Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural, z. Niko Peleshi gjatë vizitës në qarkun e Gjirokastrës, është ndalur dhe një stabiliment modern të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Kjo fabrikë ka 11 vjet që operon në tregun shqiptar me mbi 17 lloje të ndryshme produktesh. Gjatë këtij takimi ministri është njohur nga afër me proçeset që kryhen në fabrikë dhe njëkohësisht me vijimin e punës që është bërë deri tani, kryesisht nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në kuadër të aksionit të shpallur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për sigurinë ushqimore. Më shumë se një javë më parë, Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet AKU– së, shpalli aksionin e inspektimit në distancë, si masë për garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore.
Për ministrin Peleshi, tashmë ka ardhur momenti, që gjithë tregu të hyjë në një rregim dhe disiplinim, sipas standardeve evropiane, pasi kjo është e vetmja rrugë, që të rriten sektorë të tillë, si ai i prodhimit dhe përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij dhe ai i mishit, pra në tërësi e gjithë ekonomia shqiptare.
“Dua ta ritheksoj, në qoftë se, Shqipëria nuk arrin dot të hapë eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kjo industri nuk mund të rritet. Fermeri shqiptar nuk mund të rritet sado subvencione t`i japim ne, sepse pa patur të garantuar shitjen, nuk investon për të rritur tufën e vet, bagëtinë e vet. “
“Kështu, që sfida jonë, detyra jonë si Ministri, si institucione, si qeveri shqiptare është të ndërtojmë një sistem funksional sipas standardeve të Bashkimit Evropian, ta çertifikojmë atë nga audituesit e Bashkimit Evropian. T`i japim mundësi eksporti dhe këtij sektori siç janë sektorët e tjerë, peshkimi, bujqësia që po ecin shumë mirë, në mënyrë që të kemi një bum, bazuar në një traditë të shkëlqyer, siç është zona e Gjirokastrës përshembull, për bagëtitë e imëta, që kanë cilësi fantastike të kërkuara nga gjithë tregu “.
Në vijim të këtij argumenti, Ministri ka theksuar masat dhe mbështetjen financiare që qeveria shqiptare ka përgatitur me Skemën e mbështetjes financiare për zhvillimin rural dhe agropërpunimin, dhe për këtë sektor në veçanti, aplikimet për subvencionime, grante dhe mbështetje financiare kanë nisur të kryhen në çdo Agropikave me 28 shkurt dhe do të zgjasin një muaj.
Nga kjo skemë për ndërtimin e pikave të reja të grumbullimit të qumështit dhe pajisjeve të nevojshme në to, masa e mbështetjes do të jetë, jo më shumë se 3 milionë lekë. Për makineri dhe pajisje për mekanizimin dhe modernizimin e proçeseve të punës në fermat blegtorale, me jo më pak se 10 lopë dhe jo më pak se 100 të imëta, masa e financimit do të jetë, jo më shumë se 1 milion lekë. Një rëndësi e veçantë u është kushtuar sistemeve ftohëse të qumështit për pikat e grumbullimit dhe të përpunimit të qumështit, financimi i cilave do të jetë, jo më shumë se 1 milion lekë. Për dorëzimin e qumështit, që plotëson standardet në fuqi, në vlerën 10 lekë për litër në pikat e përpunimit, për fermat me mbi 15 krerë lopë kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe raport analizës laboratorike përkatëse.
Për ministrin Peleshi gjithë politika që po ndiqet do të çojë në garantimin e një tregu të konsoliduar dhe të hapje e sigurtë drejt Bashkimit Evropian.
“Në tregun shqiptar do të ketë vetem prodhime që garantojnë siguri ushqimore, që garantojnë respektim të gjitha standardeve, sepse vetëm në këtë mënyrë edhe Bashkimi Evropian do të na njohë sistemin tonë të ngritur të sigurisë ushqimore. Do të na hapë dyert për eksport dhe kjo industri do të zhvillohet. “
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.