Pastrimi i parave, AMF fut në vigjilencë të zgjeruar fondet e investimeve e pensioneve dhe kriptovalutat

10/08/2020 11:01 PM 0 komente

Pas propozimeve të Moneyval (një mekanizëm i Komisionit Europian që bën vlerësimin e riskut të pastrimit të parave) Shqipëria është futur dy vitet e fundit në një proces të vazhdueshëm të ndryshimeve ligjore.

Së fundmi Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka përshtatur disa prej këtyre ndryshimeve edhe në rregulloret e tij duke pasqyruar kështu ato ndryshime që janë bërë në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave.

Me vendimin e fundit të korrikut në rregulloren “Mbi masat e vigjilencës së duhur dhe të zgjeruar nga subjektet e ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, janë bërë disa shtesa dhe ndryshime.

Së pari në vigjilencën e zgjeruar janë shtuar edhe dy kategori të tjera subjektesh përveç atyre që ishin më herët. Këto dy kategori janë shoqëritë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe të fondeve të pensioneve, si dhe agjentët e tyre si dhe çdo person fizik ose juridik, i cili merret me ofrimin e shërbimeve të mjeteve virtuale. Më herët në vigjilencë të zgjeruar ishin bursat dhe kompanitë e sigurimit dhe risiguruimit.

Në të njëjtën rregullore qartësohen termat që kanë të bëjnë me mjetin virtual pra çfarë nënkupton ky term  si dhe ofruesi i shëbrimeve të mjeteve virtuale. Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë u miratua ligji që legalizon kriptomonedhat në vendin tonë duke e bërë Shqipërinë ndër të paktat vende që kanë marrë këtë iniciativë që konsiderohet me risk të lartë.

Rregullorja përfshin detyrimin e subjekteve për që të marrin masat e ‘vigjilencës së thjeshtuar”, “vigjilencës së duhur” dhe “vigjilencës së zgjeruar” në rastet e përcaktuara në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.”

I njëjti dokument thekson se subjektet hartojnë politika, udhëzime apo procedura të brendshme për pranimin, identifikimin, regjistrimin, monitorimin, administrimin e rrezikut si dhe raportimin e transaksioneve të klientëve. siç përcaktohet në nenin 2, pika 21, si dhe në nenin 11 dhe 12 të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave.

“Subjektet hartojnë rregullat dhe procedurat e nevojshme për zbatimin e masave kundër financimittë terrorizmit, të cilat parashikojnë në veçanti hapatqë duhet të ndjekin, rolin e strukturave të subjekteve në këtë proces si dhe autoritetin ku duhet të raportojnë, me qëllim sigurimin e parandalimit të lëvizjes dhe përdorimit të fondeve të personave dhe subjekteve të përfshirë në financimin e terrorizmit apo prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë, në përputhje me listat e personave të shpallur dhe sanksioneve përkatëse të përcaktuara në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Për zbatimin e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientëve subjektet duhet të kërkojnë praninë fizike të klientëve dhe të përfaqësuesve të tyre, para se të vendosin një marrëdhënie biznesi.

Subjektet miratojnë dhe zbatojne procedura specifike të administrimit të rrezikut në rastet e transaksioneve apo marrëdhëniet e biznesit, të kryera pa praninë fizike të klientit.

Subjektet duhet të zbatojnë politika dhe të marrin masat e duhura, sipas rastit, për identifikimin dhe vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që lidhen me:

a) Zhvillimet e produkteve të reja, praktikat e biznesit, mënyrat e ofrimit apo kanalet e shpërndarjes;

b) Përdorimin e teknologjive të reja apo atyre që janë në zhvillim. Këto masa duhet të zbatohen përpara futjes në përdorim të produkteve të reja dhe praktikave të biznesit apo teknologjive të reja, për produktet e reja dhe ekzistuese, në mënyrë që të administrohen dhe të ulen rreziqet e identifikuara.

Subjektet në rastin kur mbështeten në palë të treta, zbatojnë kërkesat e parashikuara në nenin 6/1 të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave”, thuhet në rregullore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of