Gazeta “Panorama”, Nertila Maho/Marrja e lejes së drejtimit të një automjeti nga kursantët e rinj do të pësojë disa ndryshime në procedurë. Kjo më tepër lidhet me pjesën që ka të bëjë me programin e dhënies së ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti rrugor. Përmes një udhëzimi të përbashkët, ministri i Transportit dhe ai i Shëndetësisë kanë përcaktuar edhe pikat kryesore të programit, duke filluar që nga kohëzgjatja, çmimi, ndarja e moduleve gjatë trajnimit e deri te kalimi i “provës”. Kështu, personi i interesuar për marrjen për herë të parë të një lejeje drejtimi automjeti do të duhet të regjistrohet pranë degës së Kryqit të Kuq në rrethin përkatës gjatë kryerjes së programit teorik në autoshkolla. Për këtë trajnim, secili do të duhet të paguajë 1500 lekë, një “taksë” kjo që pëson ulje krahasuar me periudhën para udhëzimit, që ishte 2100 lekë. “Tarifa për çdo person që kryen kursin e trajnimit për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti rrugor është 1500 (një mijë e pesëqind) lekë, duke përfshirë dhe TVSH-në.
Tre për qind e kësaj tarife derdhet në buxhetin e MPPT-së nga Kryqi i Kuq Shqiptar çdo 6 muaj dhe përdoret për përmirësimin e sigurisë rrugore. Kryqi i Kuq Shqiptar pajis me dëshmi në përfundim të kursit të trajnimit për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti rrugor çdo person, sipas modelit”, thuhet udhëzim. Po kështu, një tjetër pikë që ndryshon është edhe kohëzgjatja e trajnimit për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore, që është më e shkurtër sipas udhëzimit. Nga tri ditë që ishte më herët, tani vjen me një program më të strukturuar dhe zgjat dy ditë. Pasi kursanti kalon me sukses programin që lidhet me dhënien e ndihmës së shpejtë, pajiset me një vërtetim, të cilin e paraqet pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Në testin final që duhet të japë kursanti, pyetjet që lidhen me ndihmën e shpejtë janë të përjashtuara, pasi kjo konsiderohet e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.