Pensionet, me detyrim te privati

09/07/2019 4:33 PM 0 komente

Me rënien e lindjeve dhe rritjen e jetëgjatësisë që po ushtrojnë gjithmonë e më shumë presion mbi skemat e pensioneve, orientimi që po u jepet këtyre të fundit është ai drejt sistemeve të alternuara. E reformuar në vitin 2015, skema shqiptare e pensioneve duket se do të ndryshojë përsëri, duke shtuar kolonën e dytë apo atë që quhet sigurim i detyrueshëm te privati.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka ngritur një grup pune që do të hartojë edhe dokumentin analitik për këtë alternativë. Fondet private të pensioneve e shohin këtë si një hap të nevojshëm që do të nxisë edhe zhvillimin e tregut të pensioneve private vullnetare që aktualisht është tregu më anemik në gjithë tregun financiar shqiptar, me vetëm vlerë neto asetesh sa 0.1% të PPB-së.

 

Nga Nertila Maho

 

Që nga viti 2015, kur ndryshoi tërësisht skema e pensioneve, ka pasur vetëm korrigjime të vogla që prekin grupe të veçanta apo procedura. Katër vite më pas, i është hapur rruga një tjetër ndryshimi të madh potencial. Bëhet fjalë për kolonën e dytë të skemës, e cila parashikon sigurimin e detyrueshëm te privati. Aktualisht, skema e pensioneve në vend ka vetëm dy kolona: të parën, që është sigurimi i detyrueshëm që paguhet në shtet dhe administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe të tretën që është kolona private vullnetare dhe administrohet nga fondet.

E para, pavarësisht reformimit total, po vuan pasojat e faktorëve si rritja e jetëgjatësisë apo rënia e lindjeve, duke e bërë kërcënimin e deficitit gjithmonë e më të madh. E dyta vuan nga një interes anemik i qytetarëve për t’u siguruar në mënyrë vullnetare. Sot, vlera neto e aseteve në fondet e pensioneve vullnetare është sa 0.1% e PBB-së çka tregon për një pjesë minimale në të gjithë përbërjen që kanë tregjet financiare në vend.

Këta tregues kanë detyruar këtë herë Kuvendin që t’i hapë rrugë diskutimit të gjerë dhe hartimit të një studimi konkret mbi kolonën e dytë, e cila flitet prej kohësh por ka mbetur vetëm në kuadrin e deklaratave. Konkretisht, Kuvendi ka ngarkuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare që të hartojë dokumentin mbi të cilin do të merret vendimi, për përfshirjen e kolonës së dytë në skemën e pensioneve.

“Të fillojë puna për hartimin e një dokumenti fillestar, i cili të shërbejë si orientim dhe prezantim, për nisjen e hartimit të nismave ligjore, në lidhje me zgjerimin e skemës së pensioneve private dhe rregullimin ligjor të mënyrës së organizimit të kolonës së dytë të pensioneve private. Materiali të paraqesë, pa u limituar, analizën e plotë të risqeve dhe anëve pozitive për sa u takon kapaciteteve financiare që AMF-ja beson se janë ende të lira e që parashikohet se do të angazhohen në skemat e pensioneve private”, thuhet në dokument.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i pyetur nga “Monitor”, konfirmoi se tashmë ky grup pune është ngritur dhe ka në përbërje institucione shtetërore të lidhura me këtë fushë, si dhe kompanitë private që janë pjesë e tregut të pensioneve. Pasi të analizohen të gjithë elementet pritet të dilet edhe me një dokument, që do të japë opsionet më të mira për kolonën e dytë, integrimin e saj në skemën e pensioneve si dhe ndikimi që mund të japë ajo në tërësi. Por teksa po kërkohet të integrohet skema private me detyrim, ajo private vullnetare është ende në rritje modeste.

 

Sa mblidhen dhe sa shpenzohen sot për pensionet

Sot në kolonën e parë, që është ajo që ka nën administrim Instituti i Sigurimeve Shoqërore të ardhurat totale janë 99.9 miliardë lekë. Këto janë paratë që paguhet nga të gjithë punësuarit dhe vete punësuarit për efekt sigurimi. Shpenzimet për pensione rezultojnë 125 miliardë lekë të paktën deri në fund të 2018.

Këto janë paratë që shkojnë për pensionistët përfshirë përfituesit nga skema suplementare. Diferenca e fondeve plotësohet nga buxheti i shtetit që do të thotë se subvencionet në vitin 2018 ishin sa 1.80 për qind e PBB-së. Ajo që vihet re në skemën e pensioneve është norma e varësisë së sistemit e cila ka ardhur në përkeqësim. Në fund të 2018 kjo normë ishte 1.24 që do të thotë që duhen mesatarisht 1.24 kontribuues për të mbuluar mesatarisht një pension. Kjo normë ka ardhur në rritje vit pas viti çka do të thotë se duhet gjithmonë e më shumë kontribuues për të mbuluar një përfitues dhe që përkthehet në një deficit më të madh të skemës.

 

Burimi: AMF

 

Kolona e dytë, si administrohen fondet dhe përfitimet që sjell

Futja e kolonës së dytë është parë gjithmonë në skemat e pensioneve, si një variant për një pension më dinjitoz, pas mbushjes së moshës që sanksionon ligji. Përgjithësisht, të ardhurat nga skema e pensioneve, vetëm nga kolona e parë që është ajo shtetërore, garantojnë elementet kyçe të mbijetesës, ndërsa logjika e integrimit të kolonave të dyta dhe të treta ka të bëjë me ofrimin e më shumë burimeve financiare për një moshim që shkon përtej mbijetesës. Naim Hasa, nga Fondi i Pensionit Vullnetar Sigal, nënvizon se rritja e jetëgjatësisë dhe ulja e lindjeve është një fenomen që po shoqëron përgjithësisht shumicën e vendeve të botës dhe sytë janë hedhur tek skemat e alternuara.

“Ky sistem presupozon një ndarje të kontributit në dy pjesë, kontribut shoqëror për skemën shtetërore PAYG dhe kontribut individual për skemën private. Ndërsa skema vullnetare lihet e lirë, kush dëshiron më shumë bëhet pjesëmarrës në këto skema”, sqaron Hasa. Sipas tij, zhvillimi i skemave private edhe në Shqipëri me të dy elementet, detyrues dhe vullnetar, është shumë i rëndësishëm. Së pari, sepse për moshat e reja që ka popullsia e Shqipërisë 33-35 vjeç, kundrejt 48-50 vjeç që e ka Europa ekziston mundësia të përfitohet shumë nga investimi i tyre.

“Në terma mesatarë, ai shkon 38 – 40% të pagës, kundrejt 75% që është detyrimi ligjor” shprehet Hasa. Vendosja e sistemit të detyrueshëm privat të pensioneve, duke ndarë 3% të kontributit për skemat vetëkapitalizuese, sipas tij, kushtëzohet edhe nga nevoja që ka shteti shqiptar për burime financiare. “Nëpërmjet vendosjes së skemës vetëkapitalizuese, rriten investimet në ekonomi, duke mobilizuar asetet e të siguruarve që janë investuar në obligacione shtetërore afatgjatë 5-10-vjeçare. Nga shifrat që publikon Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nga disa përllogaritje, në këto skema, për një vit grumbullohen 13.5 miliardë lekë, ose 96.5 milionë euro, të cilat rriten çdo vit në mënyrë progresive dhe vetëm pas 10 viteve, ato arrijnë në 230-250 miliardë lekë, ose 1.750 milionë euro”, – nënvizon ai.

Brunilda Haxhimihali, Drejtore e Departamentit Ligjor & Përputhshmërisë, Raiffeisen Invest, thekson se kolona e dytë, ka tiparet e një llogarie personale kursimi, me kontribute të detyrueshme, e administruar nga shoqëritë private të licencuara, që sot administrojnë fondet e pensionit vullnetar. “Kjo skemë paraqet një lidhje të qartë kontribute-performancë investimi – përfitime. Pra, kolona II do të funksionojë krahas skemës publike të detyrueshme (PAYG), rrjedhimisht përfituesit e ardhshëm do të marrin përfitime nga dy burime, skema publike dhe skema e detyrueshme me menaxhim privat”, – shprehet ajo.

 

Burimi: AMF

 

Privati vullnetar, në fund të 2018 mbi 25 mijë anëtarë

Në fund të vitit 2018, të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se ky treg përfshinte një total asetesh neto prej 2,2 miliardë lekësh (18.54 milionë euro) me një rritje prej 561.56 milionë lekësh, apo 32.51% krahasuar me 31.12.2017. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, deri në fund të 2018-s, ishte 25,298 anëtarë, duke u rritur 20.77% krahasuar me fundin e vitit 2017. Nga ana tjetër, i njëjti trend pozitiv ka vijuar edhe në tremujorin e parë të vitit 2019.

Të dhënat zyrtare për tregun e fondeve të pensionit tregojnë rritje në totalin e aseteve neto prej 134.81 milionë lekësh, ose 5.89% krahasuar me fundin e 2018-s, ndërkohë numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, ka shënuar rritje prej 3.34% krahasuar me dhjetorin e vitit të shkuar. Aktualisht, në tregun e pensioneve vullnetare në vendin tonë operojnë tre fonde: I pari, fondi i pensionit vullnetar Raiffeisen, i cili administrohet nga shoqëria Raiffeisen Invest sh.a. I dyti, fondi i pensionit vullnetar Sigal, i administruar nga shoqëria Sigal Uniqa Group sh.a dhe i treti, fondi i pensionit vullnetar Credins, i administruar nga shoqëria Credins Invest sh.a.

 

Burimi: AMF

Arsyet që kufizojnë rritjen pensioneve private vullnetare

Që nga viti 2010, kur nisi për herë të parë operimi i fondeve private vullnetare i pensioneve, rritja edhe pse e qëndrueshme, ka qenë relativisht modeste. Estela Koçi, administratore e Fondit Credins Pension, thotë se përgjithësisht, sigurimi vullnetar nuk është ai që zgjidh problemin e pensioneve te shqiptarët.

“Kolona e tretë është e destinuar të mbetet në këto nivele, dhe nuk mund të pretendohet të zgjidhë problemin e pensionit për shqiptarët. Kjo kolonë, sikurse është edhe në vendet e zhvilluara, do të jetë plotësuese e dy kolonave kryesore”, – thekson ajo. Por pavarësisht kësaj, Koçi sqaron se për ta nxitur mund të merren disa nisma fiskale, pasi ligji është miratuar gati 10 vjet më parë dhe shumë aspekte nuk janë ndryshuar asnjëherë.

“Një nxitës i fortë fiskal do të ishte edhe përjashtimi i tatimit të pensionit vullnetar në momentin e përfitimit, duke tatuar vetëm kthimin (interesin) nga investimi dhe jo kontributet e bëra në vite”, shprehet administratorja e Credins Pension.

Skemat suplementare janë një tjetër element i rëndësishëm që nxisin zhvillimin e tregut privat të pensioneve. “Pa dyshim, zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe rritjes së qëndrueshmërisë financiare të tij edhe në Shqipëri lidhet me funksionimin e skemave private të pensioneve. Për këtë arsye kërkohet; së pari, të nxitet skema suplementare e pensioneve private, kolona e tretë e krijuar vitet e fundit”, – thotë Naim Hasa nga Sigal.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of