Për herë të parë në Shqipëri, ndërtohet Strategjia e Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP), por, siç thuhet në dokumentin e publikuar në Fletoren Zyrtare, ajo është hartuar mbi një traditë të mirëkonsoliduar tashmë.
Në të pohohet se pjesa dërrmuese e kontakteve që popullsia ka me sistemin shëndetësor realizohen në nivelin e Qendrave Shëndetësore dhe shumë probleme shëndetësore trajtohen nga mjekët e përgjithshëm ose edhe infermierët në strukturat e kujdesit shëndetësor parësor.
Pavarësisht kësaj, ndryshimet demografike dhe epidemiologjike, pritshmëritë gjithnjë në rritje ndaj kujdesit shëndetësor, së bashku me rreziqet e larta të shtimit të pabarazive, kërkojnë më shumë mbështetje, përshtatje dhe reforma në kujdesin shëndetësor parësor.
Kjo strategji ka për qëllim :
-Të rrisë cilësinë dhe spektrin e shërbimeve në KSHP, çka do të sjellë:
-uljen e numrit të referimeve në shërbimet sekondare, terciare dhe në shërbimet e urgjencës;
-rritje të kënaqësisë së pacientëve; dhe
-rritje të reputacionit të mjekëve të familjes.
-Të ofrojë shërbime shëndetësore dhe sociale të integruara për t’iu përgjigjur nevojave individuale të
individëve dhe grupeve në nevojë;
-Të përmirësojë aksesin për marrjen e shërbimeve dhe sigurojë kujdes shëndetësor të koordinuar e në vijimësi nëpërmjet bashkëpunimit me mjekun specialist;
-Të përgatisë sistemin shëndetësor për sfidat e mundshme, përfshirë rritjen e nevojave për shërbime dhe përballjen me mungesë të personelit shëndetësor duke promovuar rolin e infermierëve në qendrat shëndetësore të KSHP dhe infermierët në komunitet.
Nga strategjia synohet
1. Rritje me 1 vit të jetgjatësisë së shëndetshme (vitet e jetës pa sëmundje) ;
2. Rritje me 10% e përdoruesve (numrit të vizitave) të shërbimeve të KSHP ;
3. Ulje me 5% e shtrimeve në spital të rasteve me sëmundje të trajtueshme në KSHP (Hipertension, diabet, astma, SPOK, depression etj) ;
4. Ulje me rreth 10% e proporcionit të personave që nuk e përdorin KSHP megjithëse kanë nevojë për shërbimet, në kategori të caktuara të popullatës.
Kjo strategji do të përcaktojë rrugën e përgatitjes së sistemit të kujdesit shëndetësor parësor që do të adresojë në mënyrë më të mirë dhe efikase nevojat shëndetësore e të gjitha komuniteteve dhe kategorive të popullatave. Akses më i mirë i komuniteteve vulnerabël në shërbimet e kujdesit shëndetësor do të arrihet nëpërmjet një integrimi më të mirë horizontal të profesionistëve të ndryshëm të specializuar, që punojnë në nivel komuniteti, si dhe integrimi vertikal (vijueshmëria e kujdesit midis KSHP dhe spitalit/specialiteteve të tjera të fushës).
Sipas saj, do të krijohen modele të reja shërbimesh për të mbuluar nevojat më urgjente që janë identifikuar në nivel komuniteti, të tilla si parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo të trasmetueshme (SJT), shërbimi i kujdesit në familje për të moshuarit, modelet e kujdesit përmes teknologjisë digjitale, veçanërisht në zonat e thella, etj.
Gjithashtu, strategjia KSHP ka për qëllim të përmirësojë reputacionin, vetëvlerësimin dhe motivimin e punonjësve të Kujdesit Shëndetësor Parësor. Së fundmi, strategjia do të shërbejë për të arritur vizionin politik të një sistemi Shëndetësor Kombëtar të orientuar ndaj mbulimit universal.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ka pasur rritje të numrit të vizitave në shërbimet e KSHP duke u nxitur dhe nga nevojat shëndetësore në rritje, aksesi më i mirë në shërbime dhe ndryshimeve në sjelljen ndaj shëndetit. Sidoqoftë, edhe pse në vitin 2017 u realizuan 7,942,742 vizita në institucionet e KSHP me një mesatare prej 2.7 vizitash për banor në vit, treguesi mbetet i ulët në krahasim me vendet e tjera Europiane.
Në 413 qendrat shëndetësore në Shqipëri punojnë 1,538 mjekë të përgjithshëm, (numri i mjekëve specialistë është 287) dhe 6,864 infermierë e laborantë. Ndërkohë janë 1656 pozicione të planifikuara për mjekë dhe 7017 për infermierë. Mjekët e KSHP kryejnë mesatarisht 11.3 vizita në ditë, me diferenca të mëdha mes zonave urbane dhe zonave rurale.
Shpërndarja gjeografike e popullatës ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme ndërkohë që organizimi territorial i KSHP nuk ka ndryshuar shumë gjatë 30 viteve të fundit. Qendrat shëndetësore dhe pikat ambulatore janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë në mbarë vendin, ku qytetet e mëdha kanë qendra shëndetësore që mbulojnë një popullatë dhjetëfish më të madhe në krahasim me qendrat në zonat rurale.
Në Tiranë apo qytete të tjera të mëdha, kapaciteti i qendrave shëndetësore është më i madh në kuptimin e personelit mjekësor dhe disa shërbimeve të veçanta, të tilla si: konsultori i fëmijës dhe gruas. Nevojitet një rishpërndarje territoriale e qendrave shëndetësore dhe, në mënyrë që të krijohen modele shërbimesh të reja gjithëpërfshirëse e të integruara të mjekësisë së familjes dhe mbështetjes sociale, në zona me nevoja më të mëdha dhe kapacitetet e duhura, do të pilotohet një nivel i ri i qendrës së kujdesit shëndetësor; Qendra e Mjekësisë Familjare.
Studimet tregojnë se vështirësitë financiare për shkak të kujdesit shëndetësor kanë më shumë gjasa të ndodhin kur shpenzimet publike për shëndetin janë të ulëta në raport me Prodhimin e brendshëm bruto (PBB) dhe pagesat direkte nga xhepi përbëjnë një përqindje relativisht të lartë të shpenzimeve totale për shëndetin (Xu et al. 2003; Xu et al., 2007; WHO, 2010). Shpenzimet publike për shëndetësinë në Shqipëri përbëjnë 2.9% të PBB-së, krahasuar me mesataren prej 3.7% për vendet me të ardhura të mesme e të larta në Rajonin Europian të OBSH-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.