Shqipëria është vendi më rural në Europë, ku bujqësia jep rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 10% që është mesatarja e rajonit dhe më pak se 2% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Si rrjedhojë, një pjesë e madhe e popullsisë e siguron jetesën nga puna në fshat.
Por, që pas viteve ’90, kur filloi zhvendosja e madhe e popullsisë nga fshati drejt qytetit (në atë kohë bujqësia sillte deri në 50% të PBB-së) dhe numri i të punësuarve në bujqësi ka rënë vazhdimisht. Për të ardhur në tremujorin e dytë të këtij viti, ku për herë të parë në histori, numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor ia kaloi të punësuarve (që në fakt janë të vetëpunësuar) në fshat.
Sipas të dhënave administrative të INSTAT, në fund të muajit qershor, të punësuarit në sektorin privat bujqësor arritën në 456 mijë, apo 41% e totalit të të punësuarve në vend (përfshirë dhe ata që punojnë në sektorin shtetëror). Në raport me tremujorin e parë 2012, që ishte viti më i hershëm kur INSTAT raporton të dhënat, numri i të punësuarve në bujqësi ka rënë me rreth 70 mijë persona. INSTAT sqaron se numri mesatar i të punësuarve në sektorin bujqësor bazohet në vlerësimet tremujore të Anketës së Forcave të Punës.
Në të kundërt, të punësuarit në sektorin privat janë rritur ndjeshëm (edhe si rezultat i formalizimit). Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në sektorin privat jo bujqësor ishin gati 470 mijë të punësuar në fund të qershorit (43% e totalit), duke ia kaluar për herë të parë me rreth 13 mijë persona, atyre që sigurojnë jetën në fshat. Në krahasim me tremujorin e parë 2012, të punësuarit në biznes janë rritur me rreth 44%.
Ndërsa në sektorin shtetëror punojnë rreth 165 mijë persona (15% e totalit), duke shënuar luhatje të vogla përgjatë 5 viteve të fundit, kur raportohen të dhënat.
Në vitin 2016 popullsia që jetonte në fshat përbënte rreth 42 për qind të totalit, ndërsa një dekadë më parë (në 2006-n), në zonat rurale jetonte 52% e popullsisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.