Tenderi i fundit për shërbimin 3G, i cili dështoi, tregoi qartë se qeveria nuk e kishte kalkuluar mirë tregun.
Edhe pse kanë kaluar tri javë, AKEP tregohet i kujdesshëm, kurse situata vijon e “monopolizuar”
Kishin shpresuar se edhe licencën e tretë të shërbimit të avancuar 3G do ta shisnin me çmim të mirë, pavarësisht se ofrohej me të njëjtën tarifë dysheme, si dy licencat e para, por në fakt, dështuan.
Tri javë nga paraqitja e ofertave të dy kompanive celulare për blerjen e shërbimit, të cilat nuk përputheshin me vlerën e vendosur nga AKEP-i, institucioni që mbikëqyr dhe rregullon tregun, nuk ka ende asnjë vendim se si do të veprohet.
“Nuk kemi marrë asnjë vendim rreth rezultatit final të tenderit. Nuk mund të veprojmë të nxituar, pasi jemi duke vlerësuar situatën në treg, ofertat e kompanive të paraqitura në tender, çdo gjë dhe situatë.
Pasi të qartësojmë çdo sjellje dhe situatë në treg, atëherë do të vendosim”, thotë Pirro Xhixho, kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Për AKEP-in është e vështirë të vendosë afatet se kur mund të shpallet tenderi i radhës, pavarësisht se ngrihen shumë pikëpyetje për vonesën 3-javore të shpalljes së tenderit, i cili duket qartë i dështuar.
Çmimi dysheme i vendosur për blerjen e licencës së tretë të shërbimit 3G ishte 12.5 milionë euro, aq sa ishte edhe për dy licencat e para, kur tregu ishte i “uritur” për këtë teknologji.
Në tender, kompania celulare “Eagle Mobile” ofroi 3.55 milionë euro, ndërsa “Plus Communication” ofroi 2.2 milionë euro, pra dukshëm më të ulëta se vlera e vendosur nga AKEP-i, dhe madje më e ulët nëse i bashkon të dyja ofertat.
Vlerësimi i dy kompanive për ofertat e paraqitura, tregon qartë se çmimi i licencës së tretë duhet të ishte më realist në raport me tregun. Këtë shërbim sot e ofron kompania “Vodafone Albania”,
prej më shumë se një viti, e cila e bleu për 31.4 milionë euro dhe kompania tjetër, AMC, e cila mori licencën në shtator për 15.1 milionë euro dhe prej tre muajsh ofron shërbimin.
Liberalizimi i shërbimit
Shërbimi i avancuar 3G, që bën të mundur transmetimin e të dhënave me shpejtësi dhe cilësi të lartë, përdoret prej shumë vitesh në vende të ndryshme të botës, ndërsa në Shqipëri nisi rreth një vit më parë.
Natyrshëm që licenca e parë u shit me çmim të lartë, pavarësisht se kompanitë, që të katërta i sugjeruan autoriteteve një liberalizim të shërbimit, në mënyrë që konsumatori të përfitonte më shumë.
Blerja shtrenjtë e shërbimit, duke ia ofruar vetëm një kompanie, natyrshëm që do të sillte impakt te tarifat, megjithatë AKEP-i dhe Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë nuk e gjykuan të arsyeshme
dhe në favor të konsumatorit ta jepnin licencën e dytë njëherësh për të tria kompanitë, me çmim të negociuar. Avantazhet do të ishin të shumta dhe natyrisht të gjitha palët do të dilnin të fituara.
Vonesa e AKEP-it për të marrë një vendim dhe për të shpallur tenderin e radhës nuk është gjë tjetër veçse i jep mundësi kompanive të operojnë në një treg gati “monopol”,
për t’u dhënë mundësi të shtyjnë sa të munden kontrollin mbi përdoruesit e telefonisë.
Edhe pse i ka të gjitha mekanizmat në dorë, ministri Genc Pollo heziton të veprojë në favor të konsumatorëve. Në analizën vjetore mbi aktivitetet e 2011-s, ministri tha se,
“do të vazhdojë plotësimi i legjislacionit që ofron një klimë miqësore ndaj biznesit, mbron konsumatorin, siguron konkurrencën dhe luftën kundër monopoleve të kujtdo qofshin ato”.
Deklarata u dha pak para se të shpallej tenderi që më pas dështoi, pasi vetë kushtet e ofruara nga AKEP-i, për të dhënë vetëm një licencë dhe me çmim jo në përputhje me tregun, nuk mundësonin
“mbrojtjen e konsumatorit apo liberalizimin e tregut”, të vëna si prioritet nga ministri.
Kompanitë, në pritje të tenderit
Më 28 dhjetor, Ministria për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit autorizoi AKEP-in të hapte garën për dhënien e një licence të tretë 3G, për operatorët e telefonisë mobile.
Tenderi u zhvillua në javën e fundit të shkurtit, pra dy muaj pas shpalljes së garës. Kompanitë kishin kohën e mjaftueshme për të vlerësuar tregun dhe për të paraqitur ofertat e logjikshme ekonomike.
Natyrshëm, ato ofruan më pak nga sa kërkoi AKEP-i, mesazh ky për tenderin e radhës, për të cilin pritet që çmimi të jetë më i ulët se 12.5 milionë euro.
Tashmë kompanitë janë gati për tenderin dhe madje kanë investuar në teknologji, në mënyrë që abonentëve të tyre t’u ofrohet shërbimi më i mirë i mundshëm.
Kompania PLUS e konsideron dhënien e licencave të tjera 3G si jetike për rritjen e konkurrencës, cilësisë së këtij shërbimi dhe ofrimit të çmimeve më të favorshme, në përfitim të plotë të konsumatorëve shqiptarë.
“PLUS ka ndërtuar dhe zhvilluar tashmë teknologjinë 3G, sistemin përkatës të tarifimit sikurse ka konfiguruar të gjitha platformat për t’i ofruar klientëve në një kohë të shkurtër pas licencimit,
shërbimet e plota të 3G-së, sikurse shpreh gatishmërinë për implementim të menjëhershëm të infrastrukturës 3G në të gjithë territorin e Shqipërisë”, deklaron Drejtori Ekzekutiv i “PLUS Communication”,
Moni Buchnik. Kompania konsideron se barrierat për hyrjen në treg duhet të jenë në raport të drejtë me çmimet e mundshme fundore të këtij shërbimi.
Përdoruesit
Të dhënat e AKEP-it, për 6-mujorin e parë 2011, tregojnë se numri i pajtimtarëve që përdorin shërbimet e rrjetit 3G me aparat celular dhe karta modem është rreth 112000
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.