Puntorët e sektorit publik tash e disa ditë i kanë marrë pagat për këtë muaj. Atyre në llogari rrogat u kanë dalë një javë para kohe. Mirëpo, këtë fat nuk e kanë edhe shumë punëtorë të sektorit privat. Ata madje rrezikojnë të mbesin pa paga në rast të mos-ndërhyrjes nga ana e Qeverisë.
E, pasojat në ekonominë e Kosovës po llogaritet të jenë milonëshe. Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se demi në ekonomi është 10 milionë euro në ditë. Komuniteti i bizneset dhe odat ekonomike po kërkojnë 300 milionë euro për mbështetje së sektorit privat.
Rreth 300 mijë punëtorë të sektorit privat në Kosovë rrezikojnë të mos marrin pagë në muajt në vazhdim nëse nuk kalon pandemia.
Kjo pasi që sipas tijë një pjesë e madhe bizneseve do ta kenë të vështirë t’i paguajnë punëtoret.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gati gjysma e ekonomive familjare në Kosovë kanë përballuar me vështirësi të mëdha një shpenzim të papritur në këtë muaj.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se pasojat në ekonomi nga koronavirusi janë të mëdha.
Ai thotë se pandemia ka goditur direkt apo indirekt të gjithë sektorët e ekonomisë.
“COVID-19 dhe pasojat ne ekonomi. Fakte tjera nga te dhenat preliminare prej sektoreve me te prekur. Sipas perllogaritjeve bazike, demi ne ekonomi eshte 10 milione euro ne dite; ektoret si: Gastronomia, Turizmi, Rekreacioni, Qendrat Tregtare, Çerdhet, Zejtaret, Transporti vendor dhe nderkombetar i udhetareve, Sherbimet estetike etj, kane 0 qarkullim; reth 50% e bizneseve aktive ne vend jane te mbyllura (kjo shifer arrin ne rreth 70% te bizneset e vogla)”.
Rukiqi tregon se sipas përllogaritjeve bazë, janë mbi 100 mijë persona që nuk janë në vendin e punës, që nga vendosja e masave kufizuese, për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
“Kemi renie drastike te konsumit te energjise elektrike dhe te derivateve te naftes. Sipas perllogaritjeve baze, jane mbi 100,000 persona qe nuk jane ne vendin e punes, qe nga vendosja e masave kufizuese, per parandalimin e perhapjes se pndemise. Pandemia ka goditur direkt apo indirekt te gjithe sektoret e ekonomise”.
Kurse, Oda e Afarizmit i ka kërkuar qeverisë që të gjejë mjete për t’i paguar punëtorët e sektorit privat në mënyrë që t’i shpëtojë ndërmarrjet private nga falimentimi.
Kryetari Skënder Krasniqi thotë se është e pamundur të mbijetojnë bizneset pa ndihmë e Qeverisë.
“Një ndër masat kryesore është që të sigurojmë mjetet për pagesat e punëtorëve, janë mbi 300 mijë biznese që sektori privat i ka dhe shumica e të cilave nuk janë duke funksionuar. nëse shteti nuk i siguron, biznesi i ka të pamundur që të siguroj pagat duke qëndruar në shtëpi”.
Nga mbi 300 mijë punëtorë sa ka sektori privat, Krasniqi thotë se rreth 200 mijë nuk janë duke punuar dhe mund të jenë pa paga për muajin prill.
Krasniqi thotë se deri tani ka parë vetëm vullnet deklarativ të Qeverisë, por ende mungojnë hapat praktikë. Ai kërkon edhe zvogëlim të pagave në sektorin publik, në mënyrë që të paguhet sektori privat.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka kwrkuar ulje të pagave për 50% për periudhë për dy muaj për punëtorët e sektorit publik dhe barazimi i tyre me punëtorët e sektorit privat, pasi që të parët janë në pushim të detyrueshëm e të dytët po punojnë.
“Kjo kategori punëtorësh e papërfillur, e pa përkrahur nga askush këtyre punëtorëve edhe sot ju mungojnë pajisjet elementare për mbrojtjen e shëndetit, pra s’ka mbrojtje Institucionale. Këta punëtor përveçse mund të infektohen vetë, këta mund ta infektojnë edhe të gjithë familjen e tyre dhe me gjer dhe si shpërblim për punën e bërë marrin 200 apo 250 euro të cilat shpesh i marrin dhe me vonesa me muaj të tërë, por në te njëjtën situatë janë edhe punëtorët e sigurimit fizik, mos të flasim edhe për atë kategori punëtoresh që punojnë ne kompani të mëdha të ushqimeve që me të vërtet mund të themi këta punëtor janë heronj të paqes ne gjendje të jashtëzakonshme në shërbim të popullatës sonë. Javën e kaluar po edhe në ketë javë vizituam shumë kompani dhe patëm takime me shumë punëtor , qa u vërejt se shumë kompani kanë filluar tu lëshojnë vendime””.
Si pasojë e përhapjes së pandemisë së koronavirusit, rënia e remitencave nga diaspora do të jetë alarmante për Qeverinë e Kosovës sa i përket stabilitetit social dhe parashikimeve buxhetore për vitet në vijim.
Për çdo vit pothuajse nga mërgata janë sjellë në Kosovë mbi 1 miliardë euro.
Kështu ka thënë eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu i cili këtë krizë me pandemi Covid -19, e quan edhe pandemi ekonomike për vitin 2020 dhe 2021, që do të jetë shqetësuese për vendin.
“Indikatori kryesor në të kaluarën kanë qenë remitencat. Unë kam kundërshtuar gjithmonë raportin që kinse në Kosovë kanë hyrë remitenca çdo vit 700 milionë euro, e kam thënë gjithmonë këto janë vetëm të evidentuara nga sektori bankar. Remitencat po thuajse kanë qenë sa një buxhet i një qeverisë së Kosovës. Dhe në këtë drejtim vet fakti që të gjitha shtetet janë goditur nga koronavirusi, shumë biznese dhe kompani ku kanë punuar mërgata jonë, janë të mbyllura ose është pezulluar aktiviteti ekonomik. E tëra kjo do të reflektoj në rënien e mbështetjes nga diaspora për Kosovën. Por, rënia e tyre ose ulja e nivelit të remitancave për Kosovën do të jenë edhe një grusht i stabilitetit social në Kosovë. Do të jetë edhe një grusht i zhvillimit ekonomik në Kosovë, mbi të gjitha do të bie fuqia blerëse. Për tërë këtë, duhet të gjendet një alternativa si të kompensohet”, thotë Gërxhaliu.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, pohon se pasojat nga kjo pandemi, që ka goditur edhe mërgatën, efektet negative do të jenë të mëdha edhe për ekonominë e Kosovës.
“Tani veç jemi në muajin e katërt, me siguri pasojat në aspektin kohor do të jenë më të gjata. Diaspora në të kaluarën ka luajtur një rol të pa kontestuar, por në të ardhmen besoj se nga efektet negative të koronavirusit do të jetë edhe ajo e atakuar dhe me siguri kontributi i tyre nuk do të jetë siç ka qenë në vitet e kaluara”.
Përveç kësaj po kërkohet nga qeveria t’i ulin pagat për punonjësit e sektorit publik, duke mbështetur kështu edhe punonjësit e sektorit privat, që nuk janë aktiv rreth 80 për qind e tyre që prej shfaqjes së Covid-19.
Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se bizneset kanë rënë për toke, dhe plan të mirë ende jo.
“Që nesër fillojmë planifikimin për intervenimin ekonomik në Prishtinë. Jam i gatshëm të punojë me gjithsecilin pa marr parasysh përkatësinë politike. Jam i gatshëm të kontribuojmë në çfarëdo beteje të nivelit qendror me pandeminë”, ka shkruar Ahmeti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.