Fshati Aceredo në Galicia u përmbyt në vitin 1992 për të krijuar rezervuarin Alto Lindoso.
Një fshat fantazmë që është shfaqur pasi thatësira ka zbrazur pothuajse tërësisht një digë në kufirin e Spanjës me Portugalinë, po tërheq një numër të lartë turistësh me rrënojat e tij të frikshme gri.
Tashmë që rezervuari është në 15% të kapacitetit, detajet e një jete të fiksuar në vitin 1992, kur fshati Aceredo në rajonin veriperëndimor të Galicisë në Spanjë u përmbyt për të krijuar rezervuarin Alto Lindoso, po zbulohen edhe një herë.
“Është sikur jam duke parë një film. Më trishton”, tha pensionisti 65-vjeçar Maximino Pérez Romero, nga A Coruña. “Ndjesia ime është se kjo është ajo që do të ndodhë me kalimin e viteve për shkak të thatësirës dhe të ndryshimeve klimatike.”
Duke ecur në tokën me baltë, të plasaritur nga thatësira në disa zona, vizitorët gjetën çati pjesërisht të shembura, tulla dhe mbetje prej druri që dikur përbënin dyer ose trarë, madje edhe një shatërvan me ujë që vazhdonte të rridhte nga një tub i ndryshkur.
Stivat e arkave me shishe birre bosh mund të shiheshin pranë një godine që dikur kishte qenë një kafene, ndërsa një makinë e vjetër gjysmë e shkatërruar po ndryshkej pranë një muri prej guri. Pamjet me dron treguan ndërtesat e braktisura.
María del Carmen Yañez, kryetarja e këshillit të Lobios, pjesë e të cilit është Aceredo, tha se kjo situatë ishte shkaktuar nga mungesa e shirave në muajt e fundit, veçanërisht në janar, por gjithashtu edhe nga ajo që sipas saj ishte një “shfrytëzim mjaft agresiv” nga operatori i energjisë në Portugali, EDP, i cili menaxhon rezervuarin.
Më 1 shkurt, qeveria e Portugalisë dha urdhër që gjashtë diga, duke përfshirë Alto Lindoso, të ndalonin pothuajse plotësisht përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitje, për shkak të thatësirës që po përkeqësohej.
Shqetësimet mbi qëndrueshmërinë e rezervuarëve nuk janë diҫka e re. Vitin e kaluar, disa fshatra në Spanjë u ankuan për mënyrën se si operatorët e energjisë i përdorën ato pas shfrytëzimit të menjëhershëm të një liqeni në Iberdrola, në Spanjën perëndimore. Kompania tha se po zbatonte rregullat.
Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit tregojnë se rezervuarët e Spanjës janë në 44% të kapacitetit të tyre, goxha nën mesataren prej rreth 61% të dekadës së fundit, por megjithatë, vazhdojnë të jenë mbi nivelet e regjistruara në thatësirat e vitit 2018. Një burim nga ministria tha se indikatorët e thatësirës tregonin një përkeqësim të mundshëm në javët në vazhdim, por nuk treguan ndonjë problem të përgjithshëm në rang vendi.
José Álvarez, një ish-punëtor ndërtimi nga Lobios, tha se ndjente një përzierje ndjenjash të nostalgjisë dhe të fatalizmit kur kujtonte ditët e tij të punës në Aceredo. “Është e tmerrshme, por nuk kemi ҫfarë të bëjmë. Kështu është jeta. Disa vdesin dhe të tjerët jetojnë”, tha ai. / The Guardian