Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Aplikimi po bëhet përmes disa linqeve të krijuara nga ky Fond, që njihet edhe ndryshe si Trust.
Nga dita e premte e deri më tash qytetarët e Kosovës nuk janë ndalur së aplikuari për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale në Trust
Brenda katër ditë më shumë se 330 mijë qytetarë kanë aplikuar për t’i tërhequr paratë e kursimeve.
“Deri më tani janë më shumë se 330 mijë aplikues, pra në katër ditët e para. Jemi duke punuar që të ju ofrojmë kushte për aplikim të gjithëve, sepse fluksi vazhdon të jetë i lartë”, kanë treguar në Trust.
Në këtë institucion kanë thënë se brenda një ditë po behën mbi 28 mijë aplikime.
Por, ende nuk dihet se kur do të nis pagesa për këto para.
“Më shumë se 28 mijë aplikime në ditë. Ditëve në vijim do të kemi njoftim për çështjen e pagesës. Është çështje javësh, nëse çdo gjë shkon mirë do të ekzekutohen brenda dy javësh”.
Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit ka filluar më 11 dhjetor, ndërsa do të jetë i hapur katër muaj deri më 6 prill 2021. https://www.monitor.al/10-i-trustit-nga-oren-1500-qytetaret-e-kosoves-aplikojne-per-terheqjen-e-parave/
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit.
Kurse, personat e vetëpunësuar, pas çdo tremujori, duhet që të paguajnë kontributin pensional.
Deri më tani, më shumë se 2 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve me mbi 634 mijë llogari mbajtëse në Trustin e Kosovës. Sipas të dhënave të deritashme, mbi 200 milionë euro është vlera që do ta tërheqin qytetarët nga Trusti.
Në bazë të Ligjit, kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme. Kurse, kontribuuesit që kanë më shumë se 10 mijë euro, nuk do të kompensohen.
Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, rreth 92 për qind e kontributpaguesve kanë mjete nën 10 mijë euro, kurse tetë për qind mbi 10 mijë euro.
Numri më i madh i kontributpaguesve apo më shumë se 212 mijë qytetarë, kanë kontribute nga 100 deri në 1000 euro, që i bie se nga Trusti do të arrijnë të tërheqin nga 10 deri në 100 euro. Kurse, rreth 195 mijë qytetarë do të kenë mundësi t’i tërheqin deri në 500 euro.
Ndërkaq, më shumë se 104 mijë qytetarë, kursime pensionale kanë vetëm deri 100 euro, që nëse aplikojnë për tërheqje, do t’i marrin 10 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.