Më shumë se 1 milion europianë kanë marrë një certifikatë dixhitale të Covid-19 deri më tani, e njohur ndryshe si pasaporta e gjelbër dixhitale.
Dokumenti që duhet të lehtësojë udhëtimet gjatë sezonit veror, ka hapur dritën jeshile në Kontinentin e Vjetër, ndërsa nëntë vende kanë aktivizuar tashmë sistemin për njohjen e ndërsjelltë të tyre.
Spanja dhe Lituania kanë bërë zyrtarisht platformën e BE-së operacionale, duke filluar me shpërndarjen e certifikatave që vërtetojnë vaksinimin, një test negativ të Covid ose vërtetim të rikuperimit nga virusi.
Pas Bullgarisë, Republikës Çeke, Danimarkës, Gjermanisë, Greqisë, Kroacisë dhe Polonisë, tani ka nëntë shtete anëtare në të cilat sistemi është aktiv.
“Rregullorja” për certifikatat dixhitale të Covid-it “nënvizon rëndësinë e testimit universal dhe të arritshëm për të gjithë qytetarët, veçanërisht për njerëzit që kalojnë kufijtë në baza ditore”. Dhe për të mbështetur këto përpjekje, Komisioni Europian ka premtuar të vë në dispozicion 100 milionë euro për testet e nevojshme për lëshimin e certifikatës.
Sistemi do të vihet në zbatim nga 1 korriku 2021 dhe do të mbetet në fuqi për 12 muaj./Ansa.it