të përfshihen edhe amendamentet e saj.
Të themelohet një fond i veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së coronavirusit. Pra, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të pa punë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në Shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, do të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj.
Të themelohet granti në shumë prej 200 milionë euro, për ndihmë direkte financiare bizneseve të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të COVID-19. Këto mjete të grantit do t’i shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga ana e një Komisionit të posaçëm i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës, të cilat dëshmojnë se e kanë të vështirë zhvillimin e afarizmit si pasojë e ndikimit të COVID -19.
Qeveria e Kosovës duhet të liroj nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.
Ndryshe, Projektligji në lexim të parë është miratuar pas gjashtë tentativave, ndërsa deri tani ka dështuar dy herë të miratohet në lexim të dytë.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.