Për shkak të pandemisë qeveria u detyrua të ndryshojë 3 herë buxhetin e shtetit, ku për vitin 2020 parashikon rënie të ardhurash buxhetore dhe rritje të shpenzimeve.
Ministrja e Financave, Anila Denaj deklaroi në seancën e Kuvendit për miratimin e Aktit Normativ të buxhetit se efektet negative nga Covid-19 do të rrisin ndjeshëm deficitin buxhetor, nivelin e borxhit publik, ndërsa rritja ekonomike do të shënojë rënie.
“Rritja e deficitit buxhetor me 8,4% dhe e borxhit publik në nivelin 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto është një periudhë e përkohshme e cila vjen si një domosdoshmëri.
Në vlerësimin tonë është parashikuar një rritje reale negative prej -4.3% në vitin 2020 e shoqëruar me një rritje të konsiderueshme në 3 vitet e ardhshme dhe si rrjedhojë e zhvillimeve në vend rritjes së investimeve dhe konsumit”, thekson ministrja e Financave.
Të ardhurat buxhetore për 2020, sipas Aktit Normativ të buxhetit parashikohen të jenë me rënie, ndërsa plani për shpenzimet nuk do të jetë me rënie.
Ministrja Denaj nënvizon se të ardhurat buxhetore kundrejt planit fillestar të vitit 2020 si rrjedhojë e impaktit negativë të pandemisë Covid-19 do të reduktohen në masën -63.1 mld lekë.
“Si rezultat i efekteve të mbylljes në 6 muajt të vitit të ardhurat nga tatimet dhe doganat u reduktuan me -17% krahasuar me vlerësimin fillestar të të ardhurave.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.