Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se për vetëm 12 ditë janë raportuar 88 raste denoncuese, përmes aplikacionit elektronik për verifikimin e punëtorëve. ATK-ja ka ftuar të gjithë punëtorët që t’i bashkohen kësaj kampanje.
Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se për 12 ditë, qëkur ka plasuar aplikacionin përmes të cilit punëtorët mund të konfirmojnë në çast nëse janë të regjistruar, janë bërë 88 denoncime.
Aplikacioni, ku me futjen e numrit personal, dalin të gjitha të dhënat, është lansuar më 30 dhjetor 2021.
“Për vetëm 12 ditë janë raportuar 88 raste denoncuese, përmes aplikacionit elektronik për verifikimin e punëtorëve, nëse janë të deklaruar/regjistruar nga punëdhënësit e tyre. Bazuar në projektin për formalizimin e punësimit ndër arsyet kryesore që kanë kontribuar që punësimi joformal të trajtohet si i tillë janë nën-deklarimi i pagave, pagesa e pagave në dorë, të punësuarit pa kontrata pune, etj. Të gjitha pikat e përmendura janë evidentuar edhe në raportet dhe anketat e bëra nga Banka Botërore, raportet e financuara nga Bashkimi Evropian, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Akademia e Shkencave të Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, si dhe nga Institucionet tjera, dhe të gjeturat nga ATK në terren”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
ATK-ja ka ftuar të gjithë punëtorët që t’i bashkohen fushatës së saj, duke shfrytëzuar këtë aplikacion.
“Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që t’i ulim statistikat e punëtorëve të pa formalizuar, duke mundësuar realizimin e të drejtës tuaj për një të ardhme me një pensionim të sigurte”.
Agjencia Tatimore e Kosovës, në kuadër të fushatës me sloganin “Boll ma, lyp me u regjistru”, ka krijuar edhe mundësinë që secili punëtor të konfirmojë vetë nëse punëdhënësi e ka regjistruar dhe nëse po paguan kontribute për të.
Secili punëtor mund të konfirmojë këtë në linkun https://apps.atk-ks.org/regemployer, me procedurë të thjeshtë, vetëm duke e shkruar numrin personal në letërnjoftim.
Në Kosovë, paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
Në anketën e fundit të ASK-së, të publikuar në tetor të këtij viti, të intervistuarit që punojnë në sektorin publik, kanë thënë se punojnë deri në 39 orë në javë, ndërsa ata në privat deri në 43 orë.
Me Ligjin e Punës, orari i plotë është dyzet orë në javë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2020, nga Kosova janë larguar 8,724 banorë. Disa prej tyre kanë ikur për shkak të gjetjes së një vendi të punës apo për studime afatgjata.
Përveçse në vendet e Bashkimit Evropian, një numër i kosovarëve ka emigruar edhe në vende të tjera, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqi e Kanada.
Sektori privat llogaritet si punëdhënësi më i madh në Kosovë, me mbi 220 mijë punëtorë.
Shkalla e papunësisë në Kosovë këtë vit shënon afro 26 për qind. Krahasuar me vitin e kaluar, ka rritje për 0.8 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.