“Pensionet, kolona e dytë e nevojshme, po bien lindjet dhe po rritet jetëgjatësia”

09/07/2019 4:36 PM 0 komente

Flet Naim HASA, Administrator, Fondi i Pensionit Vullnetar SIGAL

 

Skemat shtetërore të pensioneve vihen vazhdimisht në presion, për shkak të faktorëve që lidhen me rënien e lindjeve dhe rritjen e jetëgjatësisë. Kjo do të thotë më pak kontribuues dhe më shumë përfitues, duke thelluar dukshëm deficitin.

Shqipëria po përjeton pak a shumë të njëjtën situatë dhe thellimi i saj në dekadat e mëvonshme do të ketë pasoja. Ndaj, një kolonë e dytë në skemën e pensioneve shihet si një alternativë që mund të bëjë diferencë. Naim Hasa, administrator i Fondit të Pensionit Vullnetar SIGAL, shprehet se shtimi i kësaj kolone krijon mundësinë për një përfitim më të mirë të kontribuuesve, duke shtrirë synimin përtej cakut të mbijetesës.

Si paraqitet ecuria e tregut të Pensioneve Private Vullnetare për vitin 2018, krahasuar edhe me vendet e rajonit. Si parashikohet të jetë trendi për vitet në vazhdim?

Pjesë e tregut financiar pas vitit 2009 janë bërë edhe pensionet private vullnetare. Në këtë treg ushtrojnë aktivitetin tri kompani pensionesh, Fondi i Pensionit Sigal Life Uniqa Group Austria, Raiffeisen Pensions dhe Credins Pensions.
Megjithëse tregu i pensioneve private në Shqipëri është i ri, por me një mision të rëndësishëm. Nga një vështrim i përgjithshëm i kësaj periudhe konstatohet se ky treg ka përvijuar tendenca të shpejta rritje nga viti në vit, si në drejtim të rritjes së numrit të anëtarëve pjesëmarrës në fondet e pensionit, ashtu edhe për vlerën e aseteve neto që kanë anëtarët në fondet e pensioneve.

Në fund të vitit 2018, numri i anëtarëve pjesëmarrës në këto fonde ka arritur në 25.298 anëtarë, pothuajse i trefishuar në krahasim me vitin 2014. Kjo tendencë rritje e pjesëmarrjes në fondet e pensioneve tregon për ndërgjegjësim më të madh të publikut, për domosdoshmërinë e potencialin që ofron ky treg. Paralelisht me këto ritme të larta rritje ka ecur edhe volumi i aseteve neto (kontribute + fitimin) që anëtarët pjesëmarrës kanë në fondet e pensionit. Në fund të vitit 2018, vlera e aseteve neto ishte 2,289 milionë lekë duke treguar rritje prej 264%, krahasuar me fundin e vitit 2014.

Duhet pranuar, pavarësisht nga këto rritje, se jemi shumë larg zhvillimeve që ka ky treg në Europë, qoftë edhe në vendet përreth nesh si Maqedonia, Kosova, Kroacia, Bullgaria, etj., çka ka nevojë shumë për përkujdesje, si në fushën ligjore, ashtu dhe në atë institucionale. Ky zhvillim e fuqizim, bëhet më i domosdoshëm, duke marrë në konsideratë problematikën që mbart sistemi shtetëror i pensioneve.

Cilët janë faktorët që kufizojnë zhvillimin e këtij tregu. Si mund të stimulohet ky treg që të ketë më shumë shqiptarë që sigurohen edhe privatisht?

Pa dyshim, zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe rritjes së qëndrueshmërisë financiare të tij edhe në Shqipëri lidhet me funksionimin e skemave private të pensioneve.

Për këtë arsye kërkohet; Së pari, të nxitet skema suplementare e pensioneve private, kolona e tretë e krijuar vitet e fundit.
Për funksionimin e suksesshëm të skemave të pensioneve private në Shqipëri, krahas të tjerave, kërkohet në këtë fazë fillestare të veprojnë edhe faktorët nxitës, për krijimin dhe mirëfunksionimin e tyre. Në këtë kontekst, roli i shtetit, si aktori kryesor në lëmin ekonomik, zhvillimin e skemave private të pensioneve e bën më atraktive, nëpërmjet aplikimit të lehtësive fiskale, jo vetëm për subjektet pjesëmarrëse në këto lloj veprimtarish financiare, por edhe për përfituesit nga këto skema. Në të gjithë vendet e botës, ku aplikohen sistemet e alternuara, veprojnë nxitësit, duke ju krijuar lehtësi fiskale, në një nivel që nuk krijojnë abuzim.

Aktualisht, sistemi i pensioneve private vullnetare që vepron në Shqipëri ofron për periudhën që kontribuojnë subjektet për punonjësit e tyre dhe individët mjaft lehtësi fiskale, duke i bërë shumë të interesuara palët për të marrë pjesë në një Fond Pensioni, qoftë ky profesional apo individual. Kështu:

1. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi.

2. Kthimi i investimit, duke përfshirë fitimet prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit, nuk i nënshtrohen tatimit.

3. Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional konsiderohet si shpenzim operativ deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës të barabartë me 250.000 lekë dhe kjo shumë konsiderohet si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin te punëdhënësit.

Por shumë e rëndësishme është që edhe në periudhën e përfitimit, pra pensionit, legjislacioni që rregullon këto marrëdhënie në çdo vend të botës, të veprojë edhe në Shqipëri, pasi pakujdesia fiskale mund të minojë stabilitetin e fondeve.

Mendoj se tashmë ka ardhur koha, që sistemi i sigurimit shoqëror, të mos konsiderohet më si një “ombrellë” financiare për të luftuar urinë dhe varfërinë, por duhet hedhur vështrimi më tej. Zhvillimi i sistemit privat të pensioneve jep zgjidhje për mjaft probleme që janë krijuar në këtë stad të zhvillimit shoqëror. Duhet pranuar që sistemet private të pensioneve sot paraqiten si domosdoshmëri e kohës.

Dihet se skema e solidaritetit PAYGO mendohet që e kreu mirë misionin e saj, ajo ishte mjaft efektive kur kishim një popullsi të re, ku shumë punonin e kontribuonin dhe pak përfitonin – paguaj pak e merr shumë. Në kushtet e plakjes së popullsisë ku këto raporte kanë ndryshuar tani – paguaj shumë e merr gjithmonë e më pak, pothuajse në të gjithë botën, për vendet e zhvilluara pas viteve 1980 dhe për vendet në zhvillim pas viteve 2000, janë futur si komponentë të një pensioni edhe skemat private. Arsyeja që ky sistem, sot, po bëhet gjithmonë e më shumë dominues, krahas faktorëve demografikë, janë edhe avantazhet që ai ka në raport me sistemin shtetëror të pensioneve dhe konkretisht:

a. Skema private u jep zgjidhje problemeve demografike. Dihet që plakja e popullsisë redukton fuqinë punëtore dhe si rezultat, prodhimin e një vendi. Efekti në skemat PAYG është shumë i ndjeshëm, pasi baza e kontributeve zvogëlohet, ndërsa në skemat private është më pak i përfillshëm. Kur një brez i madh të punësuarish del në pension, në skemën PAYG, efektet financiare do të përballohen nga brezi aktual i zvogëluar i të punësuarve, ndërsa në skemat private, ai likuidon aktivet e tij financiare në mënyrë që të paguajë pensionin e tij.

b. Skemat private ofrojnë stimuj më të fuqishëm në tregun e punës. Shtrembërimet në tregun e punës minimizohen kur kontribuuesit arrijnë të dallojnë një lidhje të qartë ndërmjet kontributeve aktuale dhe përfitimeve të ardhshme. Në skemat e solidaritetit mungon ky interesim, pasi shihet një shkallë rishpërndarje mjaft e lartë, ndërsa skemat private s’mund t’i kenë këto karakteristika.

c. Pensionet private përjashtojnë qeverinë nga administrimi i tyre. Është më se e njohur se skemat publike janë të ndjeshme ndaj dështimeve të qeverisë. Megjithatë, qeverisja efektive është thelbësore për çdo lloj skeme pensionesh.

d. Gjithashtu, skemat private afrojnë përfitime në kushte më të favorshme moshe, vjetërsie në punë e masë pensioni dhe, mbi të gjitha, përfitimet janë gjithmonë të trashëgueshme.

Sa i përket së ardhmes së kolonave të tjera të pensioneve, e veçanërisht të skemave të pensioneve profesionale, drejtimet nga ku mund të orientohen zhvillimet e saj, janë shumë të mëdha dhe konkretisht;

1.Kontigjente mjaft të rëndësishme të këtyre skemave janë punonjësit e profesioneve të vështira, të cilët, sipas sistemit bazë, dalin në pension në moshën 65 vjeç. Nëpërmjet skemave profesionale, iu krijohet mundësia deri sa të arrijnë këtë moshë të marrin pension të parakohshëm, apo shtesë pensioni, kundrejt kontributeve që punëdhënësit dhe punëmarrësit paguajnë.

Siç dihet, skemat bazë PAYGO, në themel të funksionimit të tyre kanë parimin e barazisë sociale, për kontribute të barabarta, përfitime të barabarta. Në këto kushte, kjo skemë nuk mund të mbulojë përfitimet e veçanta që dalin jashtë parimeve të saj. Financimi i tyre kërkon kontribute të veçanta. Kjo ishte edhe arsyeja që në reformën që ju bë sistemit të pensioneve në vitin 2014, si pjesë e sistemit të përgjithshëm të pensioneve u futën edhe Fondet e Pensioneve Profesionale. Mbështetur në këtë nen të ligjit, Kuvendi miratoi kohët e fundit ligjin “Për Trajtimin Financiar Suplementar të Punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së

Naftës dhe të Gazit dhe të Punonjësve që kanë punuar në Metalurgji”. Sipas këtij ligji, punonjësit e mësipërm do të përfitojnë pension për shkak të profesionit në moshat 50 vjeç gratë e 55 vjeç burrat dhe shtesë mbi pensionin në masën 1% të masës së pensionit për çdo vit që kanë punuar në këto profesione. Për këtë, ata do të derdhin një kontribut shtesë në masën 10% të pagës bruto, nga këto 5.5% punëdhënësi e 4.5% punëmarrësi. Ky kontribut, për punonjësit e këtyre profesioneve, aktualisht nën moshat 48 vjeç, por në vijimësi deri në moshën 55 vjeç do ta derdhin në Fondet e Pensioneve Profesionale. Për mënyrën e derdhjes së kontributeve po përgatitet projektvendimi përkatës. Kjo është rruga e mundësia e zgjidhjes për të gjithë profesionet e vështira të përcaktuara në vendimin nr.526, të Këshillit të Ministrave për ndarjen e punëve, sipas vështirësive.

2. Aktualisht, mjaft të interesuar për të aderuar në një Fond Profesional Pensionesh janë edhe institucionet shtetërore jo buxhetore si korporatat KESH, OSHE, OST, Posta Shqiptare etj., punonjësit e të cilave deri në vitin 2002 kanë gëzuar pensione suplementare dhe nuk ka pse ju privohet kjo e drejtë. Ato mund ta vazhdojnë këtë të drejtë, duke aderuar në Fondet Profesionale të Pensioneve.

3. Një mundësi për pjesëmarrje në këto skema pensioni janë edhe profesionet e lira si avokat, noter, stomatolog, farmacist, të vetëpunësuarit, të cilët sistemi bazë (shtetërori) i pensioneve i siguron në nivele minimale kontributesh e përfitimesh, me mundësinë që problemet financiare të moshës së tretë t’i zgjidhin nëpërmjet sigurimeve private.

4. Një rezervë e madhe, pa dyshim, janë edhe përfshirja e emigrantëve në skemën e pensioneve private. Sot llogariten mbi 550 mijë emigrantë forca aktive që punojnë në Greqi, Itali, Gjermani, etj. Një pjesë e mirë e tyre janë të punësuar në sektorë të ndryshëm dhe kontributi që ata derdhin në sigurime shoqërore të vendeve ku punojnë llogaritet afro 500-600 milionë euro në vite. Fatkeqësisht një pjesë e tyre nuk përfitojnë nga këto kontribute, sidomos në fushën e pensioneve. Zgjidhja e këtij problemi kërkon krijimin e lehtësive për të komunikuar e për të afruar ndërmjetësit financiarë, nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe me vendet respektive.

Kuvendi e ka ngarkuar AMF në rezolutën e këtij institucioni që të bëjë një analizë mbi kolonën e dytë. Si e shihni këtë nismë dhe çfarë efektesh mund të sjellë kolona e dytë në skemën e pensioneve? Si funksionon kjo kolonë?

Po, është e vërtetë që Kuvendi i Shqipërisë, pas një analize që i ka bërë sistemit të pensioneve në përgjithësi, veçanërisht të problematikës që sistemi shtetëror mbart, nëpërmjet rezolutës që ka miratuar, ka ngarkuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, si organi i ngarkuar me ligj për ndjekjen dhe zhvillimin e skemave alternative të pensioneve, në këndvështrimin e zhvillimeve europiane.
Sot, problemet e pensioneve dhe sidomos deficitet financiare të skemave shtetërore, janë një shqetësim i dukshëm në të gjithë vendet e botës, ndër të tjera edhe si rrjedhojë e ritmeve me të cilat rritet popullsia e tretë: së pari, të rritjes së jetëgjatësisë së popullatës dhe së dyti, të rënieve të ritmeve të lindjeve.

Këto situata kanë shtruar nevojën e reformimit të sistemit të pensioneve, duke u fokusuar në gjetjen e rrugëve të përshtatshme dhe të drejta të financimit, duke krijuar përgjegjësi të përbashkët të mbulimit të nevojave jetësore në pleqëri, midis shtetit dhe individit.
Një nga sistemet që po instalohet dhe zhvillohet sot me sukses në Europë e më gjerë, është vendosja e sistemit të Alternuar të Pensioneve, me dy komponentë të rëndësishëm, një sistem publik bazë i konsoliduar dhe një sistem privat i zhvilluar, i detyrueshëm për brezin e ri dhe vullnetar për të gjithë ata që duan një pension më të lartë.

Ky sistem presupozon një ndarje të kontributit në dy pjesë, kontribut shoqëror për skemën shtetërore PAYG dhe kontribut individual për skemën private. Ndërsa skema vullnetare lihet e lirë, kush dëshiron më shumë bëhet pjesëmarrës në këto skema. Këtë model krahas të gjithë vendeve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Italia e gjejmë edhe në Poloni, Hungari, Kroaci, Bullgari, Estoni, Rumani, Çeki, Sllovaki, etj., madje edhe në Kosovë e Maqedoni. Për shembull, kontributi për pension në Maqedoni është 21% e pagës, nga të cilët 14% derdhet në Fondin e Sigurimeve Shoqërore për skemën shtetërore (Kolona I) dhe 7% derdhet në fondet e detyrueshme private (Kolona II), nga ku me plotësimin e moshës, çdo njeri do të marrë dy pensione, një shtetëror dhe një privat, të formuar nga kontributet e derdhura dhe fitimi nga investimi i tyre.

Siç dihet, vetëm tre vende të Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnjë e Serbi nuk e kanë kompletuar sistemin e pensioneve me kolonën private, kjo është edhe arsyeja që niveli i pensioneve në këto vende është shumë i ulët.
Mendojmë që zhvillimi i skemave private të pensioneve në Shqipëri është shumë i domosdoshëm dhe efektiv në zbatim, pasi:

-Së pari, për moshat e reja që ka popullsia e Shqipërisë 33-35 vjeç, kundrejt 48-50 vjeç që e ka Europa dhe ekziston mundësia të përfitohet shumë nga investimi i tyre.

-Së dyti, niveli shumë i ulët i pensioneve në raport me pagat. Në terma mesatarë, ai shkon 38 – 40% të pagës, kundrejt 75% që është detyrimi ligjor.
Për kushtet e Shqipërisë, mendojmë se përfshirja e sistemit privat të pensioneve paraqitet si më e përshtatshme dhe funksionale, pasi:

-Së pari, në Shqipëri afro 75-80% e PBB vijnë nga sektori privat, prandaj s’ka asnjë arsye të mos vlerësohet edhe në këtë fushë.

-Së dyti, Shqipëria është një vend europian dhe përafrimi i legjislacionit edhe në fushën e sigurimeve shoqërore është kusht për t’u anëtarësuar në këtë familje.

-Së treti, këto skema, për vetë konfigurimin e tyre ndihmojnë më mirë ekonominë e vendit, duke mobilizuar paratë e lira të popullatës nëpërmjet investimeve të tyre në instrumente financiarë afatgjatë 5-10-vjeçarë (Obligacione Shtetërore).
Vendosja e sistemit të detyrueshëm privat të pensioneve, duke ndarë 3% të kontributit për skemat vetëkapitalizuese kushtëzohet edhe nga nevoja që ka shteti shqiptar për burime financiare. Nëpërmjet vendosjes së skemës vetëkapitalizuese, rriten investimet në ekonomi duke mobilizuar asetet e të siguruarve që janë investuar në obligacione shtetërore afatgjatë 5-10-vjeçare. Nga shifrat që publikon Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nga disa përllogaritje, në këto skema, për një vit grumbullohen 13.5 miliardë lekë, ose 96.5 milionë euro, të cilat rriten çdo vit progresivisht dhe vetëm pas 10 viteve, ato arrijnë në 230-250 miliardë lekë ose 1.750 milionë euro.

Mbi këtë arsyetim, për një zgjidhje afatgjatë të problematikave që shfaq sistemi i pensioneve të detyrueshme shtetërore, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si organi më i lartë ekzekutiv, ka miratuar ndryshimet e nevojshme në legjislacionin bazë për t’i hapur rrugën për zhvillimin e skemave të alternuara edhe në Shqipëri.

Nëpërmjet rezolutës së mësipërme, Kuvendi i Shqipërisë ka ngarkuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të fillojë nga puna për përgatitjen e legjislacionit që rregullon pensionet e detyrueshme private (kolonat e dyta) dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale të nevojshme për mbikëqyrjen e tyre. Mendoj që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kapacitetet e nevojshme profesionale, që brenda afatit të caktuar të realizojë studimin e më pas të përgatisë aktet e nevojshme ligjore për funksionimin e kolonës së dytë, fillimin e pensioneve private vetëkapitalizuese edhe në Shqipëri, i cili, së bashku me aktorët që veprojnë në këtë treg ka ngritur grupin e punës përkatës.

Ku investohen paratë e fondeve të pensioneve vullnetare, jashtë Shqipërisë apo në vend? Si rezulton norma e kthimit viteve të fundit, sa të sigurta janë nga falimentimi këto fonde?

Pjesë shumë e rëndësishme e veprimtarisë së aktivitetit të fondeve të pensioneve private janë investimi i kontributeve të anëtarëve. Kontributet e anëtarëve të Fondit të Pensioneve Private investohen me synim për të rritur kthimin nga investim për anëtarët e tij dhe për t’u siguruar atyre një të ardhme të sigurt.

Me ligj janë të përcaktuara qartë llojet të instrumenteve financiare dhe të çdo aseti tjetër, në të cilin mund të investohet fondi i pensionit, kufijtë dhe rregullat për ruajtjen e tyre. Shoqëria Administruese, në zbatim të kërkesave ligjore, ka ngritur struktura të specializuara që ndjekin mbarëvajtjen e këtij procesi.

Investimi bëhet në përputhje me disa parime të rëndësishme, si ai i sigurisë, ku asetet e fondit investohen në instrumente me besueshmëri të lartë; parimi i diversifikimit të portofolit, ku asetet e Fondit investohen në instrumente të llojeve dhe karakteristikave të ndryshme dhe ai i ruajtjes së nivelit të mjaftueshëm të likuiditetit për të garantuar në çdo rast pagesat e anëtarëve.

Sigurisht, ky proces mbart edhe probleme që lidhen me riskun e investimeve. Në këtë kontekst, menaxhimi i portofolit detyrimisht përfshin disa faza për identifikimin, matjen dhe administrimin e riskut, sidomos për sa i përket riskut të investimit, tregut, riskut të likuiditetit, riskut operacional. Aktualisht, asetet e anëtarëve në fondet e pensionit vullnetar janë të investuara në instrumente financiare shtetërore, siç janë ato të obligacioneve të qeverisë shqiptare me maturim të gjatë 5, 7 dhe 10- vjeçar, nga ku është siguruar për vitin 2018 një normë e kënaqshme e kthimit të investimit në masën 7.08%.

Një aspekt shumë i rëndësishëm i veprimtarisë të fondeve të pensionit vullnetar është mbrojtja e aseteve të anëtarëve. Në ligj janë përcaktuar qartë tri pika, që sigurojnë e garantojnë asetet e anëtarëve.

Së pari, asetet e anëtarëve të Fondit të Pensionit Vullnetar nuk mund të jenë pjesë e procedurave të falimentimit.

Së dyti, ato nuk mund të jenë pjesë e ekzekutimeve, sekuestrove etj., të kreditorëve të Shoqërisë Administruese.

Së treti është absolutisht e pavlefshme çdo përpjekje për të lënë si garanci ose për të përdorur për qëllime të ngjashme asetet e pensionit të anëtarit të fondit të pensionit, ose për t’i bërë objekt ekzekutimi apo pjesë të falimentimit të mundshëm.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of