Intervistë me Edlira Konini, administratore e përgjithshme, Raiffeisen Invest
Edlira Konini, administratore e përgjithshme e shoqërisë administruese Raiffeisen Invest, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se fondi i pensionit Raiffeisen nuk pësoi ndërprerje të kontributeve, megjithëse rreth 70% e kontribuuesve janë pjesë e skemave profesionale. Ajo shprehet se ndryshe nga tregu i fondeve të investimit, ai i pensioneve nuk u ndikua shumë nga situata që krijoi pandemia.
Znj. Konini shprehet se stimujt aktualë për pensionet private janë të pamjaftueshëm dhe madje për kategori të caktuara, si të vetëpunësuarit apo emigrantët, janë të pazbatueshëm në praktikë. Sipas saj, përjashtimi nga tatimi i përfitimeve të pensionit do të ndikonte në rritjen e bazës së anëtarësimit dhe ndërgjegjësimin se një pension privat vullnetar është i nevojshëm për të rritur cilësinë e jetës në moshën e pensionit.
Si do ta vlerësonit ecurinë e fondit tuaj të pensioneve në vitin 2020?
Viti 2020 ishte, pa diskutim, një vit i vështirë, i cili na përballi me një situatë të paprecedentë që ndryshoi shumë aspekte të jetës sonë, por fatmirësisht Raiffeisen Invest e mbylli 2020-n me sukses. Ecuria e të gjithë fondeve që ne kemi nën administrim, por e Fondit të Pensionit vullnetar Raiffeisen në veçanti, dëshmoi për besimin që anëtarët kanë në institucionin tonë, i cili e ka zanafillën në krijimin e një marrëdhënieje të gjatë e të qëndrueshme që mbështetet në profesionalizëm dhe transparencë. Kjo ecuri ishte mjaft pozitive si në aspektin e rritjes se biznesit, ashtu edhe në atë të përfitueshmërisë për anëtarët.
Për fondin e pensionit vullnetar, Raiffeisen viti 2020 u mbyll me 2.2% rritje për sa i takon numrit të anëtareve në fond dhe 17.1% rritje për sa i takon vlerës neto të aseteve. Gjithashtu, kthimi nga investimi ishte në nivele tejet të kënaqshme, duke qëndruar në krye të kthimeve të tregut.
Në fakt, pandemia rriti shkallën e pasigurisë mbi tregjet në tërësi dhe sigurisht dha një ndikim të fortë negativ në ekonominë shqiptare duke sjellë tkurrje të aktivitetit ekonomik, reduktim të punësimit dhe rënie të inflacionit. Nëse efektet e saj ishin më të ndjeshme për fondet e investimit, duke u manifestuar në formën e rritjes së nivelit të tërheqjeve dhe kufizime në investime të reja, për fondin e pensionit vullnetar Raiffeisen nuk pati materializim të tyre. Pavarësisht strukturës sonë të anëtarësimit, e cila në masën 70% përbëhet nga punëmarrës që janë pjesë e skemave profesionale të pensionit, të krijuara nga punëdhënësit e tyre, nuk pati ndërprerje të kontributeve të pensionit.
Gjithashtu tërheqjet e parakohshme, të cilat në fakt penalizohen në funksion të kohës së anëtarësimit në fond, ishin të reduktuara dhe në të njëjtat nivele, si në vitet përpara pandemisë. Pra, e thënë në mënyrë të përmbledhur, fondi i pensionit vullnetar Raiffeisen vazhdoi të manifestojë rritje të qëndrueshme dhe nuk u ndikua nga efektet e pandemisë gjatë vitit 2020.
Cila ishte tendenca e kthimit nga investimi për vitin 2020? Si ndikoi kriza në këtë tregues?
Sikurse e përmenda më sipër, fondi i pensionit vullnetar Raiffeisen ofroi për anëtarët e tij një kthim mjaft të kënaqshëm nga investimi. Përfitueshmëria neto për anëtarët tanë gjatë 2020-s ishte në nivelin 4.35%. Nëse është vënë re një tendencë në rënie e kthimit nga investimi, në tërësi kjo lidhet me ecurinë e normave të interesit në tregun e brendshëm, pasi i gjithë portofoli ynë përbëhet nga tituj të emetuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Nëse i referohem obligacionit 5-vjeçar me kupon fiks të emetuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, i cili ka një maturitet të përafërt me kohëzgjatjen mesatare (duration) të portofolit të titujve të fondit të pensionit, norma e interesit të tij në 6 vitet e fundit ka rënë nga 6.65% në 3.87%.
Raiffeisen Invest ka pasur një qasje konservatore lidhur me strukturën e portofolit dhe ka ndjekur një politikë të tillë që thuajse e imunizon fondin e pensionit nga luhatjet e normave të interesit në treg, por nga ana tjetër, çdo investim i ri kryhet në tituj me norma më të ulëta, çka detyrimisht do të sjellë rënie të përfitueshmërisë. E rëndësishme është të vlerësojmë si është ajo në raport me atë çfarë ofron tregu.
Sa u ndikua tregu i pensioneve private nga efektet e pandemisë dhe të krizës ekonomike të lidhur me të? Në cilët indikatorë ndikimi ishte më i ndjeshëm?
Mbështetur në raportet më të fundit të tregut të pensioneve vullnetare, publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, edhe për tregun e pensioneve private në tërësi nuk vërehet ndonjë efekt negativ i lidhur me pandeminë. Të paktën ende jo. Në fakt të gjithë treguesit janë pozitivë: numri i anëtarëve është rritur me 9.72% krahasuar me vitin 2019, ndërsa vlera neto e aseteve me 29%, duke arritur nivelin e 3.6 miliardë lekëve.
Cilat janë vlerësimet tuaja lidhur me projektligjin “Për Fondet e Pensionit Vullnetar” që u hodh për konsultim vitin e kaluar?
Projektligji “Për fondet e pensionit vullnetar”, i cili ka disa vite që është hartuar, synon pa dyshim përmirësimin e kuadrit ligjor të tregut të fondeve të pensionit vullnetar, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të tij, në përputhje me legjislacionin dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ne e vlerësojmë këtë nismë të Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si të domosdoshme për krijimin e strukturës së duhur rregullative lidhur me pensionet private vullnetare, por gjykoj që ajo ka nevojë për disa përmirësime të cilat kryesisht do të doja t’i kanalizoja në 3 drejtime:
Së pari, mënyra e trajtimit fiskal të përfitimeve të pensionit: sipas projektligjit, çdo pagesë pensioni, tatohet me tatimin mbi të ardhurat personale, ndërkohë që kontributi për pension është i përjashtuar nga tatimi deri në një kufi të caktuar.
Në kushtet e vendit tonë, ku skema publike e pensionit (PAYG) paraqet mjaft problematika, të cilat lidhen me rritjen e jetëgjatësisë së popullatës, nivelin e papunësisë dhe emigracionit apo nivelin e ulët të të ardhurave, vlerësoj që do të ishte i domosdoshëm aplikimi i lehtësive tatimore në momentin e pagesave të pensionit pasi është pa diskutim një faktor nxitës për përfshirjen dhe anëtarësimin më të gjerë në fondet privatë të pensionit.
Kjo jo vetëm që do të mundësonte zhvillimin e tregut të pensioneve private, por do të lehtësonte edhe skemën publike dhe do të siguronte të ardhura më të qëndrueshme dhe më të larta për anëtarët, çka detyrimisht ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Ajo që unë do të sugjeroja – dhe ky ka qenë gjithashtu qëndrimi i aktoreve të tjerë të tregut – është që tatimi të aplikohet vetëm mbi kthimin nga investimi, ashtu siç e kanë pjesa më e madhe e vendeve në zhvillim.
Së dyti, do të ishte i nevojshëm një harmonizim me legjislacionin tatimor, në mënyrë që dispozitat e ligjit të pensioneve vullnetare të jenë të zbatueshme në praktikë.
Së treti, duke marrë shkas nga miratimi i Ligjit nr. 29/2019 lidhur me trajtimin financiar, statusin dhe pensionet e punonjësve të profesioneve të vështira, i cili parashikon pagesën e kontributeve për punonjësit e profesioneve të vështira nën 48 vjeç, në skemën e pensioneve profesionale, është e nevojshme përfshirja e dispozitave përkatëse në ligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, lidhur me mënyrën e administrimit të skemave të pensionit të profesioneve të veçanta, me kontribute të detyrueshme, me qëllim mundësimin e zbatimit të tij në praktikë.
Besoni se stimujt aktualë që ofron ligji për nxitjen e investimeve në një pension privat janë të mjaftueshëm? Si mund të përmirësohen më tej këta stimuj?
Stimujt aktualë janë të pamjaftueshëm dhe ndonjëherë, për kategori të caktuara (të vetëpunësuar, emigrantë etj.) të pazbatueshëm në praktikë. Do ta shikoja si një faktor nxitës për zhvillimin e këtij tregu përjashtimin nga tatimi jo vetëm të kontributeve deri në një kufi të caktuar, por edhe të pagesave të pensionit. Jam e bindur që do ndikonte në rritjen e bazës së anëtarësimit dhe ndërgjegjësimin e popullatës që një pension privat vullnetar është i nevojshëm për të rritur cilësinë e jetës në moshën e pensionit.
Mendoni se instrumentet e kufizuara të investimit janë një faktor frenues për rritjen e këtij tregu? Shihni instrumente të reja investimi të përshtatshme ku fondet private të pensioneve në Shqipëri mund të investojnë?
Në stadin aktual të zhvillimit të tregut të pensioneve private, i cili mbetet ende një treg shumë i vogël dhe i kufizuar, gjykoj se nuk ka qenë mungesa e instrumenteve të investimit një faktor frenues për rritjen e tregut. Përkundrazi, sipas rregullores në fuqi të AMF “Për aktivet e lejuara, kufizimet dhe kufirin maksimal të investimit të fondit të pensionit”, çdo shoqëri administruese mund të investojë përveçse në tituj borxhi të qeverisë shqiptare, edhe në tituj borxhi të shteteve të tjera, apo korporatave që kanë një rating të caktuar, ose edhe në aksione apo fonde investimesh që ndjekin indekse, duke respektuar disa kufij të mirëpërcaktuar.
Qasja konservatore e orientimit të investimeve në tituj borxhi të qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë zgjedhje e shoqërive administruese, të cilat kanë zgjedhur të marrin përsipër më pak risqe dhe, nga ana tjetër, nuk kanë ndier nevojën e diversifikimit, pasi titujt e borxhit të qeverisë shqiptare kanë ofruar ndër vite norma të larta interesi. Sigurisht, ne jemi absolutisht në favor të nxitjes së zhvillimit të tregut të kapitalit në vend, i cili do të ofronte alternativa të reja investimi dhe hapësirë për diversifikim, sidomos në kushtet e një ambienti normash interesi relativisht të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.