Flet Edlira Nikaj, administratore e “DOT BALKANS sh.p.k”
Rritja e madhe e përdorimit në 2021 të teknologjisë botërore për sektorin e tregtisë, shëndetësisë, rrjeteve sociale janë arsyet kryesore që kompania “DOT BALKANS sh.p.k.” krijoi akademinë SIA (Stanford Innovation Academy) për përgatitjen profesionale të punonjësve të IT-së.
Administratorja Edlira Nikaj pohon se në kushtet kur kërkesa për punësime të reja është e lartë, oferta e tregut është shumë e ulët. Sipas saj, për të plotësuar boshllëkun e krijuar, trajnimet e punonjësve sipas standardeve ndërkombëtare në Akademinë SIA garantojnë punësimin direkt të tyre në kompani.
Znj. Nikaj thotë se duhet ende kohë që kompanitë vendase të konsolidohen për ofrimin e këtij shërbimi në tregun e huaj. Realizimi i kontratave ndërkombëtare për shumë kohë, sipas saj, do të vijojë nëpërmjet bashkëpunimit me kompanitë e huaja.
Si është aktualisht kërkesa e sektorit të informatikës dhe teknologjisë për punonjës profesionistë të IT-së, duke qenë se përdorimi i teknologjisë është rritur?
Profesioni i zhvilluesit të software-ve (software developer), në ditët e sotme, është një nga më të kërkuarit në tregun e punës. Në Shqipëri ky profesion është përfshirë, si lëndë mësimi, relativisht vonë. Kërkesat e kompanive të huaja për këtë lloj shërbimi janë dyfishuar vitin e fundit, duke lehtësuar zhvilluesit me mundësinë e punësimit nga remote, pas gjendjes së krijuar nga pandemia globale. Specialistët tanë janë në fillimet e tyre dhe po fitojnë përvojë në këtë fushë, duke marrë pjesë në projekte të mëdha ndërkombëtare. Cilësia e punës së tyre ka rritur kërkesat për punonjës në vendin tonë.
Në fakt, në këtë profesion, kërkesa e punës e tejkalon shumë ofertën e specialistëve e për këtë arsye, po shtohen edhe akademitë, të cilat do të mbulojnë pjesën e trajnimeve për brezat e rinj të nxënësve. Akademia jonë, SIA (Stanford Innovation Academy), ka vënë në dispozicion shumë kurse me nivele të ndryshme e njëkohësisht me kohëzgjatje të ndryshme, sipas kërkesave të tregut të punës.
Gjithashtu, ofrojmë kurse në gjuhët e programimit më inovatore e afatgjatë në treg. SIA ka një rrjet të gjerë ndërveprimi me kompani të ndryshme europiane, për të mundësuar punësimin e menjëhershëm të specialistit, pas certifikimit të tij. Pajisja me certifikatë është avantazh shumë i madh për punonjësit, pasi i bën më konkurrues në tregun ndërkombëtar.
Rekrutimi rezulton kompleks, për shkak të numrit të limituar të profesionistëve shqiptarë në IT, duke detyruar kompanitë të konkurrojnë mes tyre me paga, bonuse, sigurime shëndetësore, sa më të larta për kandidatin. Shpeshherë, këto paga e tejkalojnë vlerën e përvojës së specialistit, por është e vetmja mënyrë për të siguruar staf dhe qëndrueshmëri si kompani, përballë një klienti ndërkombëtar, i cili, mbi të gjitha, vlerëson stabilitetin e një kompanie vendase.
Kompania “DOT BALKANS” është ndër të parat që ofron një program bonusesh nga më të lartat në treg, gjithashtu të gjithë konsulentët e specialistët tanë janë të pajisur me sigurim shëndetësor të plotë që në momentin e parë në të cilin hynë në kompani. Në këtë lojë komplekse, i fituari mbetet kandidati që do të punësohet, të cilit i ofrohen shumë kushte favorizuese në punën e tij. Kjo është pozitive për brezin e ri, i cili prej vitesh aspiron të jetë i barabartë me të rinjtë e huaj. Kjo po mundësohet falë profesionit të IT që aktualisht është më i kërkuari në tregun botëror.
Si është cilësia e profesionistëve të IT-së, a mos po mbivlerësohen me pagat e larta që po paguhen?
Në këtë profesion, cilësia fitohet me përvojë, me trajnime të shumta e certifikime dhe me pjesëmarrje në projektet ndërkombëtare. Punonjësit tanë janë në rrugën e duhur, por u duhet ende shumë kohë për t’u ofruar kompanive përvojë të kompletuar në këtë profesion. Konkurrentët tanë më të fortë janë shtetasit indianë, të cilët zotërojnë mbi 7 deri në 8 certifikime, në një kohë shumë të shkurtër trajnimi.
Për sa i përket pagës së punonjësve IT, nuk do ta quaja të mbivlerësuar, por një vlerësim të përshpejtuar. Për shkak të moshës së re të punonjësve dhe përvojës profesionale, shpeshherë ndodh që edhe pse puna e tyre rezulton e kënaqshme, profesionalizmi dhe qëndrueshmëria në një punë është më e komprometuar. Shpresoj që kjo të përmirësohet me kalimin e kohës.
Ju keni ngritur shkollë profesionale (akademi) për përgatitjen e profesionistëve të IT-së, si mendoni a e ndihmon kjo rritjen e cilësisë së punonjësve?
Akademia jonë SIA, që në gjenezë, është konceptuar për përgatitjen profesionale të punonjësve, për të qenë të denjë në tregun ndërkombëtar. Ne operojmë me kontrata ndërkombëtare dhe standardi profesional i punonjësve duhet të jetë shumë i lartë.
Në përmbushje të kësaj sfide, kemi punësuar trajnerë dhe profesorë të huaj nga më të mirët në treg, me reputacion në profesionin e tyre si developer, por edhe në fushën akademike të mësimdhënies. Trajnimet janë ndërtuar në mënyrë të integruar teori/praktikë/lojë/argëtim/ndërveprim midis studentëve, duke ndjekur ideologjitë më të reja në fushën e mësimit, të cilat kanë efikasitet maksimal të provuar në akademitë më të mira në botë. Kjo mënyrë e frytshme e mësimdhënies ka sjellë, si rezultat certifikimin e studentëve në një kohë shumë të shkurtër nga fillimi i studimit të tyre në akademinë tonë.
Pas përfundimit të trajnimit, secili nga studentët do të pajiset me certifikatë që dëshmon aftësitë profesionale. Kjo zgjidhje shmang konkurrencën midis tyre, si dhe punësimin e të gjithëve, pa lënë pas asnjë student. Studentët e parë, si edhe 100 të ardhshmit, e kanë gati vendin e punës në kompaninë tonë që operon për tregun e huaj të shërbimit të software-ve.
A ndihet në sektorin tuaj tendenca e emigrimit të profesionistëve, siç po ndodh me mjekët apo inxhinierët?
Mendoj se ende nuk ka nisur një tendencë e tillë, sepse ky profesion është i ri në vendin tonë. Në shtetet e huaja, konkurrenca është shumë e lartë dhe me standarde ende larg nga realiteti shqiptar. Besoj se ende për disa vite, kompanitë vendase do të jenë në bashkëpunim me kompani të huaja ndërmjetësimi për finalizimin e kontratave. Kompanitë vendase ende nuk kanë arritur atë lloj standardi në konsolidim, për të pasur të mundur bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me klientin final, i cili porosit software-n në tërësi.
Në këtë rast, bëhet fjalë për ofrimin e shërbimit në kompani, si: banka, infrastruktura software shtetërore në sektorë të ekonomisë, në mjekësi, drejtësi etj. Ky bashkëpunim do të dojë kohë të konsolidohet. Ne ecim me hap të shpejtë e të sigurt për sa u përket teknologjive të reja.
A është rritur kërkesa e bizneseve për teknologji të re nga pandemia?
Pandemia solli shumë risi në fushën e inovacionit teknologjik-kompjuterik. Aplikacione të shumta u projektuan në këtë periudhë, duke u dhënë zgjidhje shumë problematikave që hasëm gjatë periudhës së lockdown. Në vitin 2021 ka një bum të përdorimit të teknologjive të reja informatike, si aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor, në mënyrë informatike, të aplikacioneve për lojëra virtuale e kështu me radhë, duke përfunduar te zgjerimi i madh i databazave botërore në çdo lloj fushe, si rezultat i përqendrimit dhe fokusit të popullatës, në realitetin virtual kaq shumë të përfolur në ditët e sotme.
Algoritme të caktuara, pjesë e aplikacioneve të rrjeteve sociale, aq shumë të përdorura gjatë periudhës së mbylljes kanë sjellë kërkesë jashtëzakonisht të madhe për developer (zhvillues) në mbarë botën. Kërkesa është e lartë edhe në Shqipëri, ku shumë të rinj po ndërgjegjësohen rreth këtij profesioni kaq të ri, por edhe të kërkuar në tregun e punës.
Cilat janë efektet e kësaj kërkese, a po ndikojnë te çmimet?
Efekti i menjëhershëm i kësaj kërkese për profesionistë në këtë fushë është nevoja për trajnime/certifikime në vend. Kjo ishte arsyeja që i dha shtysë nismës sonë për çeljen e akademisë. Normalisht, raporti ofertë/kërkesë është në favor të punonjësve të IT. Kjo sjell edhe kushte optimale pune për ta, të shoqëruar natyrisht me paga tepër të kënaqshme, si dhe bonuse të shpeshta. Udhëtimet me qëllim socializimi e turizmi nuk mungojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.