Menaxhimi dhe projektimi i sigurisë është një koncept relativisht i ri, i cili kërkon kontributin e ekspertëve të sigurisë që të marrë statusin e duhur, të njihet dhe të jetë obligues për lidershipin në banka, korporata dhe biznese të tjera, publike dhe jopublike
Profesionalizimi mbetet sot kryefjala e të gjitha impenjimeve dhe iniciativave në fushën e sigurisë fizike dhe për rritjen e nivelit të tij, specialistët e fushës duhet të kryejnë në mënyrë permanente studime dhe kërkime akademike. Nevoja për të hulumtuar dhe për t’u thelluar në këtë fushë, kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm për të cilët një numër i konsiderueshëm i profesionisteve dhe ekspertëve në mbarë botën vazhdojnë të botojnë libra e revista profesionale, organizohen në shoqata e komitete për menaxhimin e sigurisë.
Koncepti i menaxhimit efikas është i pranishëm prej kohësh në të gjitha strukturat e biznesit, pa të cilën është vështirë të arrihen objektivat e tij, të rritet dhe garantohet fitimi.
Menaxhimi dhe projektimi i sigurisë është një koncept relativisht i ri, i cili kërkon kontributin e ekspertëve të sigurisë që të marrë statusin e duhur, të njihet dhe të jetë obligues për lidershipin në banka, korporata dhe biznese të tjera, publike dhe jopublike. Kultura e menaxhimit të sigurisë dhe projektimit të tij, duhet të nisë që në embrionin e konceptimit dhe ideimit të një biznesi, duke e shoqëruar atë në të gjitha fazat e tij. Gjykimi se për sigurinë do të mendohet pasi një biznes është ngritur dhe pritet të jetë funksional tashmë jo vetëm që është i gabuar, por edhe i kushtueshëm.
Duhet kuptuar se specialistët e sigurisë, që veprojnë në këtë treg mjaft interesant dhe të nevojshëm, duhet të thellohen në atë që konsiderohet “industria e sigurisë”, ku përveç organizimit të mbrojtjeve fizike, elektronike, planifikimit të emergjencave duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje projektimit dhe menaxhimit të sigurisë.
Administrimi i sigurisë, si si një shkencë e menaxhimit
Specialistët e sigurisë duhet të plotësojnë kulturën e tyre profesionale edhe me aftësitë e udhëheqjes ekzekutive. Kjo nevojë, e cila rrit ndjeshëm rolin e specialistit të sigurisë në strukturën ku ai vepron, si dhe redukton kostot ekonomike të kësaj fushe, kërkon njohuri dhe përgatitje specifike. Aktualisht këto koncepte duhen konsideruar të “reja” për terrenin ku veprojnë bankat dhe bizneset sot dhe në këtë këndvështrim, “mungojnë” formimet dhe informimet akademike për specialistët e sigurisë. Këto nevoja duhet të plotësohen në mënyrë efikase dhe permanente vetëm nëpërmjet formave të trajnimeve me ekspertë dhe studiues të “industrisë së sigurisë” nga vende dhe institute europiane që i kanë përqafuar dhe aplikuar prej kohësh këto koncepte.
Trajnimi i specialistëve të sigurisë mbetet një nga obligimet kryesore të “punëdhënësit”, kjo kosto ekonomike për formimin dhe informimin e tyre duhet konsideruar investim tepër i rëndësishëm. Në rast se lidershipi, menaxhimi në banka dhe korporata të tjera nuk investon në rritjen profesionale të specialistëve të sigurisë, atëherë ai pajtohet dhe “pranon” një standard më të ulet të sigurisë, duke qenë më i ekspozuar ndaj rrezikut.
Planifikimi, marrja e masave të duhura dhe administrimi i elementëve të nevojshëm për mbrojtjen e jetës së punonjësve, pronës e vlerave materiale, përbën vetëm një aspekt të punës së specialistit të sigurisë, pjesa tjetër, tashmë shumë e rëndësishme, duhet të jetë krijimi i mundësive për zhvillimin e biznesit në kushte normale, si dhe vazhdimin e tij në kushtet e emergjencave të krijuara.
Studiuesit amerikanë mbështesin idenë se drejtuesit e sigurisë, ekspertët e fushës, duhet të largohen nga konceptet tradicionale duke evoluar drejt koncepteve bashkëkohore, nëpërmjet të cilave specialistët duhet të kuptojnë gjuhën e biznesit, kostot ekonomike, strategjitë për vazhdimësinë e tij, pra të aftësohen për të vepruar me tiparet e “ekonomiksit të sigurisë”, duke u rritur profesionalisht për t’i shtuar vlerat kompanisë. Në këtë mënyrë, çështjet e sigurisë ndikojnë në synimet e organizatës për të përmbushur sa më mirë objektivat e saj.
Pse është i nevojshëm trajnimi i vazhdueshëm i specialistëve të sigurisë?
Përveçse shërben në ngritjen profesionale, ai kushtëzohet edhe nga faktorë të tjerë. Ngjarjet kriminale dhe sofistikimi i tyre “trokasin” periodikisht në dyert e bizneseve, të vogla apo të mëdha, duke kërcënuar zhvillimin normal të veprimtarisë si dhe duke ndikuar në gjendjen psikologjike të punonjësve. Parashikimi dhe marrja e masave adekuate për parandalimin dhe reduktimin e pasojave kërkon padyshim përgatitjen në vazhdimësi të specialistëve dhe nëpërmjet saj ndërgjegjësimin e lidershipit për nevojën e rritjes së nivelit të sigurisë në biznesin që ata drejtojnë. Në rast se specialistët e sigurisë nuk janë “një hap” përpara krimit dhe veprimeve abuzive, vështirë se e njohin dhe e luftojnë atë.
Një pistë tjetër ku duhet përqendruar vëmendja e lidershipit dhe e strukturave të sigurisë në banka e biznese, mbetet parashikimi dhe parandalimi i mundësive të punonjësve për të abuzuar me vlerat monetare dhe asetet e kompanisë. Edhe për këtë tendencë në rritje, kërkohet informimi dhe formimi i specialistëve të sigurisë nëpërmjet trajnimeve të specializuara. Kompania mund të jetë më e mbrojtur në këtë drejtim, në rast se vlerëson dhe rrit nivelin e bashkëpunimit paralel mes menaxhimit e strukturave të sigurisë, sidomos në fazat e rekrutimit të punonjësve dhe ndryshimit të performancës së tyre gjatë qëndrimit në punë.
Dëmtimi i kompanisë nga të punësuarit e saj, përveç dëmtimit ekonomik, ka padyshim edhe një dëmtim reputacional me ndikim te të tretët, tek ata që kanë marrëdhënie me këtë biznes.
Trajnimi i specialistëve të sigurisë me programe efikase ka edhe një vlerë tjetër, e cila ndikon në rritjen e nivelit të mbrojtjes së biznesit dhe uljen e kostove ekonomike. Këta specialistë, tashmë edhe trajnerë për çështje sigurie, nëpërmjet programeve vjetore apo periodike trajnojnë të gjithë punonjësit e biznesit ku veprojnë në çështje që lidhen me veprimtarinë dhe objektivat e saj dhe çështje e drejtime që kushtëzohen nga ligjet tona. Në këtë mënyrë, “rrathët e sigurisë” shpërndahen gjithmonë e më shumë nga qendra në periferi, duke ndikuar në parimin e njohur se përgjegjës për sigurinë nuk janë vetëm strukturat që kanë detyra në këtë fushë, por të gjithë punonjësit e bankës, korporatës, kompanisë, organizatës apo biznesit, pavarësisht nga niveli i aktivitetit të tij. Siguria duhet të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme në çdo kohë.
Qirjako Taçe
Roland Tashi
KOMITETI I SHOQATES SE BANKAVE PËR SIGURINË BANKARE
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.