Eksperti kontabël, Berti Pashko, tha se projektligji i ri është në rrugën për t’iu afruar standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar për t’u bërë i lexueshëm nga të gjitha palët e interesuara
Si e vlerësoni projektligjin e ri për “Kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”?
Si të gjithë vendet e tjera, edhe ne duhet të përfshihemi në përmirësimin e standardeve të kontabilitetit dhe ky projektligj do të ndihmojë në përmirësimin dhe përcaktimin e bizneseve në bazë të vlerave të tyre reale në tregun e lirë, në bazë të direktivave të BE. Kjo do të ndikojë edhe në llogaritjen e tatimeve ndaj tyre dhe në një thjeshtësim të lejueshmërisë të të dhënave të tyre financiare. Pra edhe ne po bëjmë rrugën tonë për t’iu afruar standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar për t’u bërë i lexueshëm nga të gjitha palët e interesuara.
Çfarë avantazhesh sjell ky projektligj në tërësi?
Avantazhet janë të shumta. Së pari, ndarja sipas madhësisë ndihmon në përcaktimin se çfarë pasqyrash financiare dhe kontabiliteti duhet të përgatisë secila prej tyre. Së dyti, saktësohet më mirë pesha që ato do të zënë në pagesën e detyrimeve tatimore. Së treti, janë të lexueshme nga të gjitha grupet e interesit. Së katërti, njohja dhe përdorimi nga të gjithë specialistët të këtyre standardeve bën të mundur që këto të shërbejnë si një “fjalor” për të gjithë në punën e tyre. Së pesti, çdo përmirësim i shërben profesionit dhe e bën atë të jetë i barabartë me të gjithë, pavarësisht se cili shteti i përkasin.
A krijon kosto detyrimi i bizneseve të vogla dhe të mesme për të publikuar pasqyrat financiare në web-et e tyre?
Besoj se nuk do të ketë ndonjë kosto të madhe detyrimi për bizneset, pasi ato edhe tani i kanë të publikuara në faqen e web të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kjo mund të lehtësohet nëse ekziston dëshira për të bashkëpunuar në të mirën e përbashkët, pastaj rrugët për të ulur kostot gjenden lehtësisht.
Mund të na jepni një opinion tuajin në tërësi për efektet e këtij ligji?
Për mua, përmirësimi i vazhdueshëm është në të mirën e të gjithëve sepse na shërben të jemi sa më afër specialistëve të huaj dhe të mos jemi inferiorë ndaj tyre. Duke qenë prezent në disa kongrese të IFAC-ut, kam vënë re se në fushën e kontabilitetit, dhe hartimit të pasqyrave financiare po synohet që ato të bëhen sa më të thjeshta dhe të lexueshme për të gjitha grupet e interesit, kjo për vetë faktin e krizave që po kalon sistemi botëror, njëkohësisht trendi është që këto pasqyra të japin sa më shumë informacione të hollësishme për vazhdimësinë dhe pavarësinë e bizneseve të ndryshme, gjë që do të bëjë që të rriten investimet apo financimet në shoqëritë të cilat kanë parametra pozitivë. Njëkohësisht nëpërmjet përmirësimit bëhet e mundur që të gjithë specialistët e fushës të bëhen një faktor edhe më i rëndësishëm në aktivitetin e këtyre shoqërive dhe ta thonë më fort fjalën e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.