Password Manager zëvendëson një bllok ku mbahen shënim të gjithë fjalëkalimet në mënyrë të sigurt, automatike dhe dixhitale
Mos përdorni kurrë të njëjtin fjalëkalim
Siguria e të dhënave është thelbësore. Por, nuk duhet të ndiheni shumë të sigurt vetëm sepse përdorni një fjalëkalim. Është e rëndësishme që ju të zgjidhni një të tillë jo të thjeshtë dhe, mbi të gjitha, të mos përdorni të njëjtin fjalëkalim për të gjithë account-et. E, megjithatë, sipas një studimi të Virginia Tech, 50% e njerëzve bën pikërisht këtë gjë. Në këtë mënyrë, edhe nëse vetëm një account i juaji bie pre e hacker-ave, ata mund të marrin aksesin e gjithë account-eve të tjerë. Në anën tjetër, nuk është e thjeshtë të mbani mend të gjithë fjalëkalimet dhe për këtë arsye, mund të jetë e dobishme të përdorni një Password Manager.
Për çfarë bëhet fjalë
Një Password Manager zëvendëson një bllok ku mbahen shënim të gjithë fjalëkalimet në mënyrë të sigurt, automatike dhe dixhitale. Software ju ndihmon në krijimin e fjalëkalimeve të reja dhe ruajtjen e tyre. Në disa raste, ju ndihmon të ruani edhe numrat e kartës së kreditit, adresat, llogaritë bankare dhe informacione të tjera. Kjo kasafortë me të dhëna të ndjeshme mbrohet më pas nga një fjalëkalim i vetëm. Mjafton vetëm që të mbani mend këtë të fundit për të pasur akses te të gjitha fjalëkalimet e tjera, nga kompjuteri, smartphone apo tablet.
Versioni i Google dhe Apple
Ju mund të krijoni dhe të ruani fjalëkalime me Google Smart Lock, duke përdorur Chrome e Android apo Keychain të Apple, për Safari dhe iOS. Një Password Manager i mirë, shkon përtej – ai ju njofton kur ju po përdorni sërish të njëjtin kombinim alfanumerik apo kur ato janë të dobët apo të thjeshtë për t’u gjetur dhe për t’u sulmuar.
1Password
Ndër software-t më të mirë për menaxhimin e fjalëkalimeve është 1Password. Ai raporton të gjitha dobësitë, ripërdorimet apo sulmet nga hacker-at. Tarifat variojnë në bazë të përdorimit.
LastPassFree
Nëse nuk doni të shpenzoni para, një ndër software-t më të mirë pa pagesë është LastPassFree. Është shumë i thjeshtë për t’u përdorur dhe funksionon në çdo kompjuter, tablet apo telefon.
Burimi: Corriere della Sera