Pennine Petroleum merr bllokun e Velçës në Vlorë

19/02/2017 3:47 PM 0 komente

Kompania kanadeze, Pennine Petroleum Corporation, ka njoftuar se ka miratuar marrëveshjen për ndarjen e prodhimit me Albpetrol Sh.A për eksplorimin dhe zhvillimin e Bllokut të Velçës në Shqipëri.

Burime nga Albpetrol konfirmuan për “Monitor” firmosjen e marrëveshjes, por thanë se ajo mbetet ende subjekt i nënshkrimit nga Këshilli i Ministrave.

Sipas kompanisë, marrëveshja finale e nënshkruar nga Pennine, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Albpetrol, shoqëria shtetërore e energjisë, është për një periudhë 6-vjeçare eksplorimi, e konvertuar në një leje prodhimi 25-vjeçare, pas zbulimit të rezervave të naftës ose gazit.

“Shqipëria ka një histori të gjatë për zhvillimin e naftës dhe gazit, që prej një shekulli dhe Pennine është shumë e kënaqur që po sjell ekspertizën e vet në këtë rajon”, – tha shefi ekzekutiv N. Desmond Smith.

“Shqipëria ka infrastrukturë të mirë të energjisë, legjislacionin e ngritur dhe rregulloret, dhe së fundmi ka pasur investime të rëndësishme në sektorin e energjisë”, -shton zoti Smith.

Pennine planifikon të nisë një Raport Teknik në 60 ditët e ardhshme, dhe me të dhënat ekzistuese të identifikojë objektivat e mundshëm të shpimit në Bllokun e Velçës.

Pennine po punon aktualisht me ekspertët e industrisë nga Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

“Ne besojmë se kjo marrëveshje mundëson një kontratë të balancuar mes riskut dhe shpërblimit për eksplorimin dhe shfrytëzimin e Bllokut të Velçës dhe ne shpresojmë që ka shumë mundësi në Shqipëri”,- tha CEO i Pennine, Richard Wadsworth, i cili ka udhëhequr Bankers Petroleum Ltd. në rizhvillimin e fushës së Patos Marinzës, si president nga 2004 deri në 2008.

Marrëveshja përfshin fazën e eksplorimit dhe atë të shpimit. Në fazën e eksplorimit, Pennine dhe Albpetrol do të shqyrtojnë të gjitha të dhënat ekzistuese në Bllokun e Velçës dhe do të përpunojnë të dhënat për përzgjedhjen e puseve për shpim. Faza e shpimit do të konsistojë në një angazhim për të shpuar një minimum prej dy pusesh, në një thellësi minimale prej 2,500 metrash.

Pennine do të rikuperojë të gjitha kostot e eksplorimit dhe shfrytëzimit nga 90% e të ardhurave neto operative, pas pagimit të rentës prej 10%, dhe më pas do të jetë subjekt i Faktorit R të ndarjes së të ardhurave me Albpetrol, duke u luhatur nga 2% në 15% të të ardhurave operative neto, në varësi të shumëfishit të rikuperimit të kostos së projektit. Pasi të jenë shlyer të gjitha kostot, interesi i të ardhurave do të ndahet, me 50% për Ministrinë e Energjisë dhe 50% për pjesëmarrësit e marrëveshjes.

Termat dhe kushtet kryesore të Bllokut të Velçës janë nënshkruar në shkurt 2016. Pennine dhe Albpetrol ranë dakord në prill të vitit 2016 për kushtet dhe marrëveshja e ndarjes së prodhimit u dorëzua në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë për miratim. Pennine e rishikoi marrëveshjen e licencës, që ishte një komponent integral i marrëveshjes së ndarjes së prodhimit, në dhjetor 2016.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of