Mosorientimi drejt një modeli efektiv ekonomik është edhe pasojë e shkatërrimit të institucioneve shkencore në vend. Reformat në këto vite tranzicioni e kanë shkatërruar trupën e akademike të trashëguar nga para viteve ‘90, ndërkohë që cilësia e “shkencëtarëve” të rinj zbehet nga varfëria e rezultateve. Nga 3200 akademikë, vetëm 10% e tyre angazhohen në aktivitete shkencore. Disa sektorë publikë, si energjia dhe transporti, janë përfshirë në investime të gabuara për shkak se kanë mënjanuar profesionistët. Shqipëria, më dobët në rajon në aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit
Mënjanimi i profesionistëve dhe braktisja me financime e kërkimit shkencor dhe novacionit po bëhet shkak për gabime të mëdha, me pasoja të pariparueshme në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Edhe për këtë arsye, Shqipëria në tri dekadat e tranzicionit nuk është e orientuar qartë ndaj një modeli ekonomik, i cili do ta çonte ekonominë e vendit tonë të paktën në nivel të përafërt me vendet e tjera të bllokut të Lindjes, teksa të gjithë sektorët po vuajnë mungesën e mendimit profesional.
Reformat e njëpasnjëshme nga qeveritë e pas ‘90-s kanë shkatërruar bazat e kërkimit shkencor dhe institutet përkatëse që funksiononin para viteve 1990, sipas sektorëve në të cilën bazohej ekonomia komuniste. Reforma më e fundit ka futur në ngërç edhe institucionin më të lartë shkencor në vend, Akademinë e Shkencave, e cila prej një viti është pa kryetar. Ndërsa tre universitetet kryesore publike, ai i Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës nuk shpenzuan para për kërkimin shkencor gjatë 7 muajve të vitit, ashtu si edhe vitet e mëparshme, sipas të dhënave zyrtare të buxheteve të tyre.
Më tej, përdorimi politik i institucioneve ka lënë pa profesionistë disa sektorë kyç në vend. Në Autoritetin Rrugor Shqiptar ka shumë pak inxhinierë rrugësh, kompanitë publike të energjetikës vuajnë nga mungesa inxhinierëve të aftë, teksa këta dy sektorë kanë përjetuar keqmenaxhim dhe investime të gabuara ndër vite, edhe për shkak të mungesës së oponencës dhe ekspertizës.
Këtë vit, qeveria shqiptare akordoi pak më shumë se 500 milionë lekë (4.6 milionë euro) prej të cilave 110.5 milionë lekë shkuan për Akademinë e Shkencave dhe 480 milionë lekë ishin fonde që Ministria e Arsimit do të përdorë për kërkimin shkencor. Kjo shumë, në këto nivele, është sa 0.03% e PBB-së. Por kërkimi shkencor dhe inovacioni në të gjitha vendet financohet edhe nga sipërmarrjet private dhe donatorë të ndryshëm. Në Shqipëri, sipërmarrjet private nuk janë të angazhuara në këtë drejtim, teksa Shqipëria është e fundit në rajon për të përfituar nga financimet e BE, në kuadër të Horizon 2020.
Sipas të dhënave të UNESCO-s, që i referohen si vit 2008-s, Shqipëria financonte për kërkimin shkencor 0,2% të PBB-së. Sot, pas 10 vitesh, PBB e vendit është rritur dhe fondet për kërkimin shkencor janë ulur, duke shkuar vetëm në 4.6 milionë euro vitin e kaluar, duke qenë vetëm 0.03% e PBB-së.
Por Shqipërisë, përveçse i mungojnë financimet, duket se i mungon edhe vizioni, thotë ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. “Ne jemi ndoshta i vetmi vend në Europë që nuk financojmë kërkimin shkencor në universitete. Një nga kapitujt kryesorë për hapjen e negociatave është për kërkimin shkencor dhe tregun e punës. Shqipëria nuk është aq e varfër sa të mos financojë të paktën 15 milionë dollarë në vit për kërkim shkencor”, tha ai.
Dr.ing. Faruk Kaba thotë se, financimi i shkencës sot në vendet e zhvilluara është në masën mbi 3% të PBB-së: SHBA, Japonia, Gjermania, Suedia, Franca, Anglia, Koreja Jugut, Izraeli etj., investojnë 3.5% deri në 4% të PBB për shkencën dhe kërkimin shkencor. Ky investim rrit në mënyrë eksponenciale prodhimin dhe të mirat materiale.
“Për fat të keq, pse të mos e themi qartazi dhe me kurajë edhe për paaftësi tonën, Shqipëria është ndër vendet ku investimi për shkencën pothuaj është ‘harruar’: me vetëm 0.16% të PBB-së (mesatarja botërore 2.09%), ajo renditet ndër vendet e fundit në botë, e 193-ta (!). Kjo situatë me shkencën dhe kërkimin shkencor, herët a vonë, do të reflektojë, me shenja negative në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Një mendje e ndritur ka thënë edhe ‘që të kursesh investimet për shkencën është njësoj si të ndalësh orën dhe të mendosh se po kursen kohën’”, tha Kaba, i cili sheh si zgjidhje lehtësimin e sipërmarrjes private në financimin e novacionit.
Në vitin 2000, Këshilli i Europës, nëpërmjet marrëveshjes së Lisbonës, vendosi t’u japë përparësi investimeve në shkencë dhe teknologji, me qëllim për t’u përafruar me SHBA-në dhe Japoninë. Shtetet ranë dakord të financojnë 3% të PBB-së, këto financime ishin shumë më të mëdha në Japoni, Korenë e Jugut, Tajvan dhe Singapor.
Në Europë, aktualisht niveli i financimeve në 3% të PBB-së është arritur nga vende si Franca, Gjermania dhe vendet nordike. Në bllokun e Lindjes, vendet e Ballkanit, janë poshtë 1% të PBB-së, kurse Shqipëria është edhe më dobët se kaq.
Një studim i Bankës Botërore për inovacionin në Ballkanin Perëndimor gjeti se kompanitë inovative kishin 15% më shumë shitje se kompanitë e tjera të së njëjtës fushë që nuk përdornin inovacionin dhe kishin rritur produktivitetin e punës të paktën me 8% më shumë se firmat jo inovative.
Censusi i shkencës, burimet njerëzore që kemi
Ministria e Arsimit, konkretisht Departamenti i Shkencës, ka bërë një Census për gjendjen e burimeve njerëzore në lidhje me kërkimin shkencor. Universitetet dhe institucionet përgjegjëse kanë plotësuar pyetësorin për kapacitetet njerëzore në fushën akademike e kërkimore – shkencore për 3,209 staf akademik.
Rezultatet e anketës treguan se rreth 73,9% e stafit akademik është pranë universiteteve publike, ndërsa në universitetet private janë rreth 23,9% e stafit akademik që është përgjigjur si dhe te agjencitë, ministritë apo institucionet e tjera janë rreth 2,2%.
Rreth 13,6% e stafit akademik është pranë Universitetit të Tiranës, ndërsa në universitetin privat Epoka, rreth 1,8% e stafit akademik i është përgjigjur pyetësorit.
Sa u përket sektorëve që mbulojnë, vihet re se shumica e tyre janë në shkencat humane dhe shumë më pak në degë që kanë të bëjnë teknologjinë dhe inovacionin në këtë drejtim. Anketa gjeti se, rreth 38,4% e stafit akademik është në shkencat sociale, ndërsa në shkencat natyrore janë rreth 18,3% e stafit akademik që është përgjigjur pyetësorit.
Rreth 15,4% e stafit akademik është nën fushën ekonomike dhe biznes, ndërsa në fushën e gjuhësisë rreth 9,3% e stafit akademik i është përgjigjur pyetësorit. Rreth 63,7% e stafit akademik janë mbi 45 vjeç dhe 36,3% e tyre janë nën 45 vjeç.
65,1% prej tyre i kanë kryer studimet universitare pas viteve 1990, 27,6% e tyre i kanë kryer studimet universitare para viteve 1990 dhe 7,3% e tyre nuk kanë dhënë përgjigje. Stafi akademik që ka kryer studimet para viteve 1990 është përgjigjur se 40,9% e tyre janë Kandidat i Shkencave, ndërsa 59,1 nuk janë Kandidat i Shkencave.
Rreth 59,5% e stafit akademik kanë kryer studimet Phd / Doktor Shkencash, 40,5% e tyre nuk kanë kryer studime Phd / Doktor Shkencash.
Rreth 99,5% e stafit akademik nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të vjetër shkencorë (për studiuesit që kanë punuar para viteve ‘90). 92,5% e stafit akademik nuk janë docent dhe vetëm 7,5% e tyre janë docentë. 72,7% e stafit akademik nuk janë Ass.Profesor dhe 27,3% e tyre janë Ass.Profesor. 87,9% e stafit akademik nuk janë Profesor dhe 12,1% e tyre janë Profesor.
Më shumë se 68% e stafit akademik nuk ka dhënë informacion në lidhje me monografitë shkencore (si autor dhe me bashkautor) brenda dhe jashtë, ndërsa 30,6% e tyre kanë marrë pjesë si autor dhe me bashkautor deri në 10 monografi shkencore.
Rreth 27,9% e stafit akademik nuk ka dhënë informacion në lidhje me artikujt në revistat dhe periodikët shkencorë brenda vendit (shqip dhe gjuhë të huaj) ndërsa 65,9% e tyre kanë marrë pjesë deri në 10 artikuj. Rreth 36,0% e stafit akademik nuk ka dhënë informacion në lidhje me numrin e pjesëmarrjeve me referim në aktivitete shkencore kombëtare (seminare, kongrese, konferenca), ndërsa 55,7% e tyre kanë marrë pjesë deri në 10 aktivitete.
Burimet njerëzore joproduktive
Rreth 27,6% e stafit akademik, në anketën e bërë nga Ministria e Arsimit, nuk kanë dhënë informacion në lidhje me numrin e pjesëmarrjeve në referime në aktivitete shkencore ndërkombëtare, ndërsa 52,6% e tyre kanë marrë pjesë deri në 10 aktivitete.
Rreth 87,2% e stafit akademik nuk ka dhënë informacion në lidhje me numrin e pjesëmarrjeve si drejtues shkencor ose anëtar i bordit drejtues në aktivitete shkencore ndërkombëtare, ndërsa 12,4% e tyre kanë marrë pjesë deri në 10 aktivitete.
Rreth 67,5% e stafit akademik nuk ka dhënë informacion në lidhje me numrin e pjesëmarrjeve në projekte kombëtare, ndërsa 30,7% e tyre kanë marrë pjesë deri në 10 projekte. 83,1% e stafit akademik nuk ka dhënë informacion në lidhje me numrin e përvojave të mobilitetit ndërkombëtar si kërkues shkencor, ndërsa 16,5% e tyre ka deri në 10 përvojë, ndërsa 99,3% e stafit akademik nuk ka dhënë informacion në lidhje me numrin e patentave për shpikje si rezultat i kërkimit shkencor të regjistruara brenda ose jashtë vendit, ndërsa 0.7% e tyre ka deri në 10 patenta.
Rreth 98,7% e Prof. Ass nuk ka dhënë informacion në lidhje me numrin e patentave për shpikje si rezultat i kërkimit shkencor të regjistruara brenda ose jashtë vendit, ndërsa 1,3% e tyre ka deri në 10 patenta.
Universitetet e institucionet përgjegjëse kanë plotësuar pyetësorin dhe kanë deklaruar që kanë në stafin e tyre 1909 PhD që, sipas përkufizimit në Wikipedia, do të thotë Doktor i Filozofisë është shkalla më e lartë akademike e dhënë nga universitetet në shumicën e vendeve të botës. PhD janë dhënë për programe që përfshijnë të gjitha fushat akademike. Ata që studiojnë për këtë kualifikim u kërkohet që të japin kontribut të ri shkencor në një fushë të caktuar të dijes, nëpërmjet hulumtimit të tyre origjinal.
Ministria e Arsimit ka numëruar 1909 PhD, ku 77,3% e tyre punojnë pranë universiteteve publike, ndërsa në universitetet private janë rreth 20,0% e tyre. Rreth 38,3% e PhD-ve është në shkencat sociale, në shkencat natyrore janë rreth 19,1%, ndërsa 16,8% e PhD-ve është në nënfushën ekonomike dhe biznes, ndërsa në nënfushën gjuhësi janë rreth 11,1% e PhD-ve që i janë përgjigjur pyetësorit.
Rreth 6,1% e PhD-ve kanë kryer studimet pasuniversitare para viteve 1990, 35,4% e tyre kanë kryer studimet pasuniversitare pas viteve 1990 dhe 58,6% e tyre nuk kanë dhënë përgjigje.
Shkenca shqiptare, e varfër në shpikje
Një nga treguesit themelorë është veçanërisht niveli i ulët i patentave për shpikje të regjistruar nga shkencëtarët shqiptarë, si dhe numri pothuajse inekzistent i kompanive të tipit spin-off apo start up, instituteve apo qendrat kërkimore në vend. Kjo pasqyrohet në të dhënat e Dokumentit Strategjik për Pronësinë Intelektuale 2016 – 2020.
Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka ende një Park Shkencor dhe Teknologjik, sikundër kanë krijuar një pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fusha të veçanta kërkimi pa përmendur vendet e tjera që tashmë janë pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare e Parqeve Shkencore e Zonave të Inovacionit.
Patentimi i shpikjeve është një nga shumë aspektet e inovacionit, por është dhe treguesi kryesor i matjes së përparimit të tij. Mbrojtja efektive e patentave për shpikje gjithashtu inkurajon investimet e mëtejshme në kërkim dhe zhvillim, si dhe ndikon në rritjen e kapitalit. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Markave dhe Patentave, në vitin 2017 ka pasur 4 aplikime nga studentë për patentë kombëtare dhe 3 aplikime nga pensionistë.
Sektori i patentave, gjatë vitit 2017, ka pranuar 813 aplikime për patenta krahasuar me 745 aplikime të depozituara në vitin 2016, pra kemi një rritje prej 9.13% të numrit të aplikimeve për patenta. Nga këto aplikime, 24 janë aplikime kombëtare me aplikantë nënshtetas shqiptarë dhe 789 aplikime për patenta, janë patenta të lëshuara nga Zyra Europiane e Patentave, të cilat kërkojnë mbrojtje në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.