Pasqyrë, moj pasqyrë…

05/03/2019 2:17 PM 0 komente

regu i produkteve kozmetike në Shqipëri po sheh zgjerim çdo vit, me kërkesën në rritje të konsumatorëve, që mbështetet nga importet e larta dhe që përkthehet në fitime për bizneset e këtij sektori. Teknologjia nxit shitjet, kremrat e fytyrës janë produktet më të shitura, femrat dominojnë klientelën dhe aktorët e tregut ‘përfitojnë’ nga etja e shqiptarëve për bukuri. Problem mbetet kontrolli i cilësisë së produkteve…

 

Nga Deada Hyka

 

Sot është e rrallë të shohësh një femër që nuk aplikon “elementet magjike”, të cilat përmirësojnë pamjen e saj të jashtme, duke e tjetërsuar fytyrën dhe duke i dhënë bukurisë një tjetër kuptim. Po të marrim një mesatare prej 15 minutash në ditë përkushtim për kozmetikën, një femër përllogaritet të shpenzojë 91 orë në vit, ose ndryshe 4 ditë në çdo vit të jetës së saj.

Pagat më të ulëta se shumë vende të tjera në rajon nuk i pengojnë shqiptarët të shpenzojnë një pjesë të mirë të të ardhurave për të blerë produkte kozmetike. Sipas tre aktorëve të rëndësishëm në tregun e kozmetikës në Shqipëri, shqiptarët shpenzojnë shumë për kozmetikë, ndonëse nuk ka shifra të qarta se çfarë pjese të tortës totale të shpenzimeve zënë produktet kozmetike.

Kompanitë shpërndarëse të sektorit të kozmetikës pohojnë se shijet janë sofistikuar dhe kërkesat në rritje nxiten nga diversifikimi që ka tashmë ky sektor. Në fjalë të thjeshta, përfaqësuesit e shitjes nga CP Cosmetics dhe IMI Farma, pohojnë se duke nisur nga shampot, bojërat e flokëve dhe produktet derivate të kujdesit të flokëve, produktet e kujdesit të lëkurës, make up dhe buzëkuq: ka blerës për të gjithë segmentet e produkteve.

Ndikimi i reklamave, sidomos në rrjete sociale, sugjerimet e një mikeje apo më shumë udhëtime jashtë Shqipërisë, kanë bërë që femrat shqiptare të shpenzojnë gjithnjë e më shumë nga buxheti i tyre për kremra, parfume apo produkte kozmetike. Markat më të njohura në tregjet ndërkombëtare dhe emrat e kompanive më të mëdha ndërkombëtare të prodhimit të produkteve kozmetike janë tashmë të njohura pothuajse në të gjithë tregun shqiptar. Madje, “etja” në treg për këto produkte kanë shtuar dukshëm bizneset në këtë sektor vitet e fundit.

 

Efekti buzëkuq

Më pak make up, por më shumë buzëkuq. Kompanitë shpërndarëse të produkteve kozmetike pohojnë se në sektorin e tyre, ka pasur rritje të ndjeshme në çdo vit. Nga CP Cosmetics thonë se, femrat shqiptare kur vjen puna për shpenzime të këtij lloji janë “dorëlëshuara”.

Në botë është i njohur efekti “lipstick” dhe kjo duket se vlen edhe për Shqipërinë. Efekti “buzëkuq” mbështetet në teorinë se kur përballen me një krizë ekonomike, konsumatorët do të jenë më të gatshëm për të blerë mallra luksoze më pak të kushtueshme. Në vend të blerjes së palltove të shtrenjta me materiale cilësore si pellushe apo lëkurë për shembull, femrat do të blejnë buzëkuq të shtrenjtë. Supozimi themelor, sipas teorisë, është se konsumatorët do të blejnë mallra luksozë edhe nëse ka një krizë.

Kur besimi i konsumatorit në ekonomi është i ulët, njerëzit do të blejnë mallra që përmbushin kërkesat luksoze “pa thyer” bankën, thotë teoria. Jashtë tregut të kozmetikës, konsumatorët mund të blejnë pije të shtrenjta ose të zgjedhin një Audi mbi një Ferrari.
Psikologjikisht ndodh kështu: është shumë më e lehtë që një pjesë e të ardhurave të shkojë për një darkë dhe film të bukur, se sa për pushime verore jashtë Europe.

Në Shqipëri, paga mesatare është rreth 50 mijë lekë, niveli i papunësisë sipas INSTAT për moshën 15 vjeç e lart është 12.2%; ndërsa tek të rinjtë 23,2%, Banka e Shqipërisë tregoi se besimi në ekonomi ra në tremujorin e katërt të 2018-s. Por, shitjet në kozmetikë kanë qenë në rritje të vazhdueshme.

 

 

Importet

Në vend nuk prodhohet asnjë nga produktet kozmetike, ndaj tregu i tyre varet tërësisht nga importi. Sipas të dhënave të Doganave, importet e përgatitjeve të parfumeve, kozmetikës, tualetit ka shënuar rritje të ndjeshme vit pas viti, për të arritur në 2018-n, në rreth 58 milionë euro, duke u katërfishuar në krahasim me vitin 2005. Shteti kryesor nga ne i marrim produktet e kozmetikës dhe të parfumeve është Italia, me 28% të totalit të importuar në 2018-n. Në vend të dytë është Gjermania, me 17% të totalit, e ndjekur nga Fraca me 8.5%.

Vetëm për importet e kozmetikës, sipas të dhënave nga Doganat për të dhënat e 2017-s, kremrat e fytyrës përbëjnë 70% të totalit, ndërsa buzëkuqet rreth 10%. Përfaqësuesit të shitjes pranë Rossman Lala sh.p.k., thonë se kremrat janë një ndër produktet më të kërkuara në gamën totale të ofruara në dyqane. Edhe përfaqësuesit e L’Occitane, En Provence, një markë franceze me disa vite përvojë në Shqipëri, theksojnë se kremrat kryesojnë blerjet, ndjekur nga parfumet dhe preparate të tjera kozmetike.

 

 

Treg në zgjerim

Është e vështirë që në rrugë të ndryshme në Tiranë të mos ndeshesh me dyqane që tregtojnë produkte kozmetike, shembull është rruga “Myslym Shyri” dhe rruga “Abdyl Frashëri”, ku numri i tyre i tejkalon 6 të tilla. Përfaqësues të shitjeve pranë Fresh Line, Yves Rocher dhe Beauty Line pohojnë se është rritur numri i klientëve, dhe ai i shitjeve, sidomos në sezone të caktuara që përkojnë me festa apo evente të ngjashme.
Sipas bilanceve të tre kompanive që operojnë prej disa vitesh në Shqipëri, tendenca është kryesisht në rritje të produkteve kozmetike.

Kompania Rossman Lala ka pasur në total në 2017, 2.2 mld lekë shitje, ku pjesa kryesore e produkteve që tregtohet në dyqan janë kozmetike. Krahasuar me vitin 2016, ka pasur një rritje prej 13% të shitjeve në dyqanet e tyre të linjës. Sipas përfaqësuesve të shitjes pranë kësaj kompanie, shitjet më të mëdha gjenerohen nga dyqanet në qendrat tregtare, duke qenë se fluksi i vizitorëve është më i madh.

Edhe nga kompania LR Health and Beauty Albania vihet re rritje në vlerën e shitjeve në vitin 2017, me 10% nga viti paraprak, duke arritur në total me rreth 26 mln lekë. Ndërsa qarkullimi i kompanive Avon ka qenë më i lartë në po të njëjtin vit, me rreth 300 mln lekë, por sipas bilancit të tyre, ka pësuar një tkurrje me rreth 12.5% krahasuar me 2016. Kompanitë raportojnë se 2018-a ka qenë një vit shumë i mirë për to në terma të shitjeve, megjithatë bilancet e tyre për këtë vit priten të dorëzohen disa muaj më vonë.

 

 

Dominojnë femrat, por …

Femrat shqiptare i kushtojnë shumë rëndësi përkujdesjes ndaj fytyrës dhe më pak ndaj trupit. Megjithëse kultura e kujdesit ndaj vetes është rritur, gjë që konfirmohet edhe nga rritja e kompanive që importojnë dhe tregtojnë produkte kozmetike, si dhe qendrat e bukurisë, duket se shqiptarët vijojnë t’i japin rëndësi kujdesit të fytyrës.

Femrat, konsumatoret kryesore të këtyre produkteve, duket se po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi vetes. Sipas përfaqësuesve të disa prej kompanive që operojnë në treg, kultura për kujdesin ndaj vetes është rritur. Shpesh, reklamat në rrjete sociale kanë nxitur femrat që të shpenzojnë gjithnjë e më shumë nga buxheti i tyre për kremra, parfume dhe produkte të tjera si për shembull fondatina e buzëkuqe.
Në vitet e fundit, kompani si Avon Cosmetics Albania dhe LR Heath and Beauty Albania raportojnë rritje të kërkesës edhe të meshkujve për produkte bukurie, më së shumti për kremra fytyre.

Forma të ndryshme tregtie (nga shitjet direkte të produkteve Avon apo LR përmes klientëve të privilegjuar deri te një formë e tregut masiv të përfaqësuesve të L’Oreal) kanë bërë që në tregun e kozmetikës të ketë vend për të gjitha produktet. Edhe prania e shumë produkteve ndërkombëtare prej disa vitesh në Shqipëri, pohon ‘etje’ për sa më shumë produkte dhe kërkesa në rritje çdo vit. CP Cosmetics pohojnë për “Monitor” se aktivitetin e tyre e nisën në 1994, duke sjellë dy firma italiane të bojërave të flokëve dhe më pas të kremrave, duke arritur vitin që shkoi në 8 linja produktesh, me 5-10 nënprodukte në secilën kategori. Kompania shpërndarëse pohon se furnizon disa nga qendrat e parukerisë dhe estetikës më të mëdha në të gjithë Shqipërinë dhe nëpërmjet tyre, kanë konstatuar edhe kërkesat në rritje, përmes shitjeve me pakicë.

Ndërkohë edhe përfaqësi të tjera që kanë marrë ekskluzivite në firma të tjera, por dhe tregtarë të thjeshtë duket se po ecin mirë në tregun e bukurisë. Sipas kompanive në treg, konsumatorët kryesorë të këtyre produkteve mbeten femrat e moshës 20 deri në 45 vjeç.

 

 

Suplementet në rritje

Sipas një vëzhgimi në shumë farmaci në kryeqytet, dy janë produktet që reklamohen më së shumti në vitrinat e tyre, suplementet ushqimore ose dietike, si dhe produktet kozmetike ku dominojnë kremrat antirrudhë për fytyrën dhe ato kundër celulitit për trupin.

Suplementet dietike ose ushqimore shpesh merren për të përmirësuar shëndetin duke u furnizuar me minerale dhe vitamina të shtuara, të cilat mund të mos jenë në ushqimet që konsumojmë çdo ditë.

Megjithatë, ka një rrezik që ka të bëjë me konsumin e tyre. Vasilika, farmaciste prej 50 vitesh në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet, pohon se kohët e fundit është abuzuar në shitjet e suplementeve të tilla, të cilat sipas saj, janë “marrëveshje të distributorëve me farmaci të ndryshme, për të shitur sa më shumë”. “Kujdes me konsumin e më shumë vitamina dhe minerale nga sa rekomandohet, kjo ju vë para një risku për shëndetin.

Shumë njerëz marrin multivitamina çdo ditë për t’u siguruar që janë duke marrë të gjithë nutrientët e nevojshëm për sistemin e tyre, por si për çdo medikament, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun”, – pohon ajo, e cila shton se shpesh suplementet jepen nga instruktorët e palestrave apo nga dietologët. “Kurthi i suplementeve qëndron në dëshirën e femrave kryesisht për t’u dobësuar apo për t’u dukur më mirë. Por, jo të gjitha suplementet ushqimore që mund të gjeni në treg janë të monitoruara”, -thotë në fund Vasilika.

 

Vlogu nxit shitjet

Në botë, 81% e konsumatorëve kërkojnë në internet para se të marrin një vendim blerjeje. Ndaj, vlerësohet se konsumatorët janë duke investuar shumë më tepër se më parë, pikërisht në këtë fazë të procesit të blerjes. Me qasje në oferta të tilla të ndryshme të produkteve online, konsumatorët po shpenzojnë kohë për të hulumtuar kozmetikë përmes vlogs, tutoriale online dhe forume.

Konsumatorët po kërkojnë të eliminojnë çdo rrezik para blerjes dhe duan të dinë se si të përdorin një produkt dhe çfarë do të duket më përpara, përpara se të kryejnë një shitje. Nga kjo frymë që po zhvillohet prej disa vitesh në Shqipëri, huazuar nga jashtë, duket që po përfitojnë një grup i caktuar në tregun e kozmetikës që janë pikërisht: vlogerat.

Sara Karaj, një ndër vlogerat më të ndjekura të momentit, pohon se videot e saj në YouTube arrijnë deri në dhjetëra mijë shikues. Kjo nxit zhvillimin e bizneseve të reja në koncept, që kanë pasur zhvillim të lartë kudo në botë vitet e fundit: kompanitë më të mëdha në botë paguajnë dhe furnizojnë me produkte këto vlogera, të cilët kanë ndikim të lartë në promovimin e disa produkteve të ndryshme dhe në shitjen e tyre. Në botë, shembull është fondatina e Estee Lauder, e cila kushton 40-45 dollarë, shitjet e së cilës kanë ‘fluturuar’ vetëm nga promovimi i vloger-ave online.

 

 

Produktet aziatike

Një numër i madh i grave aziatike duken shumë më të reja se sa janë në të vërtetë. Kjo ka nxitur në mbarë botën një rritje të shitjeve të produkteve të tyre të kozmetikës. Edhe në Shqipëri, në treg gjen shumë të tilla, të cilat kanë humbur skepticizmin e mëparshëm, pasi shqiptarët kërkonin vetëm produkte europiane. “Një krem fytyre nga Koreja kushton shumë më pak se një francez dhe të dy kryejnë të njëjtin proces”, – thotë një shitëse në një dyqan me produkte të tilla në Rrugën e Kavajës.

Sipas burimeve, në disa dyqane të tilla në Shqipëri, Qeveria në Korenë e Jugut luan një rol të madh në funksionimin e së gjithë industrisë së kozmetikës, pasi ajo mbështet markat vendase, kontrollon cilësinë e përbërësve të përdorur, blen pajisje moderne dhe investon në formula kozmetike, subvencionon laboratorët hulumtues, etj. Të gjitha këto fakte rrisin cilësinë e përgjithshme të produkteve dhe ulin ndjeshëm shanset e dikujt për të pasur ndonjë alergji ndaj tyre, ndaj dhe janë shtuar ndjeshëm produktet e tilla në tregjet europiane.

Një tjetër kategori produktesh që po preferohet në Shqipëri janë produktet natyrore, të importuara kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme. Shitës të ndryshëm të dyqaneve me këto produkte në Rrugën e Kavajës, pohojnë se produktet për fytyrën, trupin dhe flokët me vaj argani, arrë kokosi, avokado, ekstrakte aloe vera etj., janë ndër më të kërkuarat dhe të shiturat.

 

 

Kozmetika bio

Edhe pse produktet BIO kanë çmime më të larta dhe nuk janë të përballueshme për të gjithë, një pjesë e mirë e tyre ia lejojnë vetes përdorimin e tyre. Anta Haxhiraj nuk e mendonte se linja e saj e produkteve bio kozmetike do të kishte sukses, kur nisi të prodhonte kremrat e parë, bazuar në njohuritë e saj si dermatologe.

Aq më pak nuk e mendonte se blogu i saj cocomed.al do të ishte burim frymëzimi dhe që do t’u përcillte lexueseve femra njohuri për kozmetikën bio. Anta, pas dy viteve, tregon se tashmë konceptimi i ‘bio’ ka ndryshuar, femrat shqiptare janë ndërgjegjësuar, e përveç produkteve të prodhuara vetë, në dyqanin e saj ka sjellë dy marka të njohura organike, PuroBIO Cosmetics dhe Biofficina Toscana. Produktet e certifikuara 100% natyrale, tregtohen në disa dyqane e farmaci të Tiranës dhe qyteteve të tjera. Ajo thotë vetë, se që kur ishte studente mjekësie, kishte ëndrrën për të qenë një dermatologe e zonja dhe ndjeu që i ndryshoi jeta kur nisi të përdorte produktet biologjike.

 

Studimi

Në botë, një femër shpenzon mesatarisht rreth 21.000 euro për produkte kozmetike gjatë jetës. Një studim i bërë nga SuperDrug ka kalkuluar faturën mesatare vjetore me rreth 332.06 euro. Pra, nëse e shikoni një femër nga mosha 18 deri në 80 vjeç se sa shpenzon për gjëra të tilla, shuma e konsumit i bie të jetë përafërsisht 21.000 euro. Femrat blejnë 38 produkte të ndryshme për fytyrën e tyre çdo vit dhe 2.455 gjatë tërë kohës deri në të tetëdhjetat. Ky duket të jetë një numër shumë i madh i produkteve, por edhe një shumë e tepruar e të parave. Por, pronaret e kozmetikave theksojnë se kjo nuk është asgjë, ka që investojnë edhe më shumë për kujdesin ndaj bukurisë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of