Pasojat e Covid-19, arkëtimet buxhetore rënie me 292 mln euro më 2020

20/01/2021 11:02 PM 0 komente

Ministria e Financave parashikon që të ardhurat buxhetore në vitin 2020 të pësojnë rënie me 7.8% ose 36 miliardë lekë (292 mln euro) në raport me vitin 2019, si pasojë e efekteve negative të pandemisë së Covid -19.

Në të dhënat e fundit në Kuadrin e ri Makroekonomik, të ardhurat buxhetore më 2020 do të përmbyllen në nivelin e 424 miliardë lekëve, nga 460 miliardë lekë që u grumbulluan në raport me vitin 2019.

Ndërsa në raport me planet fillestare të qeverisë, në fillimvitin 2020, rënia është edhe më e madhe. Në buxhetin fillestar 2020, të ardhurat totale ishin parashikuar në nivelin 509 miliardë, teksa realizimi është 85 miliardë lekë (696 mln euro) më pak ose 16.8% më i ulët.

Të dhënat më të detajuara deri në fund të muajit nëntor tregojnë së rënia ka përfshirë të ardhurat nga të gjitha grupet e tatimeve dhe taksave.

Peshën më të madhe e mbajnë të ardhurat e munguara nga TVSh-ja, tatimi mbi fitimin dhe akciza.

Por qeveria dhe përkatësisht, Ministria e Financave, janë treguar optimiste për rritjen arkëtimeve gjatë periudhë afatmesme 2021-2024.

Të ardhurat totale të buxhetit për tre vitet në vijim (2022–2024) parashikohet të rriten mesatarisht me rreth 7.1% në çdo vit. Më specifikisht, 6.9% për vitin 2022, 7.6% për 2023 dhe 6.9% për 2024. Të ardhurat tatimore për këtë periudhë parashikohen me një rritje mesatare vjetore prej rreth 8.1 përqindësh.

Parashikimet për grumbullimin e të ardhurave në periudhën afatmesme janë më të larta se ritmet e rritjes ekonomike që për të njëjtën periudhë janë (me 4-5) në vit. Ecuria historike ka treguar se qeveria vetëm në pak raste ka arritur të grumbullojë të ardhura më shumë se ritmet e rritjes reale.

Në ecuri të drejtë me parashikimet mbi të ardhurat, Ministria e Financave njofton se burimet totale të qeverisë për t’u shpenzuar gjatë viteve 2022–2024 pritet të jenë mesatarisht në rreth 602.1 miliardë lekë në çdo vit, ose mesatarisht rreth 31.2% e PBB-së.

Investimet publike janë programuar të mbahen në një nivel mesatarisht prej rreth 4.8% të PBB-së në çdo vit (vetëm nga qeveria qendrore, pa përfshirë ato nga qeveria lokale).

Pas stimujve fiskalë të vitit 2020 për të përballuar pasojat e tërmetit dhe pandemisë, politika fiskale për periudhën 2022-2024 do të riorientohet drejt konsolidimit fiskal, me qëllim uljen e borxhit publik që ka kaluar nivelet më të larta historike në vitin 2020 me mbi 80% të PBB.

Për shkak të borxhit publik të lartë, qeveria shqiptare e pati të vështirë të ofrojë një paketë solide ndihme tek bizneset dhe individët që u prekën nga pandemia./B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of