Ky është një lajm i keq për botën
Në vitet 1970, manipulimi i normave të interesit nga politikanët për të rritur popullaritetin e tyre ishte diçka krejt e zakonshme, shkruan The Economoist.
Por situata çoi në nivele të larta inflacioni. Si shtetet e pasura ashtu edhe ato të varfra u zhvendosën drejt një sistemi në të cilin politikanët kishin një objektiv të ri, vendosjen e çmimeve të qëndrueshme, gjë të cilën ata ua lanë në dorë bankierëve të pavarur qendrorë për ta realizuar.
Miliarda njerëz në mbarë botën janë rritur duke u mësuar me idenë e një inflacioni të ulët apo të qëndrueshëm dhe se normat e interesit të depozitave të tyre bankare dhe të kredive hipotekore janë nën kontroll. Sot, suksesi po kërcënohet nga një bashkim i rrymave populiste, nacionaliste, si dhe të disa forcave ekonomike që po e shndërrojnë politikën monetare sërish në çështje politike.
Presidenti Donald Trump ka kërkuar reduktim të normave të interesit, duke spekuluar se do të shkarkojnë shefin e Rezervës Federale dhe tha se do të emërojë në bordin e saj, Stephen Moore dhe Herman Kain, dy prej miqve të tij, edhe pse të pakualifikuar për atë post. Mbështetësit e Brexit kritikojnë kompetencat dhe motivet e Bankës së Anglisë, ndërsa në Turqi, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka qenë thuajse gjithnjë në luftë me Bankën Qendrore të Turqisë. Qeveria e Indisë e ka zëvendësuar shefin e aftë të Bankës Qendrore me një drejtues tjetër, lehtësisht të manipulueshëm, i cili i ka ulur normat e interesit në prag të zgjedhjeve.
Edhe shumë poste të rëndësishme në Bankën Qendrore Europiane, duke përfshirë edhe atë të Presidencës, ka mundësi që të bëhen pjesë e një lufte më të gjerë politike, në lidhje me ata që do të drejtojnë institucionet europiane. Ekziston një nevojë e domosdoshme për të reflektuar mbi objektivat dhe instrumentet e Bankave Qendrore. Por ekzistenca e disa forcave të rrezikshme mund të ketë pasoja alarmuese për stabilitetin ekonomik.
Në fund të viteve 1970, problemi i politizimit u përkeqësua. Pas rrëzimit të sistemit monetar të Bretton Woods, Bankat Qendrore nuk arritën të ulin inflacionin në rritje, sepse politikanët, të cilët kishin kontrollin, ngurronin të përballeshin me kostot afatshkurtra të një niveli papunësie më të lartë.
Dy dekadat të mbushura me çmime të larta dhe kriza të shumta çuan në një ortodoksi të re, në atë që Bankave Qendrore duhet t’u jepej autonomia operacionale për të mbajtur një objektiv të caktuar inflacioni. Në Eurozonë, Japoni dhe Mbretërinë e Bashkuar, Bankat Qendrore u bënë ligjërisht të pavarura në fillim të viteve 1990. Në Amerikë, Shtëpisë së Bardhë iu ndalua madje që edhe të diskutonte publikisht mbi politikën monetare të Rezervës Federale. Arritja e një konsensusi ka qenë arsyeja se përse inflacioni global ka qenë mesatarisht në 4% në vit në dy dekadat e fundit.
Heqja e pavarësisë së bankave qendrore bëhet për disa arsye, njëra prej të cilave është populizmi.
Liderët si z. Trump ndërthurin dëshirën e politikanit për norma të ulëta të interesit me një dëshirë të pakuptimtë për të kontrolluar institucionet. Një arsye tjetër është qëllimi i aktiviteteve të Bankave Qendrore, të cilat u zgjeruan pas krizës financiare. Ndoshta për shkak se ato kanë qenë shumë të ashpra (pavarësisht nga politikat e tyre jokonvencionale), rimëkëmbja nga kriza ka qenë e ngadaltë, gjë që ka thyer besimin e votuesve te teknokratët, të cilët supozohet se vepronin në të mirë të interesit publik.
E gjithë kjo e bën më të lehtë përfshirjen e tyre në çështje politike. Ndërkohë, kujtimi i krizave që çuan në pavarësi është zbehur. Presioni po shfaqet në mënyra të ndryshme, në vende të ndryshme. Z. Trump ka nisur sulmin e tij ndaj Rezervës Federale. Edhe pse autoriteti i tij ligjor për të shkarkuar Jerome Powell, kryetarin e Rezervës Federale dhe për të emëruar një tjetër nuk është ende i qartë, në rast se ai do t’i fitojë zgjedhjet në vitin 2020, atëherë është pak, por e sigurt, se ai do të vendosë në krye të Rezervës Federale një kryetar të ri së bashku me dy guvernatorë të tjerë.
Në Europë, stuhia e ndryshimeve të posteve të punës kërcënon qëndrueshmërinë e vendimmarrjes së BQE-së dhe të rrisë mosmarrëveshjet.
Deri në fund të vitit, tre anëtarë të bordit ekzekutiv me gjashtë anëtarë dhe tetë nga 19 guvernatorët kombëtarë, të cilët votuan mbi normat e interesit, do të jenë larguar. Një prej më të rëndësishmëve është edhe largimi i Mario Draghi-t, kreut të tij.
Largimi i tij në tetor do të ndodhë pothuajse në të njëjtën kohë me zgjedhjet dhe me një ndryshim në udhëheqjen e Këshillit dhe Komisionit Europian. Prapa lojës së ndërrimit të karrigeve politike fshihet një betejë midis shteteve të ndryshme për të kontrolluar politikën. Europianët e veriut gjithmonë kanë dyshuar për blerjen e obligacioneve qeveritare, duke i konsideruar ato si një formë për subvencionimin e Europës Jugore. Në vend që të fitojnë me forcën e argumentit, ata po përpiqen që të kalojnë në avantazh, duke vendosur njerëzit e tyre të besuar në pozicione të ndryshme, taktikë e cila do të ndikojë padyshim në rritjen e problemeve. Ndoshta inflacioni global mund të shfaqet sërish. Nëse ndodh kjo situatë, bankat qendrore, duke qenë më të dobëta, do ta kenë më të vështirë për ta përballuar dhe për ta luftuar atë.
Ekonomia botërore është ngadalësuar gjatë këtij viti dhe në fillim të prillit, gjithashtu edhe FMN-ja i uli parashikimet e saj. Bankat Qendrore mund ta gjejnë veten duke u përpjekur që të rrisin ekonomitë e tyre. Dhe është pikërisht kjo ajo që e bën politizimin e sotëm kaq të rrezikshëm. Teknokratët po përballen me një sfidë të vështirë. Bota e pasur nuk ka aspak hapësirë për të ulur normat e interesit përpara se të arrijnë në zero, prandaj bankave qendrore do t’u duhet përsëri që t’u kthehen stimujve si blerja e obligacioneve. Rezerva Federale dhe Bankat e tjera Qendrore mund të kenë nevojë të bashkëpunojnë në nivel global. BQE-së do t’i duhet që të bindë tregjet se do të bëjë gjithçka që duhet për të shmangur një krizë tjetër financiare.
Por, prania e të emëruarve politikë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të pakualifikuar, do t’ia vështirësojnë asaj më shumë detyrën.
Këtu nuk ka të bëjë vetëm fakti që votat e tyre kanë rëndësi, por edhe se ata do të ndikonin negativisht në debatin publik mbi atë që Bankat Qendrore duhet apo nuk duhet të bëjnë për t’u marrë me recesionet. Objektivat dhe instrumentet e politikës monetare duhet gjithashtu t’u nënshtrohen shqyrtimit demokratik dhe se bankierët qendrorë duhet të respektojnë të gjitha ligjet.
Rezerva Federale është duke rishikuar objektivin e saj në mënyrë që të jetë e përgatitur për një situatë të mundshme rënieje. Edhe bankat e tjera qendrore duhet të ndjekin të njëjtin shembull. Në një periudhë afatgjatë, kjo siguron legjitimitetin, si dhe pavarësinë e tyre. Megjithatë, në mjedisin e sotëm politik është naive të mendosh se vërtet politikanët duan një debat të kujdesshëm dhe të mirëmenduar.
Në vend të kësaj, sa më shumë banka qendrore të jenë në qendër të vëmendjes, aq më shumë vendimmarrja e tyre nga muaji në muaj do të bëhet subjekt i presioneve të jashtme ose ato do ta gjejnë veten të përbëra nga një bord anëtarësh të politizuar. Teoricienët që qëndrojnë prapa bankave qendrore të pavarura do të donin që të shmangej pikërisht ky lloj politizimi.