Për t’u marrë me pasojat e pandemisë, qeveria greke do të lëvrojë rreth 10 miliardë euro si një masë mbështetëse për bizneset dhe punonjësit, deklaroi ministri i Financave Christos Staikouras.
Nga ana tjetër ai paralajmëroi se “sa më gjatë të zgjasë kriza në një nivel global, europian dhe kombëtar, aq më e vështirë do të jetë detyra e qeverisë për të arritur qëllimet e periudhës së mëparshme në një periudhë kaq të shkurtër kohe”.
Paketa e re e masave pritet të ofrojë lehtësim deri në fund të vitit.
Staikouras tha se recesioni ekonomik në Greqi nuk ka intensitetin e atij që është në vendet e tjera dhe se ekonomia greke kishte baza të forta që e mbajtën ekonominë në zhvillim muajt e fundit, duke shtuar se qeveria mori masa të shpejta gjatë krizës së pandemisë.
Ministri tha se faza e fundit e fondit të garancisë për ndërmarrjet e vogla të mesme greke pritet të fillojë menjëherë.
Po ashtu edhe programi SYN-ERGASIA i Greqisë që synon të forcojë punësimin dhe të mbrojë vendet e punës, do të zgjatet deri në fund të vitit.
Edhe turizmi po përparon sipas skenarit bazë.
“Të ardhurat nga udhëtimet ishin 680 milionë euro në gjysmën e parë të vitit, 800 milionë në korrik dhe rreth 1.5 miliardë euro në gusht. Kjo do të thotë se ka mjaftueshëm të ardhura nga turizmi”.
Të ardhurat e buxhetit të shtetit u rritën krahasuar me parashikimet fillestare dhe “bazuar në të dhënat aktuale ne i përmbahemi parashikimit tonë për një recesion ekonomik prej 8 për qind këtë vit”, shtoi ai./Ekathimerini