Pasioni dhe biznesi i koleksionistëve shqiptarë

12/06/2021 10:06 PM 0 komente

Të koleksionosh nuk është vetëm pasion, është biznes me qëllim investimi. Tregu në Shqipëri ka nisur të formësohet, mes kaosit të informalitetit dhe mungesës së legjislacionit rregullues. Shoqata e Koleksionistëve pohon se të koleksionosh është padyshim një investim i mirë, ndërsa koleksionistët kërkojnë tregje brenda dhe jashtë, për promovim…

 

Nga Deada Hyka

Një nga referencat më të hershme për ‘artin’ e koleksionimit mund të gjendet në Bibël: “Mbreti Saul porosit këngë nga lirika e Davidit”. Në mijëvjeçarët më pas, zotërimi dhe koleksionimi është një histori e mirëfilltë e kulturës, deri në shndërrimin e tij në biznes. Në të vërtetë, në Firencen e shekujve XV dhe XVI, koleksioni i arteve nuk ishte një opsion; ishte një detyrë qytetare… dhe ishte një çelës për statusin shoqëror.

Se kur nisi në Shqipëri lëvrimi i “artit” të koleksionistëve, profesionistët e fushës pohojnë se kjo daton herët, mbase edhe pa e ‘ditur’ se ç’po koleksionojnë.

Vitin e fundit kemi dëgjuar më shumë histori për njerëzit që blejnë dhe mbledhin “gjëra”, të tilla si monedha, art, karta etj., dhe duke e konsideruar atë një investim. Ekspertët thonë, se kur bursa dhe ekonomia përfshihen në trazira, njerëzit duket se drejtohen drejt “pasurive të forta” si ari, argjendi dhe sendet e mbledhura. A po ndodh kjo dukuri në Shqipëri?

Pse njerëzve u pëlqen të investojnë në këto lloj pasurish? Ashtu si çdo investim tjetër, individët besojnë se çmimi i koleksionit do të rritet më shpejt se ai i tregut, sidomos n.q.s i referohemi koleksionimit të veprave të artit. Profesionistët e fushës pohojnë se duhet të theksohet se tregjet e koleksionueshme janë jolikuide, të parregulluara dhe shpesh informale. Gjithashtu, kostot e transaksioneve mund të jenë të larta, pasi shumica e koleksioneve të niveleve të larta duhet të shiten në ankand. Por, jo gjithmonë ndodh kështu. Pjesa më e madhe e mallrave të koleksionuara në Shqipëri shitet në dorë.

Sipas kreut të Shoqatës Shqiptare të Koleksionistëve, Julian Demeti, tregu i koleksioneve duhet të shihet si një investim. “Disa prej koleksionistëve shqiptarë janë njëkohësisht edhe tregtarë. Një pjesë e vogël e tyre jetojnë me të ardhurat nga tregtia e këtyre objekteve. Mund të gjenerohen mjaftueshëm për të jetuar mirë” – thotë z. Demeti.

 

Në fillim vjen pasioni…

Pasionin e një jete kushtuar koleksionimit të objekteve me vlera për trashëgiminë tonë, Lulzim Perati ia atribuon intuitës. Sipas 71-vjeçarit,  nuk ka arsye tjetër për të shpjeguar atë çfarë nisi të bëjë që në moshën 9-vjeçare. Ndër vite, z. Perati i është përkushtuar grumbullimit të objekteve me vlera për trashëgiminë tonë. Ai  thotë se ekspozitat që ka hapur në Tiranë, Berat dhe Durrës kanë gjetur mbështetjen e institucioneve lokale.

Ai shton se gjetja e një salle private të përhershme për këtë lloj krijimtarie, është mjaft e vështirë. Edhe nëse nuk është larguar kurrë nga Shijaku dhe ka hapur ekspozita në qytete të ndryshme të vendit, z. Perati pohon se pengesat për të gjetur një hapësirë personale ekspozimi janë të shumta. Perati tha se pjesa që kërkon më shumë kohë për një koleksionist është katalogimi dhe studimi i objekteve.

“Që nga viti 1976, kam nisur koleksionimin e pullave, fotografive. Dhjetë vite më vonë, arrita të kem 3 kategori koleksioni, kartolina fotografi të viteve 1910-1960, pulla shqiptare dhe stolitë e grave shqiptare” – pohon z. Perati, sipas të cilit blerjet në treg janë në formë njohjeje dhe gjithkush e di se çfarë interesi kanë koleksionistët.

Pionier i koleksionimit në Shqipëri, Robert Ballaurin, thotë se mungesa e promovimit nga instancat shtetërore mbetet shqetësim.

“Vërtet të koleksionosh është një veti e veçantë, që nuk e gëzojnë të gjithë, por të bësh përpara në koleksionim nuk varet vetëm nga ty. Disa organizma shtetërore duhet të ndërgjegjësohen në këtë drejtim, duke krijuar fonde të veçanta për të promovuar koleksionimin, sidomos te moshat e reja. Këto janë Posta Shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe mjaft institucione kulturore. Me zbavitjen duke koleksionuar, shumë të rinj do të bëhen promotorët e një lëvizje që sot në mbarë Europën gëzon një shtrirje të gjerë dhe kjo ndihmon rininë për të çuar përpara jo vetëm edukimin dhe historinë, por edhe pikëpamjen ekonomike të një koleksionisti” – pohon z. Ballauri, i cili njihet në fushën e filatelisë shqiptare.

 

Koleksionet më të zakonshme 

– Arti – Arti është “investimi” më i zakonshëm që koleksionohet. Arti ka qenë tërheqës si investim për shekuj me radhë dhe njihet si mjet alternativ i investimeve të tilla si fondet mbrojtëse dhe fondet e pasurisë sovrane, të cilat zotërojnë aksione të mëdha arti. Për shembull, Lehman Brothers, në kolapsin e tij, mbajti mbi 10 milionë dollarë në vepra arti.

– Monedhat – Monedhat janë një tjetër investim shumë i zakonshëm i koleksionistëve. Njerëzit filluan të vlerësonin monedhat sepse ato ishin bërë prej metaleve të forta, të tilla si ari dhe argjendi. Tani, shumë monedha të vjetra mbajnë një vlerë koleksionimi shumë më tepër se vlera e përmbajtjes së tyre në metal. Arsyeja është se janë diçka e rrallë. Monedhat, për shembull, nga vitet 1700 janë shumë të rralla, veçanërisht në kushte të mira. Si rezultat, koleksionistët i vlerësojnë ato.

– Tjetër – Ka mijëra lloje të ndryshme të koleksioneve. Këtu është një listë e vogël që mund të përmendim: pulla poste, bileta, armë antike, enë antike, figurina, mobilie antike, ora, qelqe dhe qeramikë etj.

 

Tregu i koleksioneve

Nëse investoni në koleksione, është e rëndësishme të kuptoni se si funksionon tregu, pohojnë koleksionistët e fushës. Ndryshe nga tregu i aksioneve, ku të gjithë mund të shohin se çfarë po paguajnë njerëzit, shumica e koleksioneve duhet të shiten privatisht ose në ankand. Kjo do të thotë se ka të dhëna shumë të kufizuara të çmimeve dhe mund të nënkuptojë gjithashtu se ka shumë pak ofertues për artikullin. Si rezultat, tregu nuk është shumë likuid dhe çmimet mund të ndryshojnë shumë nga viti në vit, ose vendndodhja. Kjo zakonisht do të thotë që kostot e transaksionit janë shumë të larta. Shitja në ankand mund të kushtojë deri në 25% të totalit. Edhe përdorimi i një shërbimi si eBay ka kosto të larta transaksioni.

Tregjet e koleksionit varen shumë nga tendencat afatshkurtra dhe shijet individuale. Ka histori të panumërta të flluskave dhe shpërthimeve të artikujve të koleksionuar.

Megjithatë, një pjesë e mirë e artikujve të koleksionuar, pohojnë profesionistët e fushës, janë të provuar që mbajnë vlerën e tyre. Kjo ndodh më shpesh me koleksione që kanë një treg, një origjinë dhe një lidhje me dikë të famshëm. Për shembull, veprat artistike të Picasso-s ka shumë të ngjarë të jenë gjithmonë të vlefshme. Kjo nuk do të thotë që nëse një pikturë shitet për 100 milionë dollarë, nuk do të shitet për 80 milionë dollarë disa vite më vonë.

Në Shqipëri, fushat ku koleksionohet më tepër janë: filatelia, arti, numizmatika, deltiologji, libra dhe fotografia. I pari që çeli siparin e një koleksioni në fushën e ekonomisë shqiptare, ishte Kreshnik Kuçaj. “E cilësoj veten koleksionist amator”, thotë ai, teksa tregonte me fanatizëm pjesët e koleksionit të tij, të nisur prej vitesh.

“Në përgjithësi, tregu i koleksionit në Shqipëri ka përpjekje për ta rregulluar, ka një Shoqatë Koleksionistësh që është realisht e mirorganizuar, është edhe një revistë të saj. Por fatkeqësisht tregu funksionon tërësisht në informalitet, pra transaksionet, bëhen me njohje, jo përmes një kanali zyrtar shitjesh. Të paktën, përvoja ime personale është e tillë” – thotë z. Kuçaj. Sipas tij, ka dyqane të formalizuara që shesin objekte të cilat mund të jenë pjesë e koleksioneve, por në të vërtetë, për koleksionet ekziston një rrjet njohjesh i atyre që merren me botën e koleksioneve.

“Të gjithë njihen, kur del diçka e re në treg, personi i kontaktit e di se cili koleksionist mund të jetë i interesuar për një objekt të caktuar të koleksionueshëm. Personalisht, jam njeri që koleksionoj objekte të cilat kanë lidhje me financat dhe ekonominë. Përveç hulumtimeve personale, ka njerëz që më ofrohen kur del diçka e re”, – thotë ai.

Sa i përket aspektit fiskal, profesionistët e fushës pohojnë se nuk është e rregulluar, transaksionet janë kryesisht informale. “Kërkesa vendos vlerën e tregut. Platforma eBay në botë janë në funksion të koleksionistëve, ka edhe tregti elektronike që është formale”, – thotë z. Kuçaj.

Të gjithë koleksionistët në Shqipëri pohojnë se ka një mungesë të certifikatave të origjinës dhe autenticitetit për mallra të ndryshme. Ata pohojnë gjithashtu se është një treg ekzistues prej shumë vitesh, por duhet faktorizuar në formën e duhur. Duhet dhënë më tepër mundësi vizualizimi, ka familje që ruajnë prej vitesh koleksione.

“Janë kryesisht familje të vjetra, kur njerëzit ndërrojnë jetë apo shtëpitë braktisen, nxirren në treg sendet që mund të jenë objekt koleksionimi”. Sa i përket funksionimit të brendshëm të tregut dhe përcaktimit të çmimeve, Julian Demeti nga Shoqata e Koleksionistëve, thotë se çdo objekt ka një vlerë dhe këtë e përcaktojnë disa faktorë, si cilësia dhe kërkesa e tregut etj. “Vlera thuajse e çdo objekti rriten me kalimin e kohës. Koleksionimi është pa dyshim edhe një investim i mirë” – thotë z. Demeti.

 

Fillesat

Në vitin 1920, kur nisën emetimin kartëmonedhat e para në Shqipëri, për shkak të mungesës së monedhës shqiptare Lek, vërshuan koleksionistët nga e gjithë bota, të cilët e morën një pjesë për koleksionet e tyre dhe u rrezikua një tharje e tregut nga kartëmonedhat

 

Adrenalina e “gjuetisë”

Për shumë njerëz, mbledhja e mallrave të koleksionueshëm është gjueti. Ndërsa koleksionet e tyre nisin nga një hobi ose interes, ata shumë shpejt zbulojnë se entuziazmi i një gjetjeje të re i tërheq. Kjo ndjesi rritet vetëm pasi ata përfshihen më shumë në botën e koleksioneve. Për një njeri jashtë botës së koleksioneve, mund të duket sikur koleksionistët kanë harxhuar para duke blerë të njëjtin objekt pa pushim. Sidoqoftë, për koleksionistin, lidhja e tyre emocionale me grupin në fjalë e bën gjithçka të vlefshme. Për disa, kjo justifikon ndjenjën e tyre të të qenët “superfan” – për të tjerët, është një detyrim që nuk mund ta shpjegojnë fare.

Interneti, për koleksionistët, ka qenë një bekim dhe mallkim. Nga njëra anë, nuk ka qenë kurrë më e lehtë të gjurmosh objekte të rralla. Në teori, askush nuk ka nevojë të ndiejë kurrë zhgënjimin që vjen me humbjen e një pjese thelbësore të koleksionit të tyre. Sidoqoftë, kjo largon disa nga gumëzhitjet që vijnë nga pengesat në një gjetje, veçanërisht të pazakontë. Shumë prej tyre, madje, duan ta “plotësojnë” koleksionin, nëse kjo do të ishte e mundur. Për atë arsye, shumë koleksionistë shmangen plotësisht nga interneti, duke zgjedhur të bëjnë gjetje të reja në kohën e tyre.

 

Investim për të ardhmen

Mbledhja e objekteve të rralla mund të pasurojë një portofol investimesh dhe mund të jetë një investim fitimprurës. Objektet e rrallë, për shembull, janë dyfishuar në vlerë gjatë dhjetë viteve të fundit, sipas profesionistëve të fushës. Për shembull, orët e dorës të cilësisë së mirë janë rritur me rreth 5% në vit. 

 

Muzeu Virtual

Bledar Këneta tregon se krahas të qenët tregtar dhe zotërimit të një dyqani antikuarësh, pasioni për koleksionimin e shtyu të hapte një “muze virtual”. Sipas tij, muzetë fizikë në vend janë të pakët dhe ekspozimi në të kërkon jo vetëm të pasurit një koleksion të madh, por edhe influencën e duhur për të marrë mjediset.

“Edhe periudha e pandemisë dhe mungesa e kontakteve me njerëz më nxiti që të hap ‘muzeun virtual’, të cilin e mendoja prej kohësh. Një hapësirë website që të promovoj koleksionin tim. Kam prodhime shqiptare, kryesisht industri ushqimore, në fillim të viteve ‘20. Për shembull, etiketa nga fabrika birre, çokollata, llokume, paketa, alkool etj. I kam blerë, duke hulumtuar në treg. Nga ana tjetër, dyqani me antikuarë më ka ndihmuar të kem më tepër akses dhe një pjesë të mallrave, ndër vite, ua kam ruajtur etiketën” – thotë z. Këneta.

Se si funksionon tregu, ai shprehet padyshim me kontakte, me informacione që qarkullojnë në mesin e tyre, familjet e vjetra zotërojnë mallra që shpesh janë burim “gjurmimi” nga tregtarët.

Sipas Bledarit, fusha e koleksioneve më tepër bëhet për pasion, pasi vlerësimi është shumë i vogël.

 

Koleksioni

Gjithkush njeh dikë që mbledh gjëra – pavarësisht nëse janë magnet frigoriferësh ose monedha. Por çfarë e shënon pikën e kthimit në të cilën dikush kalon nga zotërimi i sendeve në krijimin e një koleksioni të tyre? Kërkimet nga Itamar Simonson zbuluan se gjithçka fillon me dy: Njerëzit kanë më shumë gjasa të ndërtojnë një koleksion të diçkaje pasi të kenë dy prej tyre.

  

Arsye nostalgjike

Përveç pasionit, një pjesë e koleksionistëve e bëjnë këtë nga nostalgjia për rininë. Siç e di çdo prind, është e zakonshme që fëmijët të kalojnë nëpër faza ku janë të fiksuar me gjëra të caktuara. Këto faza mund të zgjasin nga disa javë deri në disa vjet, por shumica prej nesh, rriten përfundimisht prej tyre. Megjithatë, disa njerëz nuk e bëjnë kurrë, dhe kthehen në pasionet e fëmijërisë në jetën e mëvonshme. Për këta njerëz, mbledhja e tyre vepron si një lloj rrjete sigurie nga bota e të rriturve.

Është një mënyrë për ata të heqin dorë përkohësisht nga barra e jetës së tanishme dhe të ndihen më të rinj. Për brezat e rinj, gjëra të tilla si kartat e cigareve ose modeli i hekurudhave nuk kanë shumë kuptim. Megjithatë, për të tjerët, këto janë objektet me të cilat ata u rritën. Ndërsa bota moderne ecën përpara, mbledhja e këtyre objekteve bëhet gjithnjë e më tërheqëse. Ato ofrojnë një tërheqje përsëri në kohëra të mëvonshme, veçanërisht kur sende të tilla nuk prodhohen më.

 

Industria globale e koleksioneve

Zhvendosjet drejt koleksionimit si një formë e investimit dhe blerjes së tyre nëpërmjet kanaleve dixhitale janë dy tendenca që po ndryshojnë mënyrën se si dhe pse konsumatorët angazhohen me industrinë globale të koleksioneve. Grumbullimi si formë e investimit u identifikua si një trend i rigjallëruar brenda industrisë globale të koleksioneve, mbështetur në faktin se disa media të nivelit të lartë (p.sh., CNBC), studiues kryesorë të tregut (p.sh. Deloitte) dhe ekspertë të industrisë (p.sh., Antique Sage) nxorën në pah vrullin e ri mbarëbotëror, për blerjen e koleksioneve për të diversifikuar portofolat e investimeve dhe për të rritur kthimet e përgjithshme financiare.

Klima aktuale e pasigurt në mbarë botën e ekonomisë, shoqëruar me çmimet e aksioneve dhe obligacioneve, që prej krizës financiare 2008-2009, nxiti rritjen e interesit në koleksionet si një burim për kthim dhe diversifikim investimi, sipas CNBC, Deloitte dhe Sherebeti Antik. Antique Sage dhe Deloitte ua atribuojnë këtë interes të investitorëve për koleksionet me faktin se kjo kategori e mallrave historikisht ka treguar një “korrelacion të ulët me klasat tradicionale të aseteve” dhe për këtë shërben si një mbrojtje kundër inflacionit.

Për më tepër, koleksionet janë një mundësi për investitorët, me vlerë të lartë neto “për të kursyer në taksa”, dhe kanë demonstruar potencialin për të tejkaluar aktivet tradicionale, mbështetur në faktin se Indeksi i Arteve dhe Koleksioneve të Tjera është rritur 64% më shpejt sesa indeksi MSCI World në dy dekadat e fundit.

Si i tillë, Deloitte dhe ArtTactic raporton se investitorët gjithnjë e më shumë po blejnë koleksione për të rritur kthimin e investimeve (40%) dhe për të mbrojtur portofolat e tyre më të mëdha (25%). CNBC shton se “shumë këshilltarë dhe ekspertë” po rekomandojnë që investitorët të ndajnë midis 5% dhe 10% të portofolave të tyre për koleksionet.

Sidoqoftë, Anketa e Qëndrimeve të Raportit të Pasurisë 2018 sugjeron që mbledhja si një formë e investimit do të mbetet një trend brenda industrisë më të madhe të koleksioneve, duke pasur parasysh se “gëzimi i pronësisë” vazhdon të shërbejë si motivi kryesor për konsumatorët globalë në blerjen e koleksioneve, krahasuar me dëshirat paralele për vlerësimin e kapitalit, strehën e sigurt financiare dhe diversifikimin e portofolit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of