Pasiguria për të ardhmen nga COVID-19, do të sjellë pasoja edhe te planifikimi familjar, a do rriten divorcet?!

16/05/2020 10:02 PM 0 komente

Për shumicën e familjeve shqiptare kthimi i jetës në normalitet do të jetë i vështirë, dhe pasiguria për të ardhmen e shtimi i varfërisë e papunësisë do të ndikojë në sjellje të tilla si planifikimi familjar. Izolimi gjithashtu mund të nxisë dhunën dhe të përshkallëzojë konfliktet mes çifteve deri në divorc.

 

Psikologia Arlinda Shella shpjegon për “Monitor” se normaliteti i jetës do të vështirësohet nga adoptimi i sjelljeve të reja, si dhe gjendja ekonomike që do të sjellë shumë pasiguri në shumë familje. “Në izolime të tilla ku njerëzit rendin duke menduar për ekzistencën, është e vështirë të mos kesh ankth dhe pasiguri për të ardhmen”.

Zonja Shella pohon se pasiguria ekonomike do të sjellë që shumë çifte shqiptare të stepen për planifikime të reja familjare.  “Një pasiguri e tillë në rrafshin ekonomik do të sjellë patjetër pasoja dhe në rrafshin social. Të gjithë ne do të bëhemi më të kujdesshëm në planifikime për të ardhmen  dhe kjo padiskutim do të ndikojë në stilin tonë të jetesës.

Në këtë kohë ku bota më shumë se kurrë ështe e ndërlidhur nga komunikimi teknologjik, do të jetë më e pasigurt, pasi asnjeri nga ne nuk mund të izolohet nga informacionet dhe studimet e shumta për gjendjen ekonomike që do të pasojë pas pandemisë. Planifikimi në çdo familje për të realizuar qëllimet dhe dëshirat në këndvështrimin tim nuk do të ecë më me të njëjtin ritëm. Uroj shumë që kjo mos të ndikojë në planifikimin familjar pasi një fëmijë është një bekim për çdo famile, pavarësisht kostove. Pasiguria, ankthi për të ardhmen do të kenë një ndikim në menyrën sesi njerëzit do të organizohen.

Sipas sociologëve, pandemia ka shtuar frikën për të ndërmarrë hapa madhorë në jetët tona, si krijimi i një familje të re apo sjellja në jetë e një fëmije. Plakja e popullsisë nuk është një fenomen i ri i shoqërisë shqiptare, por pandemia po e përforcon edhe më tej atë. Sipas INSTAT gjatë vitit 2019 kanë lindur 28.561 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,3%,krahasuar me një vit më parë.

Gëzim Tushi, sociolog pohon për “Monitor Ekonomi” se “në Shqipëri në vitin 1990 kemi qenë popullsia më e re e Evropës me moshën mesatare 27 vjeç, pra jemi plakur në 10 vjet këto tre dekada, duke e çuar në 37.2 moshën mesatare. Në vitin 1990 ne kemi patur një mllion e 100 mijë fëmijë, tani kemi 400 mijë apo më pak. Ne kemi patur numër të moshuarish më të paktë, tani është shtuar 13% numri i të moshuarve. Ndërkaq martesat e sotme kanë ndryshuar në thelb, pra në funksionet e saj.

Në qoftë se më përpara riprodhimi ishte qëllimi i parë, sapo martoheshim mezi prisnim të sillnim në jetë një fëmijë apo dy e tre. Kemi qenë një shoqëri tradicionaliste që në vitin 1960 kemi patur 6 fëmijë për grua, ndërsa sot nuk arrijmë as të kemi riprodhim të vetes. Kjo tregon që të rinjtë e sotëm nuk e kanë në plan të parë çështjen e sjelljes në jetë të fëmijëve, por kanë disa tregues të tjerë.  

Në këtë linjë është dhe Entela Binjaku, sociologe. “Në kushtet e një shoqërie të varfër dhe ku paqëndrueshmëria është e lartë, mungesa e kujdesit social është e vogël, ku pasiguritë për të ardhmen janë bashkëshoqëruese, sigurisht që elementet e lidhur me afektivitetin, projeksionet lidhura me të ardhmen dhe riprodhimin vihen në diskutim, dhe vihen vërtetë në vështirësi”.

 

A do ketë shtim të divorceve?!

Policia e Shtetit thotë se gjatë ditëve të karantinës janë rritur rastet e dhunës në familje. Kjo si pasojë e qëndrimit për një kohë të gjatë të izoluar, por edhe prej vështirësive ekonomike gjithnjë në rritje për familjet shqiptare. Sipas organizatave në mbrojtje të grave, telefonatat për arsye të dhunës, janë rritur me 40% gjatë ditëve të karantinës. Ndërkohë që izolimi e ka bërë të pamundur largimin nga banesa të viktimës së dhunës, duke imponuar bashkëjetesë me dhunuesin.

Vitet e fundit te familjet shqiptare janë shtuar ndjeshëm rastet e divorceve. Sipas të dhënave të INSTAT, një e pesta e martesave përfundojnë në divorc. Në vitin 2018 numri i divorceve ishte 4,846 kundrejt 4,508 divorceve që u kryen në vitin 2017. Rritja e divorceve ishte 7%, duke arritur nivel rekord.

A pritet që pas rifillimit të aktivitetit gjyqësor, shumë çifte të kërkojnë divorcin?

Gëzim Tushi thotë se kishte një shpresë tjetër. “Sociologjikisht mendoja që izolimi i njerëzve në familje do të ishte një klimë me e mirë dhe e favorshme për të zgjidhur konfliktet që ishin krijuar, siç mund të ishin xhelozitë e imagjinuara apo lidhjet paralele, të cilat mund të korigjoheshin. Në të vërtetë nga çfarë kam lexuar dhe sonduar, kam vënë re që ka patur nivele akoma të rritura të dhunës, konfliketeve dhe kjo mesa duket mund të shoqërohet edhe me aspekte të kësaj natyre. 

Një fenomen tjetër që pritet të ndodhë, është dhe dëshira për të qëndruar vetëm.

Entela Binjaku pohon se “në tiparet e kulturës shqiptare të mendosh për vetminë është pak e guximshme, sepse ne për natyrë jemi mjaft të ngrohtë, mikrpitës dhe i ruajmë marrëdhëniet familjare me fanatizëm. Kjo periudhë tregoi edhe një tipar mjaft të pranishëm në shoqërinë tonë dhe që flet pikërisht për këtë frikë që na pret, dhe që lidhet me vetminë. Ne kishim mjaft mosha të larta që e provuan ndjesinë e vetmisë, të izolimit, të lënies në harresë, gjë e cila tregon për një fakt të pranishëm në shoqërinë tonë. Ndoshta në të ardhmen, në qoftë se qytetarët do t’i mbeten strikt këtyre rregullave që u krijuan tani, mund ta çojë edhe këtë në element të vetmisë”

 

 

Si do të ndryshojë sjellja sociale

Karantina, apo izolimi fizik, padyshim ishte një eksperiencë e re për të gjithë ne. Kjo gjendje  kërkonte përshtatje me rregullat strikte,me të cilat duhet të mësoheshim. Për një pjesë kjo periudhë ka shërbyer për t’iu dedikuar pasioneve, për të qëndruar me familjen apo thjesht si një periudhë pushimi nga ritmi i vrullshëm i përditshmërisë.

Pas dy muajsh në këtë gjendje, po përgatitemi të rikthehemi në një normalitet të ri. Sfida aktuale është ajo e individit para karantine, me atë pas pandemisë. Shumë nga sjellje tonat, tanimë do jenë të diktuara nga armiku i padukshëm, me të cilin lufta vazhdon.

Entela Binjaku, sociologe tha për “Monitor ekonomi” se “për herë të parë qytetarit shqiptar i kërkohej të mbahej distancë nga tjetri, e kushtëzuar kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë nga shëndeti. Ne e shohim që gjatë kohës që bëhemi gati për hapjen e madhe disa qytetarë e kanë përvetësuar mirë konceptin e distancës fizike, disa të tjerë nuk kanë punur aspak në këtë drejtim dhe vijojnë me sjelljet e vjetra. Çfarë kemi kuptuar nga kjo pandemi është që normalieti që presim të fillojë do të jetë normalitet i një natyre të re ku disa rregulla duhet të na bëhen normë”

Gëzim Tushi, sociolog shprehet për Monitor Ekonomi se“është e sigurtë që do të ndodhin shumë gjëra, do të shtohen lidhjet e veçuara, do të shtohen lidhjet online, do të dobësohen këto lidhjet e forta të socialitetit, do të dobësohen marrëdhëniet e njerëzve me lokalet orientaliste ose të socializimi nëpër kafene.”

Nëse na gëzon fakti, që po lehtësohen kufizimet për t’ju rikthyer rutinës para pandemike, duhet të kemi parasysh, që asgjë nuk do të jetë më si më parë, duke filluar nga blerja në supermarket, blerjet e rrobave, konsumi i kafes, vajtja në   palestër apo në kinema. Gjithnjë e më tepër do të kërkohen aktivitete ku nuk ka grumbullime njerëzish dhe rrjedhimisht, distancimi fizik që përjetuam këto ditë, do të zëvendësohet me atë social.

Psikologia Arlinda Shella thotë se pas pandemisë njerëzit do të gjenerojnë edhe një formë të re komunikimi.  “Do të shmangin më shumë kafenetë, do të përpiqen të jenë më të kujdesshëm në raport me sjelljet që do t’u mësojnë fëmijëve, do të duan më shumë natyrën  dhe të gjitha këto do të vijnë natyrshëm si një predispozitë instiktive për t’u vetëmbrojtur. Por është e rëndësishme të theksohet se të gjithë ne do të duhet të bëjmë kujdes me distancim fizik, por jo atë emocional, duhet të jemi mbështetës për njëri-tjetrin, duhet t’i shërbejmë higjenës personale, por dhe asaj mendore.”

 

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of