Një projektligj i Ministrisë së Drejtësisë, që synon të rregullojë profesionin e agjentit të pasurive të paluajtshme, parashikon ndër të tjera edhe përfshirjen e këtyre të fundit në sistem raportimi, në rast se ka dyshime për pastrim parash.
Sipas ministrisë, qëllimi fillestar i kësaj nisme ligjore është rregullimi brenda standardeve i këtij profesioni të lirë, ashtu sikurse veprohet sot me profesione të tjera si noteria, avokatia apo përmbaruesi.
“Përcaktimi i rregullave kombëtare për ushtrimin e profesionit të agjentit të pasurive të paluajtshme është një nga prioritetet në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës, reformës së shërbimeve publike të ofruara nga profesionet e lira, (noteria, avokatia, përmbaruesi, agjenti i pasurive të paluajtshme) që do të synojë shërbime ligjore, sa më cilësore dhe profesionale për qytetarët duke siguruar standarde profesionale për ofrimin e shërbimit të ndërmjetësimit të transaksioneve me objekt pasuritë e paluajtshme.
Projektligji ka si objektiva kryesorë:
Të përcaktojë rregulla të thjeshtuara për ushtrimin e profesionit të agjentit të pasurive të paluajtshme, si një profesion i lirë dhe i rregulluar në përmbushje të qëllimit për ndërmjetësimin e veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të drejtave reale mbi to në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Të vendoset një kornizë ligjore për përparimin e e luftës për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Detyrimi për të raportuar nga agjentët e pasurive të paluajtshme pranë strukturave përgjegjëse të autorizuar me ligj, në rast dyshimi për pastrim parash gjatë kryerjes së transaksioneve që lidhen me pasuritë e paluajtshme.
Në këtë drejtim, është përgatitur projektligji “Për agjentët e pasurive të paluajtshme”, i cili ka si qëllim përcaktimin e rregullave për ushtrimin e profesionit të agjentit të pasurive të paluajtshme, të drejtat, detyrimet, masat disiplinore, rregullat e caktimit të tarifave, si dhe marrëdhëniet e agjentëve të pasurive të paluajtshme me të tretët” thuhet në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.