Një vëzhgim Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka identifikuar si faktorin kryesor për moszgjerimin e tregut privat të pensioneve faktin që ato janë shumë të kushtueshme për punëdhënësin dhe ai nuk ka interes t’i zhvillojë
Tregu i pensioneve private vullnetare është segmenti më pak i zhvilluar i tregut financiar. Ai përbën vetëm 0.05% të PBB-së (2014), pavarësisht dinamikës së lartë të rritjes që ka shfaqur që prej reformimit të këtij segmenti, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 10197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar”.
“Kjo nuk do të thotë që medoemos energjitë e një Autoriteti rregullator duhet të dedikohen në përpjesëtim të drejtë me madhësinë e tregjeve”, pohon znj. Enkeleda Shehi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive, Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Në rastin e pensioneve private, AMF vlerëson se në fazat aktuale të zhvillimit, ky treg ka nevojë për më tepër promovim dhe nxitje, duke marrë në këtë mënyrë një rol më proaktiv, sesa thjesht mbikëqyrës. Pensionet private nga pikëpamja e individëve mund të kthehen në element të rëndësishëm kursimi dhe ruajtjeje të nivelit të mirëqenies, ndërsa në një pikëpamje më makro, ato ndikojnë në zhvillimin e tregut financiar në tërësi. Kjo ndodh për arsye se zhvillimi i tregut të pensioneve mbështetet dhe njëkohësisht ndihmon zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe bashkërisht ata nxisin investimet afatgjata në ekonomi. Po në këtë koncept, merr rëndësi zhvillimi i kolonës së dytë, për të cilën AMF është shprehur e gatshme ta mbështesë.
Në një intervistë znj. Shehi flet për pengesat kryesore në zhvillimin e tregut privat të pensioneve në Shqipëri dhe hapat që planifikohen të ndërmerren për ta nxitur atë, që do të diskutohen dhe në konferencën “Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri – zgjerimi i mbulimit” që do të organizohë AMF më datë 8 tetor.
Intervistë me znj. Enkeleda Shehi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive, Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare
Duhen fushata edukuese për punëdhënësit dhe punëmarrësit
Nga vrojtimi që keni kryer, a mund të na “zbuloni” faktorët që i pengojnë apo i nxisin ndërmarrjet për të ofruar plane pensioni profesionale?
Në fillim dua të vë në dukje që nga ndërmarrjet e vrojtuara shumë pak prej tyre ofrojnë plane pensioni (22 ndërmarrje ose 1.06%), kundrejt 98.94% që nuk ofrojnë plane të tilla. Një rezultat i pritshëm, po të kemi parasysh madhësinë e tregut të pensioneve private në raport me tregun financiar. Madje, edhe brenda grupit të ndërmarrjeve që nuk ofrojnë plane pensioni, një numër i vogël i tyre, vetëm 14%, kanë menduar të ndërtojnë një plan pensioni profesional.
Në këtë sjellje të ndërmarrjeve duket se ndikojnë një mori faktorësh. Kështu, si faktorë mbështetës për ndërtimin e planit të pensionit, identifikohen nevoja për të bërë të qëndrueshme forcën e punës në një ndërmarrje të tillë si, rritja e shkallës së besnikërisë së punonjësve ndaj ndërmarrjes, dhënie mesazhi për punonjësit se ndërmarrja ka një angazhim afatgjatë për ta, si dhe nxitja e kursimeve nga ana e punonjësve. Më pak i konsiderueshëm, por gjithsesi i rëndësishëm, është faktori që lidhet me koston, pra përfitimi i lehtësive tatimore.
Si faktorë pengues rezultojnë faktorët e kostos. Kështu, plani i pensionit konsiderohet si shumë i kushtueshëm për t’u ndërtuar dhe se nuk sjell përfitim për ndërmarrjen. Në masë gati të njëjtë, por më pak të rëndësishëm, janë faktorët që vetë punonjësit nuk duan skema të tilla, sepse ata përfitojnë nga forma të tjera shpërblimi. Madje, këtu do të doja të theksoja se edhe vetë punëmarrësit kanë shfaqur interes të pakët për të tilla skema. Prej tyre është kërkuar që të merret në shqyrtim mundësia për ndërtimin e një plani pensioni vetëm në 19 ndërmarrje, ose 0.93% e ndërmarrjeve që nuk ofrojnë plan pensioni. Grupi i tretë i faktorëve janë ata që lidhen me besimin në institucionet financiare që ofrojnë dhe mbikëqyrin të tilla produkte, që perceptohet në nivele nën mesatare dhe me shkallë të ulët njohjeje të këtyre institucioneve.
Nga studimi i kryer, cili do të ishte mesazhi kryesor dhe çfarë hapash do të ndërmarrë AMF në të ardhmen e afërt?
Në përfundim të analizës së kryer për ecurinë e tregut të pensioneve private vërehet se zhvillimi i tregut të pensioneve private kërkon një ambient të qëndrueshëm makroekonomik për të nxitur kërkesën dhe ofertën për produktet e tregut të pensioneve private. Rrethanat aktuale bëjnë më të efektshëm që veprimi të përqendrohet në nxitjen e ofertës. Korrektimi i trajtimit fiskal të produkteve të pensionit pritet që, në periudhë afatshkurtër, të nxisë kërkesën për produktet e tregut të pensioneve private.
Janë disa veprime që mund të ndërmerren. Së pari, është nevojshme të ketë fushata marketingu më intensive nëpërmjet rritjes së kontakteve me ndërmarrjet. Këto kontakte preferohet të jenë të drejtpërdrejta me punëdhënësit dhe punëmarrësit për të shpjeguar produktet që ofron tregu i pensioneve private. Së dyti është e domosdoshme të fillojë fushata edukuese e punëdhënësve dhe punëmarrësve, kryesisht me anë të përdorimit të informacionit të shkruar, por edhe përmes prezantimeve. Në veçanti për AMF rezulton se institucioni duhet të shtojë praninë në publik dhe të theksojë më tepër në planet afatmesme të veprimit elementet e edukimit dhe të mbrojtjes konsumatore.
Projektet për nxitjen e tregut
Projekti “Shqipëria: Mbikëqyrja dhe zgjerimi i tregut të pensioneve” zyrtarisht ka filluar në korrik 2014. Projekti është strukturuar në dy komponentë kryesorë. Në komponentin “Rregullimi dhe mbikëqyrja” objektivi është të hartohet kuadri i mbikëqyrjes me bazë rrezikun, si elementi bazë për zbatimin e kësaj metodologjie mbikëqyrjeje në fushën e pensioneve. Ndërsa në komponentin “Zgjerimi i tregut të pensioneve” objektivi është zgjerimi i mbulimit me pensione të punëmarrësve në Shqipëri. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është institucioni përfitues i projektit, si dhe bashkëfinancues i tij, duke kontribuar me rreth 14.9% të kostos së projektit. Banka Botërore është nismëtarja e projektit dhe mbështet zbatimin e tij. Nisma për Forcimin dhe Reformën në Sektorin Financiar (FIRST) financon rreth 85.1% të projektit. Në kuadër të këtij projekti, AMF në bashkëpunim me INSTAT, ndërmori një vrojtim me ndërmarrjet në të gjithë territorin e vendit me mbi 20 të punësuar. Qëllimi i vrojtimit ishte njohja me qëndrimet dhe perceptimet e punëdhënësve dhe në një masë më të kufizuar të punëmarrësve në lidhje me skemat alternative të pensione private.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.