Në korrik 2018, Moneyval mbajti takimin e radhës ku u diskutua raporti i Shqipërisë sa u përket masave për parandalimin e pastrimit të parave. Në dhjetor të vitit të shkuar u bë publik vlerësimi që nuk ishte edhe aq pozitiv, duke e kaluar vendin tonë tek ata në ndjekje. Kjo do të thotë që Shqipërisë iu la një vit kohë për të marrë masa. Një paketë me tre projektligje, prezantuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, synon pikërisht reflektimin e kritikave të Moneyval. Kjo lidhet me transparencën e ortakëve në biznes, uljen e qarkullimit të parasë cash, duke çuar çdo biznes me qarkullim mbi 2 milionë lekë në bankë dhe disa masa shtesë në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave
Tre projektligje ende në fazë diskutimi në komisionet parlamentare synojnë të mbyllin shtigjet e informalitetit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ato vijnë si reflektim i kërkesave të Moneyval (njësi e Këshillit të Europës që bën vlerësimin për masat kundër pastrimit të parave) që e përfshiu vitin e shkuar Shqipërinë në listën e vendeve që monitorohen për një vit, për të parë masat që do të merren, pjesë e të cilave janë edhe këto rregullime specifike.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila mbrojti edhe ndryshimet në kuadrin ligjor pranë Komisionit të Ekonomisë, ka theksuar se paketa me tre projektligje si “Për regjistrimin e biznesit”, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për masat kundër financimit të terrorizmit” synon përmbushjen e rekomandimeve dhe adresimin e problematikave të evidentuara në raportin e vlerësimit të Komitetit Moneyval të Këshillit të Europës, për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
“Penalitetet nuk duhet të jenë qëllim në vetvete, as për biznesin dhe as për Ministrinë, por duhet të jenë në funksion të nxitjes së biznesit të ndershëm përmes respektimit të procedurave dhe afateve ligjore të deklarimit, regjistrimit dhe hapjes së llogarive bankare, çka do të luajë rol të rëndësishëm në reduktimin e ekonomisë informale dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, – tha Denaj. Por çfarë ndryshimesh sjellin në vetvete tre projektligjet?
Ndryshimet që sjell projektligji “Për regjistrimin e biznesit”
Dy janë risitë që sjell në vetvete ndryshimi në ligjin “Për regjistrimin e biznesit. Së pari, një transparencë më të madhe në rastet e ndryshimit të ortakut në një biznes, çka duhet të deklarohet sipas afateve të përcaktuara. Së dyti, parashikimin e penaliteteve për ata që nuk zbatojnë këtë pikë. Konkretisht, sipas draft-ligjit aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji.
Po kështu, parashikohet që aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet bashkërisht nga të gjithë themeluesit ose nga administrator i shoqërisë, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. “Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike, me të cilat lidhen pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet, mund të kryhet, gjithashtu, dhe nga anëtari, ortaku apo aksioneri, të cilit ata i përkasin, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre”, thuhet në projektligj.
Po kur kjo nuk ndodh? Projektligji ka parashikuar që moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik brenda 30 ditëve kalendarike, nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, 100 mijë lekë.
Ndërkohë, për shoqëritë aksionere mosplotësimi i detyrimit të përcaktuar në pikën 4, të nenit 43, të këtij ligji, ku përcaktohet se: “shoqëria aksionere nuk detyrohet të njoftojë çdo transferim të aksioneve. Shoqëria, së bashku me bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit njofton listën e plotë të aksionerëve të regjistruar me të dhënat e tyre të identifikimit për aksionet nominative, si dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj”, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100 mijë lekë.
Ndryshimet në projektligjin “Për procedurat tatimore”, risitë
Raporti i “Moneyval”, që vuri në lëvizje qeverinë për shkak të theksit që kishte vënë te hapësirat që ekzistojnë në kuadrin ligjor që mund të lehtësojnë pastrimin e parave, duket se u reflektua menjëherë në një plan pune. Në datën 4 shtator 2018, Komiteti për Bashkërendimin e Luftës Kundër Pastrimit të Parave (KBLKPP), nën drejtimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, miratoi edhe një plan veprimi, duke caktuar për çdo masë afate dhe institucione përgjegjëse.
Projektligji “Për procedurat tatimore” duket se ishte një tjetër hallkë ku duhej ndërhyrë dhe që nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë janë sjellë disa ndryshime. Por cilat janë risitë që sjell në fakt drafti që pritet të marrë shumë shpejt fuqi ligjore. Së pari, synohet reduktimi i ekonomisë informale dhe përdorimit të parasë fizike nga bizneset. “Për këtë qëllim, duke adresuar njëkohësisht rekomandimet e Komitetit Moneyval, propozohet të sanksionohet në ligjin për procedurat tatimore, detyrimi i të gjithë tatimpaguesve persona fizikë/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse për të pasur llogari bankare biznesi.
Ndërkohë, parashikohet që të mos jenë subjekte të këtij detyrimi tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë, të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulëta. Për këtë arsye, është marrë për referencë, kufiri i regjistrimit për përgjegjësinë tatimore: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar” thuhet në relacion. Kjo do të thotë që çdo biznes me qarkullim mbi 2 milionë lekë duhet që të ketë një llogari bankare.
Projektligji parashikon që subjektet e regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, apo administratën tatimore, duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Subjektet e regjistruara rishtas duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 20 ditë kalendarike pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/administratën tatimore dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Të gjithë ata që nuk arrijnë të realizojnë në kohë kërkesat e përcaktua në ligj janë vendosur penalitete.
Si aplikohen penalitetet për ata që nuk hapin llogari bankare
Projektligji parashikon që biznesi dhe OJF-të janë të detyruara të hapin llogari bankare dhe nëse kjo nuk ndodh, ato do të penalizohen. Për secilën kategori, masa e gjobave është e ndryshme. Kështu tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me qarkullim deri në 8 milionë lekë, gjobë në masën 50 mijë lekë. Tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8 milionë lekë, gjobë në masën 100 mijë lekë dhe së treti organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75 mijë lekë. Në rast se subjekti nuk ka llogari bankare për transaksionet që kryen edhe pas dënimit si më sipër, dënohet me dyfishin e gjobës së parë.
Ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave”
Projektligji i tretë që është pjesë e paketës së “imponuar” nga Moneyval është edhe ai për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit”. Qëllimi i këtij projektligji, sipas relacionit, është mbrojtja e sistemit financiar dhe e ekonomisë në tërësi nga kërcënimet e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, duke forcuar integritetin e sistemit parandalues në vend dhe duke kontribuar për paqen dhe sigurinë. Por cilat janë ato që ndryshojnë. Së pari, bëhet një sqarim i një sërë termave lidhur me shërbimet korrespondente nga bankat dhe institucionet e tjera financiare.
Së dyti, te personat e ekspozuar politikisht vëzhgimi do të shtrihet edhe për një periudhë 10-vjeçare pas lënies së detyrës. Me ligjin aktual “Personat e ekspozuar politikisht” janë personat, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil.
Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike”. Shtesa në projektligj është “kjo kategori klientësh konsiderohen ‘persona të ekspozuar politikisht’ deri në 10 vite pas largimit nga funksioni.
Sipas gjykimit të vetë subjektit, ky afat mund të shtrihet edhe përtej 10 vjetësh”. Në ligj përfshihen gjithashtu për herë të parë mjetet virtuale të tregtuara në formë dixhitale siç mund të jetë bitcoin, por jo vetëm. “Mjet virtual është një pasqyrim digjital i një vlere që mund të tregtohet apo të transferohet në formë digjitale, si dhe që mund të përdoret për qëllime pagesash ose investimesh.
Në këtë përkufizim nuk përfshihen pasqyrimet digjitale të monedhave të njohura zyrtarisht, letrave me vlerë dhe mjeteve të tjera financiare që janë parashikuar nga legjislacioni në fuqi”, – përcakton projektligji. I njëjti sjell konceptin e vigjilencës së thjeshtuar ndaj klientëve, e cila mund të kryhet në rastet kur identifikohet rrezik i ulët për pastrim parash dhe/ose financim të terrorizmit, bazuar në vlerësimet e riskut të autoriteteve të ngarkuara me ligj, si dhe vlerësimet e rrezikut dhe të procedurave të menaxhimit të përcaktuara nga vetë subjektet e ligjit.
“Gjatë zbatimit të vigjilencës së thjeshtuar, subjektet mund: të ulin frekuencën e përditësimit të të dhënave për procesin e identifikimit, si dhe shkallën e monitorimit të vazhdueshëm, të mos mbledhin informacion specifik apo të ndërmarrin masa specifike për të kuptuar qëllimin dhe natyrën e marrëdhënies së biznesit në çdo rast, por mund ta përcaktojnë këtë në bazë të marrëdhënies së biznesit të vendosur.” thuhet në relacionin shpjegues. I njëjti projektligj parashikon rregullime lidhur me të dhënat që duhet të mbahen nga bankat apo institucione të tjera për klientët, mbështetjen te palët e treta për të përmbushur detyrimet që u vendos ky ligj, si dhe përcaktohen kategoritë e klientëve ku zbatohet vigjilenca e zgjeruar.
Shqipëria, një vit kohë për të reflektuar, ose hyn në listën “gri”
Në raportin e 2018-s, dalë pas mbledhjes së korrikut dhe publikuar në dhjetor, Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve që do t’i nënshtrohen një ndjekjeje apo monitorimi të zgjeruar nga ana e Moneyval, për shkak të dobësive që janë konstatuar në raportin e fundit të lidhur me masat ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit. Një fjali e kaluar pa shumë vëmendje duket se përçonte pikërisht këtë mesazh, kur theksonte se “bazuar në rezultatet e vlerësimit të tij Moneyval vendosi që të aplikojë procedurën e ndjekjes së zgjeruar në Shqipëri”.
Shqipëria ka një vit kohë që të adresojë problemet, atëherë ajo, në një hap pas, rrezikon të hyjë sërish në listën gri të vendeve që kanë rrezik të lartë të pastrimit të parave. Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, ajo do të jetë nën vëzhgim nga Task Forca për Vlerësim Financiar (FAFT) për të adresuar problemet, përpara një identifikimi të mundshëm dhe rishikimit formal nga FATF.
Por çfarë është në fakt një ndjekje apo monitorim i zgjeruar? Në sistemin e Moneyval “enhanced follow up – ndjekje e zgjeruar” shpjegohet si një nga tre procedurat që vlerësojnë masat e marra nga autoritetet sipas standardeve dhe rekomandimeve të Task Forcës për Vlerësim Financiar(FAFT) kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.
“Territoret apo shtetet mund të vihen nën ndjekje të zgjeruar në rast se identifikohet papajtueshmëri serioze me standardet apo ku shtete apo territore nuk kanë marrë masa të kënaqshme për të dalë jashtë sistemit 5-vjeçar të vlerësimit të rregullt pas miratimit të raportit. Hapa të ndryshëm mund të aplikohen nën monitorimin e zgjeruar siç mund të jetë aplikimi i një prej hapave të “Procedurës së Pajtueshmërisë”, një plan veprimi që mund të zhvillohet dhe nxjerr në pah dobësitë, mund të vijojë vlerësimi për raundin në vijim, ose masa të tjera pajtueshmëria mund të aplikohen, nëse e gjykon me vend Komisioni Europian.
Çfarë është Procedura e Pajtueshmërisë?
Në raportet që ndjekin procedurën e zgjeruar, një nga opsionet që aplikohet është ajo e procedurës së pajtueshmërisë. Referuar faqes së Moneyval, kjo procedurë përfshin katër hapa.
Hapi 1: Moneyval fton Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës që t’i nisë një letër ministrave përgjegjës të vendit apo shtetit, duke iu tërhequr atyre vëmendjen për mospërmbushje të detyrimeve sipas dokumenteve të rëna dakord dhe masat e nevojshme korrigjuese që duhet të merren.
Hapi 2: Organizimi i misioneve të nivelit të lartë në vendet që nuk kanë përmbushur detyrimet për të takuar ministrat dhe zyrtarët e lartë dhe për të ritheksuar mesazhin.
Hapi 3: Në kontekstin e aplikimit të rekomandimit 19 të FAFT në vendet e Moneyval bëhet lëshimi i një deklarate publike formale ku theksohet se vendi apo shteti nuk ka përmbushur detyrimet e tij dhe ftohen anëtarët e rrjetit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit që të marrin parasysh rreziqet që shfaq vendi që s’ka përmbushur këto detyrime.
Hapi 4: Referimi i çështjes për një vlerësim të mundshëm nga Grupi i Rishikimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar nën FAFT nëse përbush kriteret që janë vendosur nën procedurat e këtij grupi. FAFT është edhe organizmi që bën vlerësimin e vendeve që hyjnë apo dalin nga lista e rrezikut të pastrimit të parave dhe bashkëpunimit që kanë shtetet me njëra-tjetrën.
Raporti
MONEYVAL, mekanizmi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave publikoi në 12 dhjetor 2018 raportin kundër pastrimit të parave për Shqipërinë, i cili ishte tejet negativ dhe vihej në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohë që u tërhiqej vëmendja autoriteteve se nuk po merrnin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. Sektorët që përbënin më shumë rrezik për pastrim parash ishin ai i lojërave të fatit, pasurive të paluajtshme dhe kompanive offshore (beneficiary onwnership).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.